Dosja e shkarkimit, Rovena Gashit i dalin 930 milionë lekë ‘tepër’

12 Shtator 2018, 07:16| Përditesimi: 12 Shtator 2018, 13:27

  • Share

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, organi bazë i Vetingut, ka arsyetuar vendimin për shkarkimin nga detyra të prokurores Rovena Gashi, e njohur si ish-krahu i djathtë i ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla në Prokurorinë e Përgjithshme. Pas një hetimi të thelluar, në bashkëpunim me shumë organe ligjzbatuese shqiptare si dhe nën mbikëqyrjen e përfaqësueses së Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Mia Roessingh, trupa gjykuese e përbërë nga Genta Tafa (Bungo), Lulzim Hamitaj dhe Pamela Qirko ka arritur në konkluzionin se Rovena Gashi nuk e justifikon pasurinë me të ardhura të ligjshme të deklaruara. Sipas KPK, Zonja Gashi dhe babai i saj N. G nuk justifikojnë 93 542 480 lekë pasuri. Sipas vendimit, nga analiza ka rezultuar se Rovena Gashi pasur një mungesë të aftësive paguese për blerjen e pasurive të paluajtshme, me të ardhura nga burime financiare të ligjshme, pasi bilanci total i këtyre viteve del negativ, me minus 7.823.954 lekë.

Ndërsa bilanci i përgjithshëm financiar babait të saj, N. G për periudhën 1990-2016, rezulton negativ, me minus 85.718.826 lekë. “Lidhur me kriterin e pasurisë, subjekti i rivlerësimit ka bërë deklarime të pamjaftueshme dhe nuk ka dhënë shpjegime bindëse, referuar pikës 3 të nenit 61 të ligjit nr. 84/2016 dhe parashikimeve të nenit D, pikat 1, 3, 5 të Aneksit të Kushtetutës. Trupi gjykues arrin në përfundimin se subjekti i rivlerësimit nuk ka arritur një nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë, sipas parashikimit të nenit 59/1, germa “a”, të ligjit nr. 84/2016.

Në këto kushte Komisioni, bazuar në provat që disponon, në vlerësimin e çështjes në tërësi, si dhe në bindjen e brendshme, vendosi që subjektit të rivlerësimit, znj. Rovena Gashi, me funksion prokurore pranë Prokurorisë së Përgjithshme, aktualisht e pezulluar, t’i jepet masa disiplinore e shkarkimit nga detyra”, thuhet në vendimin e arsyetuar. Ndryshe nga subjektet e tjera, prokurorja pranë Prokurorisë së Përgjithshme Rovena Gashi nuk ka preferuar që të paraqitet para trupës gjykuese gjatë seancës dëgjimore, për ligjshmërinë e pasurisë së saj. Gashi nuk është përfaqësuar as me avokat.

12 arsyet
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka renditur 12 arsye se pse Rovena Gashi nuk mund të vijojë të shërbejë në sistemin e drejtësisë. Të gjitha gjetjet kanë të bëjnë me pasurinë e saj. Në vendim thuhet se Rovena Gashi ka gënjyer komisionin në lidhje me mënyrën e krijimit të pasurisë. “I ka dhënë Komisionit përgjigje të pavërteta, të ndryshme dhe kontradiktore me realitetin e fakteve të vërtetuara nga dokumentet dhe kontratat e nënshkruara prej saj. Ka dhënë përgjigje, ndaj pyetësorëve të Komisionit, të pavërteta, të ndryshme dhe kontradiktore me realitetin e fakteve të vërtetuara nga dokumentet dhe deklarimet periodike të bëra prej saj, në lidhje me periudhën e banimit në këtë apartament, si dhe kur nuk ka deklaruar posedimin apo përdorimin e sendeve/pasurive të tjetërkujt”, thuhet në vendim.

Vendimi i KPK
1. Shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, znj. Rovena Gashi, me funksion prokurore pranë Prokurorisë së Përgjithshme, aktualisht e pezulluar.
2. Vendimi, i arsyetuar me shkrim, u njoftohet subjektit të rivlerësimit, Komisionerit Publik dhe vëzhguesve ndërkombëtarë dhe publikohet në faqen zyrtare të internetit të Komisionit, në përputhje me pikën 7 të nenit 55 të ligjit nr. 84/2016.
3. Ky vendim mund të ankimohet pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit nga subjekti i rivlerësimit dhe/ose Komisioneri Publik, 15 ditë nga data e njoftimit të vendimit të Komisionit. Ankimi depozitohet pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

12 arsyet e shkarkimit të Rovena Gashit
1. Ka kryer deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm në lidhje me çmimin e blerjes së apartamentit te Shkëmbi i Kavajës, si dhe mbi momentin e pagesës së tij;
2. Ka paraqitur deklarime të pasakta dhe me përmbajtje të ndryshme nga sa rezulton nga të dhënat e kontratave të nënshkruara prej saj;
3. I ka dhënë Komisionit përgjigje të pavërteta, të ndryshme dhe kontradiktore me realitetin e fakteve të vërtetuara nga dokumentet dhe kontratat e nënshkruara prej saj;
4. Nuk ka pasur mjaftueshëm burime financiare të ligjshme për të kryer pagesën e çmimit të apartamentit të mësipërm, sipas kontratës dhe deklaratës noteriale të datës 14 nëntor 2011;
5. Ka kryer deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm në lidhje me paguesin/t dhe kohën e pagesës së çmimit të blerjes së apartamentit në ish-rrugën “***” Tiranë;
6. Ka paraqitur deklarime të pasakta dhe të pamjaftueshme në lidhje me formën e përfitimit të pasurisë si në pikën më lart, me përmbajtje të ndryshme dhe në kundërshtim nga sa rezulton nga kontrata e shitblerjes së datës 12.11.2013, e nënshkruar prej saj;
7. Ka dhënë përgjigje, ndaj pyetësorëve të Komisionit, të pavërteta, të ndryshme dhe kontradiktore me realitetin e fakteve të vërtetuara nga dokumentet dhe deklarimet periodike të bëra prej saj, në lidhje me periudhën e banimit në këtë apartament, si dhe kur nuk ka deklaruar posedimin apo përdorimin e sendeve/pasurive të tjetërkujt;
8. Ka bërë deklarime të pamjaftueshme përgjatë periudhës 2004 - 2012, pasi nuk ka deklaruar në ILDKPKI posedimin e vazhdueshëm të apartamentit në ish-rrugën “***” Tiranë;
9. Nga analiza financiare rezultoi se subjekti i rivlerësimit ka pasur një mungesë të aftësive paguese, me të ardhura nga burime financiare të ligjshme, pasi dalin me bilance negative pesë vite, respektivisht: viti 2011 (- 4.123.421 lekë); viti 2012 (- 103.233 lekë); viti 2013 (- 3.417.236 lekë) dhe viti 2015 (-180.064 lekë), dhe për rrjedhojë, bilanci total i këtyre viteve del negativ, me - 7.823.954 lekë.
10. Babai i subjektit të rivlerësimit, z. N. G në vitin 2004 nuk ka pasur burime financiare të mjaftueshme për të paguar çmimin prej 38.800 USD të apartamentit në rrugën “***” në Tiranë;
11. Për periudhën kohore, 2004 - 2016, ka pasur një mungesë të theksuar burimesh financiare (të ligjshme) për të justifikuar shpenzimet e kryera ndër vite, pasi ka investuar në pasuri të paluajtshme shifra të cilat tejkalojnë ndjeshëm mundësitë dhe burimet financiare të ligjshme, pasi bilanci i periudhës 2004 - 2016, për z. N. G. del negativ, me -80.004.952 lekë;
12. Bilanci i përgjithshëm financiar i z. N. G., për periudhën 1990 - 2016, rezulton negativ, me - 85.718.826 lekë.

( Kliko këtu ) për vendimin e plotë të KPK për Rovena Gashin

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Vlora: 12/09/2018 15:40

    Kjo dhe 30 vjet semafor Italie te kishte punuar sdo bente kaq leke.. Mos u ngopshit putanat e mutit.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?