Alban Mollaymeri

Dosja/ Në një ‘Toyota’ u kapën 106 dengje me euro, përgjimi nxjerr blof Alban Mollaymerin

29 Qershor 2018, 08:31| Përditesimi: 29 Qershor 2018, 08:37

  • Share

Deklarata e Lulzim Bashës në Parlament në 21 qershor, se një automjet “Toyota Yaris” ishte kapur në Gjermani me 1.5 milion euro brenda dhe që po planifikohej të futej në Shqipëri, ka bërë që grupi kriminal, i cili tranportonte 3.4 milionë euro, të ndryshonte drejtim. Ndryshe nga dy herët e tjera, kur ata kishin përdorur portin e Anconas në Itali, për të lundruar drejt Shqipërisë, kjo deklaratë e Bashës në seancën plenare i ka detyruar transportuesit të ndryshojnë plan. Një telefonatë e Eduart Likës, që ndodhej në Tiranë dhe që padyshim është vënë në dijeni të deklaratës së Bashës për Toyotën e ngarkuar me euro, ka bërë që shoferi i kamionit të ndryshojë kursin e lëvizjes. Lika i ka telefonuar atij, duke i thënë se duhej të shmangnin portin e Anconas, ku ishte prerë bileta e lundrimit dhe të shkonin në Bari, prej nga do të udhëtonin me një linjë lundrimi të këtij porti drejt Durrësit.

Kjo, me sa duket, ka qënë një lëvizje e grupit për t’u shpëtuar kontrolleve të repta të policisë italiane, por edhe për të hutuar policinë shqiptare, e cila tashmë kishte marrë dijeni dhe e priste automjetin bizark në kufirin tokësor.  Agim Çeka thotë se makinat i ka ngarkuar në Belgjikë Elvis Vladi dhe se janë nisur për në Ankona, por pronari Edi Lika i ka thënë që të shkojë në portin e Barit. Shoferi i trajlerit ka theksuar se në Durrës i priste Fredi, djali i xhaxhait të Elvis Vladit. Por Alfred dhe Elvis Vladi shumë shpejt kuptuan që as ndryshimi itinerarit nuk mjaftonte për të shpëtuar nga arrestimi. Dhe kështu, pas dekonspirimit nga salla e Kuvendit, dy personat kyç në këtë sipërmarrje kriminale transporti të 3.4 milionë eurove vendosën të largohen në arrati, duke shmangur kështu deri më tani arrestimin. Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme, gjykata e Durrësit ka caktuar masën e “arrestit në burg” për katër të ndaluarit dhe pritët që çështja t’u kalojë Krimeve të Rënda.

Vladi në Belgjikë prej 19 prillit
I shpalluri në kërkim ka qëndruar në Belgjikë dhe, siç rezulton edhe nga TIMS-i, ai ka dalë nga Shqipëria më datën 19 prill 2018 dhe është marrë me organizimin e gjetjes së mjeteve me qëllim transportimin e parave që vijnë nga aktivitete të paligjshme. Pikërisht pasi është bërë dhe ngarkimi i shtatë mjeteve Toyota Yaris më datën 20 qershor 2018, më datën 22 qershor 2018 Vladi është kthyer me avjon nga Belgjika në Tiranë. Rezulton se Vladi do të bënte pritjen e automjeteve në Durrës, ndërsa Mollaymeri do të realizonte zhdoganimin e tyre. Prokuroria thotë se, siç vihet re, gjithsecili ka një rol të caktuar në këtë grup kriminal, që përbëhet dhe nga persona të tjerë, ende të paidentifikuar.

Në një “Toyota” u kapën 106 dengje me euro
Në datën 24 qershor 2018, rreth orës 09:40, nga kontrolli fizik i mjeteve që ndodheshin në karroatrecin “Bizark” me targë AA120SP dhe AFR559 në pronësi të Edi Canit dhe me drejtues Agim Çeka, të cilët, në momentin e kapjes, ndodheshin në automjet, duke u futur në portin e Durrësit me linjën Bari-Durrës, është konstatuar shumë e madhe parash, të fshehura në dy nga automjetet e ngarkuara tek ky karroatrec. Në këtë automjet ndodheshin të ngarkuara nëntë autovetura, prej të cilave shtatë të tipit “Toyota”, një e tipit “Alfa Romeo” dhe një e tipit “Opel Astra”. Nga kontrolli fizik i ushtruar këtyre automjeteve në vijën e dytë të kontrollit të automjeteve në portin e Durrësit, rezultoi se në automjetin tip “Toyota”, ngjyrë gri e errët me tri porta, u konstatuan brenda tapicerisë së pjesës së prapafangos në të dy krahët e majtë kartmonedha franga dhe euro të prerjeve të ndryshme. Nga kqyrja e automjetit ka rezultuar se ishin fshehur 106 dengje me kartmonedha euro. Pas kqyrjes, automjetit i është bërë dhe skanimi, por nga ky proces nuk ka rezultuar gjë tjetër. Gjithashtu, nga kontrolli fizik, edhe në automjetin tip “Toyota Auris” me ngjyrë metalizato, me tri porta u konstatuan pranë tapicerisë së pjesës së prapafangos, në të dy krahët e majtë shumë topa të tjerë me karmonedha euro e franga të prerjeve të ndryshme.

Dëshmia e shoferit: Kisha 1 muaj punë
I pari që është pyetur për sasinë e parave ishte shoferi i kamionit Agim Çeka, i cili ka deklaruar se që prej një muaji punon si shofer tek shtetasi Eduart Cani, i cili ka një firmë që transporton automjete me trailer Bizark me targa AA120SP dhe AFR559 nga vendet e Europës për në Shqipëri. Ky shtetas e ka qëndrën e aktivitetit në Tiranë, Allias. Me këtë firmë ai deklaron se ka bërë tri rrugë në Belgjikë. Më datën 12 qershor 2018 në darkë e ka marë në telefon pronari Eduart Cani dhe i ka thënë që të shkojë në Tiranë, të merrte Bizarkën dhe së bashku me djalin e tij Klevi Canin të nisej për në Belgjikë, ku do të ngarkonin disa makina, të cilat do t’i sillnin në Shqipëri.Më datën 13 qershor 2018 janë nisur në mëngjes herët, kanë kaluar kufirin nga Hani i Hotit, në Mal të Zi dhe më pas në Kroaci, Slloveni, Austri, Gjermani dhe destinacion Belgjikën në qytetin Sherlo, ku kanë mbëritur më datë 16 qershor 2018, ditë e shtunë. Kanë qëndruar dy ditë duke fjetur në mjetin Bizark, duke pritur dërguesin, që do t’u jepte makinat. Në këtë vend kanë qënë edhe një herë tjetër, pasi kanë marrë makina, duke e ngarkuar bizarkën aty me automjete.

Elvis Vladi ngarkoi makinat në Belgjikë
Kur kanë shkuar aty, ata kanë kontaktuar me shtetasin Elvis Vladi, i cili ka ngarkuar mjetet “Toyota”. Më pas kanë marrë dhe dy mjete të tjera, janë nisur për në Itali, drejt portit të Anconas. Aty i ka marrë në telefon Eduart Lika, duke u thënë që të shkonin në portin e Barit dhe ata kanë shkuar në Bari. Personi që priste këto makina e kishte emrin Fredi, djali i xhaxhait i Elvis Vladit dhe ai ishte personi që priste edhe doganën për makinat dhe më pas të shkonin në Tiranë. Fredin e ka takuar dhe një herë më parë kur kanë sjellë një ngarkesë tjetër me makina dhe ai ka bërë zhdoganimin e mjeteve.

Ku gënjeu Alban Mollaymeri
I pyetur në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime, Alban Mollaymeri deklaroi se ka një aktivitet privat servis për makina. Ai deklaroi se disa muaj më parë kishte porositur disa makina të tipit “Toyota” nëpërmjet njeriut të tij që quhet Alfred Vladi nga Tirana. Këto makina ai, sëbashku me Alfredin, i gjente në internet dhe Alfredi i porositi jashtë Shqipërisë. Këto makina që kishin porositur kanë ardhur dhe ai ka shkuar në Durrës për të bërë zhdoganimin me tyre. Nga kqyrja e telefonave të këtij personi, ka rezultuar se Mollaymeri ka komunikuar me Alfred Vladin menjëherë sapo është vendosur bllokimi i automjeteve. Ndërkohë që Mollaymeri, në këtë rast, ka pohuar se nuk ka qënë ai porositësi i makinave, por Alfred Vladi. Por nga verifikimi i dokumentacionit, “Toyota Auris” ekziston se është porositur nga Mollaymeri.

Grup i strukturuar kriminal për pastrim parash
Sipas prokurorisë së Durrësit, ekziston një dyshim i arsyeshëm i bazuar në prova se të arrestuarit Klevis Cani, Agim Ceka, Edi Lika dhe Alban Mollaymeri kanë kryer veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale në bashkëpunim”. Sipas prokurorisë, të katër personat janë pjesë e një grupi kriminal, që ka si qëllim pastrimin e parave, që rrjedhin nga aktiviteti i paligjshëm, të kryer jashtë territorit shqiptar. Gjithmonë sipas akuzës, pjesë e këtij grupi kriminal janë dhe kushërinjtë Elvis dhe Alfred Vladi, tashmë të shpallur në kërkim policor. Prokuroria thotë se shuma prej 3.4 milionë eurosh e sekuestruar dhe 80 mijë franga zvicerane s’mund të ketë prejardhje tjetër, veçse nëpërmjet aktivitetit të paligjshëm të trafikut të drogës, apo ndonjë aktiviteti tjetër të paligjshëm. Është e provuar se të njëjtën persona si Klevis Cani, Agim Ceka, Edi Lika dhe Alban Mollaymeri, Ervis e Alfred Vladi, kanë bërë të njëjtën rrugë dhe dy herë të tjera brenda disa javëve, gjë që flet për testim të kësaj forme të pastrimit të parave përmes transportit rrugor-detar.Dyshimet, thotë prokuroria, ekzistojnë, por deri tani nuk ka ndonjë provë konkrete për dy rastet e suskseshme. Personat nën hetim çmohet se kanë gjithsecili rolin e vet specifik në këtë grup të strukturuar kriminal, i cili dyshohet se përbëhet edhe nga persona të tjerë, që deri më tani janë të paidentifikuar.

Kontrolli në banesë
Në dobi të këtyre hetimeve, prokuroria e Durrësit ka urdhëruar policinë të kryejë kontrolle në banesat e personave të ndaluar. Më konkretisht në banesën e shtetasit Edi Lika dhe Klevis Lika, babë e bir, një banesë katërkatëshe me gjashtë dhoma, tri kuzhina, dy ballkone, tri hapësira në katin e dytë. Nga kontrolli i ushtruar në këtë banesë është gjendur një radio “Motorola” me leje nga ana e qarkullimit rrugor Tiranë. U realizua dhe kontrolli i banesës së shtetasit Agim Çeka, ku në ambientet e brendshme të banesës nuk u konstatuan sende të kundraligjshme. Ndërsa në ambientet e jashtme në oborrin e shtëpisë, është gjetur një armë zjarri automatik dhe 58 fishekë. Gjithashtu, kontrolle janë kryer dhe në dy banesat e personave të shpallur në kërkim tashmë nga policia, Elvis dhe Alfred Vladi, ku në banesën e Elvisit, u sekuestrua një DVR. Prokuroria ka sekuestruar për dobi të kësaj dosje dhe shumën prej 3 milionë e 366 mijë e 700 eurosh dhe 80 mijë franga zvicerane.

Komento

Komente

  • MINUSHE: 29/06/2018 09:07

    po Basha fle I qete pas dekonspirimit qe beri??? se gjen gje ??? nqs ka prokurori duhet te merret ne pyetje?? reforma ne drejtesi ku eshte?? ja rasti konkret?? c'ben Arta Marku

    Përgjigju
    • Koli: 29/06/2018 16:11

      Albani,nxënës i shquar i Ed Zades. Kokrrat e mashtrusave. Të shesin pjesët e vjetra të makinës,për të reja.

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?