Dosja 'Plumbi i Artë'/ Ardjan Uzuni porositi vrasjen e Filip Gjeloshit për 50 mijë €! I penduari i drejtësisë, Hoxhaj: Ishte me një grua në makinë, ndaj nuk qëllova më

23 Maj 2022, 14:07| Përditesimi: 23 Maj 2022, 16:15

  • Share

I penduari i drejtësisë, Henrik Hoxhaj ka rrëfyer për prokurorët e SPAK edhe porosinë e Ardian Uzunit, për ekzekutimin e Filip Gjeloshit në 5 shkurt të vitit 2011 në Tiranë, ngjarje që u mbyll vetëm me plagosje. Kur i penduari i drejtësisë, Henrik Hoxhaj, ka konstatuar se në makinë, bashkë me shënjestrën, ndodhej edhe një vajzë, u tërhoq nga atentati ndaj Filip Gjeloshit, tropojani konsideruar i forti i Lekbibajt.

“Mbaj mend që ka qenë errësirë. Kisha parkuar afër lokalit që Fili kishte tek rruga “Siri Kodra” dhe po prisja të vinte. Sapo e kam parë të afrohej, kur ai ndaloi në kthesë, kam dalë nga makina ime dhe kam shtënë disa herë me breshëri të shkurtra por menjëherë e kam ndërprerë zjarrin pasi kam parë se në vendin e parë të makinës ka pasur një femër dhe duke qenë se nuk doja të dëmtoja femrën kam vendosur të mos qëlloja më dhe jam futur në makinën time dhe jam larguar. Më pas pashë në televizor që ai ishte plagosur nga atentati por nuk jam marrë më me atë punë”, ka thënë Hoxhaj.

Henrik Hoxhaj i referohet ngjarjes së 5 shkurtit të vitit 2011 në Tiranë ku para hetuesve të SPAK ka deklaruar se i janë ofruar 50 mijë euro nga Ardian Uzuni, i arrestuar në opeacionin “Plumbi i Artë”, për të hequr qafe Filip Gjeloshin

“I penduar i drejtësisë: “Mbaj mend që në vitin 2011, muaji shkurt duhet të ketë qenë unë kam marrë porosi nga Ardian Uzuni i cili aktualisht ndodhet në burg për ngjarje të tjera kriminale. Ai më ka ofruar që për të kryer vrasjen e Filip Gjeloshit do të merrja shumën 50 mijë euro dhe më ka dhënë 10 milion lekë paradhënie për shpenzimet. Arsyeja se përse donte ta vriste ishte sepse Filip Gjeloshi e kishte kërcënuar dhe ofenduar në telefon Ardianin pasi ky i fundit i kishte rrahur një njeriun e Filipit”, ka dëshmuar i penduari.

Filip Gjeloshi mbeti i plagosur brenda makinës së tij, pak çaste pasi kishte mbyllur lokalin në Tiranë dhe bashkë me të ishe edhe një grua Henrik Hoxhaj qëlloi sapo Gjeloshi kishte ndaluar makinën për të hyrë në banesë. Për këtë ngjarje në atë kohë është marrë në pyetje edhe porositësi i atentatit, Ardian Uzuni por nuk u gjetën prova për implikimin e tij. Filip Gjeloshaj që në moshën 20-vjeçare është akuzuar për një vrasje në qytetin e tij të Tropojës, akuzë për të cilën u arrestua por nuk u provua asnjëherë.

18 të arrestuar dhe 14 në kërkim, janë të akuzuar për një sërë krimesh nga operacioni ‘Plumbi i artë’ i SPAK, ndërkohë 18 të prangosurit u lanë me masën ‘arrest me burg’ nga GJKKO. Dy të penduar të drejtësisë, Nuredin Dumani dhe Henrik Hoxhaj nga qelia zbërthyen vrasjet nga grupet e organizuara kriminale të një dekade nga viti 2011 deri në 2022-shin, për të cilat Shqiptarja.com dhe Report Tv siguruan DOSJEN.  Nuredin Dumanit i është komunikuar të parit masa në ambientet e veçanta të një spitali. Për arsye sigurie mbahet i ruajtur me masa të posaçme. Dumani është lënë në ‘Arrest ne qeli’.   Për arsye sigurie masa i është komunikuar veçmas edhe të penduarit tjetër Henrik Hoxhaj si dhe ish-drejtuesit të policisë Leonard Palushi.

Me vendim nga Gjykata Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit u lëshuan 32 urdhër arreste, nga të cilat 18 u ekzekutuan nga policia (prej të cilave 9 masa iu komunikuan persona të arrestuar për vepra të tjera penale), ndërsa 14 janë ende në kërkim. Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, pas 6 muajve hetime dhe me dëshmitë kyçe të dy personave tashmë të vënë në dispozicion të drejtësisë, ka bashkuar 18 dosje penale në një të vetme, në atë të Dumanit dhe Hoxhës, regjistruar në 14 prill 2022 për vrasje mbetur në tentativë, armëmbajtje pa leje  në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe përkrahje e autorit.

Mes emrave të tjerë të shpallur në kërkim janë Talo Çela, i cili u lokalizua me anë të përgjimeve, por nuk u arrit të arrestohet, Florenc Çapja i cili ndodhet në Dubai, Kamer Mehja dhe avokati Alban Bengasi për të cilin burimet thonë se ka manipuluar provat për dy vrasje në favor të grupeve kriminale. Po ashtu, si pasojë e konflikteve që kishte me bashkëshorten, avokati është konstatuar në përgjime duke i kërkuar grupeve kriminale të djegin e makinës e gruas me të cilën po divorcohej.

Filip Gjeloshi

Ora 16:42
'I plagosuri më tha nuk jam unë', si Henrik Hoxhaj dyshoi se s'kishte vrarë 'të duhurin': Pasi ma konfirmoi Eljo, e qëllova 2 herë të tjera në kokë

I penduari i drejtësisë, Henrik Hoxhaj ka zbuluar detaje edhe nga vrasja e Dorjan Shkoza dhe Anxhelo Avdia. Në lojë për vrasjen e Dorjan Shkozës ishin 70 mijë euro, ndërsa ai vetë do të merrte 35 mijë.

Sipas Henrik Hoxhajt vrasjen do e kryente për pak lek pasi bëhej fjalë për çështje personale. Përveç Henrik Hoxhajt, Nuredin Dumani për të kryer “punën” kishte pajtuar edhe Eljon Bitrin nga Elbasani, vëllai i Lulzim Bitrtit i cili u vra disa kohë më parë në Elbasan. Eljo ka qenë në drejtimin e makinë me të cilën u krye vrasja. Ai tregon se në momentin që ka qëlluar një nga shenjestrat, ka dyshuar nëse kishte vrarë "të duhuri", sepse ai i kishte thënë "nuk jam unë".

“Unë i thash të mos i jepte gaz por të kthehej. Kur u kthyem Eljo më tha se personi që do vrisnim qenka në trotuar pasi ai e njihte. Unë i thash që mbaje makinën dhe sapo Eljo ndaloi unë kam qëlluar me dy pistoleta pa e hapu xhamin e makinës. Në këtë moment njëri nga dy personat ra në tokë ndërsa objektivi Dorjan Shkoza bërë disa hapa dhe më pas ra në tokë. Kam dalë nga makina dhe i plagosuri më tha se nuk jam unë.

Unë e pyeta Eljon nëse është ky apo jo dhe ai mu përgjigj që ai ishte, atëherë e kam qëlluar dy herë të tjera në  kokë. Më pas hipa në makinë dhe jemi larguar . Unë mora makinën time për në Tiranë dhe kalova edhe një postbllok policie por u largova. Armët i kemi lënë në makinë dhe Eljo e ka djegur në Shkumbin” mësohet të ketë thënë Henrik Hoxhaj.

Ora 16:30
'Duhej të vritej djali i tij mashtrues, por s'e kapim dot', Henrik Hoxhaj tregon si u tentua ekzekutimi i administratorit të shkollës 'Wilson': Ma kërkoi Nuredin Dumani

Henrik Hoxhaj, i penduari i drejtësisë ka zbuluar se kishte marrë porosi për vrasjen e administratorit të shkollës 'Wilson', Lulëzim Masha. Kjo sepse siç ai ka rrëfyer para SPAK, i kishte thënë Nuredin Dumani, por nuk e dinte se kush ishte porositësi. Dumani i kishte treguar se duhet të vritej djali i Lulëzim Bashës, pasi ai mashtronte njerëz duke u marrë, por duke qenë se ai fshihej në Maqedoni do vrisnin babanë e tij.

“Nuredin Dumani nga mesi i viti 2021 më ka shkruar dhe më ka ofruar 100 mijë euro nëse kryeja vrasjen e Lulzim Mashës. Unë e kam marrë përsipër për ta kryer bashkë me Skerdi Tasin këtë vrasje. Pas rreth 8 muajsh në Janarin e 2022, bashkë me Skerdin jemi nisur për të kryer vrasjen. Të dy kemi qenë në Tiranë dhe unë kam patur një makinë ML gri me qira. E lash Skerdin tek diga e Liqenit që të priste Lulzim Mashën. Jemi takuar pas 45 minutash tek furgonat e Fierit ku ai ishte me këmbë pasi kishte qëlluar ndaj Lulzim Mashës. Ai më tha se i kishte qëlluar por nuk e kishte vrarë dot dhe ishte larguar në këmbë. Armën më tha se e ka hedhur në liqen. Unë kam pyetur Nuredin Dumanin se pse duhej të vritje Lulzim Masha dhe Dumani më tha se në fakt duhej të vritje djali i Lulzim Mashës. Sipas Dumanit ai mashtronte duke u marrë para njerëzve dhe fshihej në Maqedoni. Nuk kam dijeni për llogari të kujt kishte marrë Nuredin Dumani këtë porosi.” mësohet të jetë shprehur Henrik Hoxhaj.

Ora 16:22
Detaje nga operacioni 'Plumbi i Artë'/ Si e kuptoi Nuredin Dumani që ishte tradhtuar nga 'shoku' i tij

Nuredin Dumani ka dyshuar se Henrik Hoxhaj e ka tradhtuar dhe për këtë është "bindur" në atentatin e fundit të kryer, ku dhe ka qenë vetë që ka thitrur policinë duke u dorëzuar pasi i plagosur. 

Në dëshminë e tij Hoxhaj ka deklaruar se kishte marrë porosi nga Nuredin Dumani për të vrarë biznesmenin e makinave Elton Kila, të njohur si “Oti” në Elbasan kundrejt shumës 200 mijë euro. Hoxhaj thekson në dëshmi se kishte shkuar disa herë për të vrarë Kilën, por nuk kishte mundur ta kryente “punën”. I pakënaqur që Hoxhaj nuk po mbaronte punë, Nuredin Dumani vjen vetë nga Kosova për të kryer vrasjen e Kilës.

Hoxhaj thotë në dëshmi para prokurorëve se kishte shkuar për ta marrë vetë Nuredin Dumanin në Kukës me një makinë tip BMË X3 që e kishte me qira. Ai thekson se në kthim nuk janë futur nga pika ku paguhet tarifa e autostradës pasi kishte kamera, por përmes një rruge tjetër.

Më tej, ai tregon se e ka çuar Nuredin Dumanin në një shtëpi në lagjen “Petro Sota” në Fier, e cila në fakt ishte edhe shtëpia ku Dumani u arrestua pasi njoftoi vetë policinë. Hoxhaj tregon se është kujdesur vazhdimisht për Dumanin teksa rrinte në Fier duke i çuar ushqime dhe gjithçka i nevojitej atij pasi nuk dilte në qytet.

“Njëherë i çova edhe byrek me spinaq që e kishte bërë nëna ime”, tregon Hoxhaj.

Sipas Hoxhajt, ai dhe Dumani kishin shkuar të paktën edhe dy herë të tjera në Elbasan për “punën” me Elton Kilën. Hera e parë sipas tij ishte për vëzhgim dhe për të parë nga do iknin dhe hera e dytë për ta vrarë, por duke mos e gjetur aty nuk kanë kryer dot gjë.

Më datë 29 mars ata shkojnë sërish për të vrarë Kilën, por pasi kanë pritur gjithë ditën nëpër Elbasan nuk e kanë parë. Në këtë moment kanë vendosur të kthehen në Fieri, por pikërisht atë pasdite Nuredin Dumanit i bëhet atentat.

Është pikërisht ky momenti sipas prokurorëve ku Dumani ka filluar të dyshojë se e kishin nxjerrë në pritë duke dyshuar te Henrik Hoxhaj.

Pasi Dumani dhe Hoxhaj mbërrijnë në Fier, Hoxhaj merr dy mjekë për të mjekuar Dumanin, kurse ky i fundit thur planin për t’u dorëzuar duke qenë i bindur se tashmë e kishin tradhtuar. Në këtë moment policia shkon në katin e katërt të banesës dhe kryen arrestimin e Dumanin.

Ora 16:04
Vrasja e vëllait të Talo Çelës/ Zbardhet dëshmia e të penduarit të drejtësisë: M'u duk hallexhi dhe e shtyva si punë! Pastaj Dumani më tha se e bëri vetë si punë

1653315173_BujarCela.jpg

Për vrasjen e vëllait të Talo Çelës, Bujar Çela, Henrik Hoxhaj ka treguar se Nuredin Dumani i ka kërkuar që të kryej në Elbasan vrasjen e Bujar Çelës, vëllait të Talo Celës për 60 mijë euro.

Fillimisht Henrik Hoxhaj dëshmon se e ka pranuar punën dhe kishte filluar të mblidhte të dhëna për Bujar Çelën, të cilin e ka ndjekur teksa ai punonte si taksist nëpër qytet.

Ai shton se personi në fjalë i është dukur hallexhi dhe kështu ai vetë nuk ka qenë i predispozuar për ta bërë si punë, dhe për këtë arsye ai e ka shtyrë kryerjen e vrasjes. Pas disa kohësh Nuredin Dumani, dëshmon Henrik Hoxhaj, i ka çuar SMS duke thënë se e bëri atë punën e Çelës.

“Në një moment kam dyshuar se Nuredin Dumani ka vrarë Talon, por në televizor kam parë se kishte vrarë Bujar Çelën që unë nuk e kisha kryer si porosi” mësohet të jetë shprehur Henrik Hoixhaj. 

Megjithatë, Dumani tregon versionin e tij të ngjarjes. 

“Në lidhje me vrasjen e Bujar Çelës të ndodhur në Elbasan në 17 Shtator të vitit 2020 dua të sqaroj se, arsyeja që u vra Bujari ishte se 2 ditë më parë më datë 15 shtator të vitit 2020 u vra miku im Klevis Kapllani në Rrogozhinë (dyshoj se ngjarja është kryer nga Talo Çela dhe njëri nga vëllezërit Manhasa). Arsyeja e vrasjes së Kapllanit ishte se kishte dërguar pistoletën në ngjarjen e Ramazanit tek servisi i Seit Manhasës vëllait të autorit. Unë u organizova me Enver Diven dhe me Besmir Xhixhën. 

Komunikova me Erjon Alibej edhe i thashë që do ndërroj objektiv nuk do t'i bëj atentat Dine Çamit por do organizoj vrasjen e vëllait të Talo Çelës për të marrë hakun e shokun tim. I thash Erjonit do t’i jap çunave 60.000 Euro, Enverit dhe Besmirit. Jemi takuar në 16 Shtator me Enverin dhe Besmirin në fshatin Pajovë dhe kemi qëndruar gjithë natën në një arë në Pajovë duke pritur orën 04:00 të mëngjesit pasi Bujar Çela në këtë orë çohej për të shkuar tek autobuzat që vinin nga Greqia dhe pinte kafe aty.

Në orën 4:00 kemi shkuar tek shtëpia e Bujar Çelës por na diktuan. Unë së bashku me çunat i shkova para shtëpisë dhe po prisja që të hapej dera e banesës për të dalë jashtë Bujari. Duke qëndruar në pritje vjen pas meje një shtetas të cilin nuk e njihja dhe e pyes kush je ti ? Më tha që jam i shtëpisë këtu. Unë isha veshur me një jelek antiplum dhe i them personit jam i Policisë. I thash çunave, o komandant hajde se na pikasën dhe u larguam. Unë isha me mjetin Mercedes E Class i vitit 2012 i cili ishte e vjedhur…. 

Pasi ikëm direkt tek kthesa e Cërrikut që të largoheshim nga lagja e Bujarit. U ktheva edhe njëherë bashkë me Besin dhe Enverin tek lokali ku unë e dija që ai e pinte kafen në mëngjes. Për vendndodhjen se ku e pinte kafen Bujari më kishte informuar Eljo Bitri. Eljon e kisha si informator por në këtë ngjarje nuk e dinte që do vritej atë ditë Bujari… Kur jam kthyer nga kthesa e Cërrikut për te lokali që do kryenim ngjarjen, kam ndaluar tek një karburant dhe kam hedhur naftë. Më pas shkova drejt vendngjarjes. Nuk e mbaj mend nëse isha unë para apo makina tjetër. Rrugës afër lokalit pashë që doli nga makina Bujar Çela në atë moment bëra rreth rrotullimin dhe e ndalova makinën pak më përpara lokalit. Enveri me Besin ishin me makinën Renault përballë lokalit ku po prisnin që të afrohesha unë. 

Kur ata më panë që unë zbrita nga makina, Enveri doli nga makina ku po qëndronte dhe shkon në drejtim të Bujar Çelës për ta qëlluar. Personat që ishin në tavolinë me Bujarin u çuan dhe u larguan, në atë moment Enveri e goditi me armën Scorpions 7.65 diku tek 20 herë. Unë shkova për ta qëlluar por pistoleta me ngeci. Ishte pistoleta që me kishte falur Talo Çela. Bujari nuk kishte vdekur akoma por unë e doja të vdekur. Meqenëse mua mu bllokua arma që kisha thërras Besin që ishte shofer dhe i thash hajde më sill armën. Më tha ça të bëj, i thash ta godiste në kokë. Ai qëlloi dy herë me pistoletë 9 mm nuk e mbaj mend armën. Jemi larguar direkt pastaj secili me makinë të vetë në drejtim të Peqinit ku unë ika shumë para dhe prita sa të vinin çunat me Renault. 

Ja bëra me shenjë kur i pashë që të ktheheshin tek vendi ku do digjeshin makinat. Çunat e futën makinën dhe e dogjën dhe që të 2 erdhën te makina ime tip Benz. U larguam deri në Fushë Krujë me benzin….Armët i kemi hedhur në kanal. I kemi hedhur tek rruga dytësore në Plepa tek kanali. Mbas shinave ku është rotondo jemi kthyer djathtas dhe kemi hedhur armët. Nëse shkoj në vendin e ngjarjes mund ta identifikoj vendin. Lekët mi ka sjellë Erjoni nëpërmjet një personi në Vorë ku unë kam nxjerr Enverin dhe Besin të marrin lekët me sa mbaj mend. Erdhën lekët tek unë dhe ja ndava të dyve. Unë nuk mbajta asnjë lek. Të dyve i ranë nga 30.000 Euro për kokë. Unë pastaj u largova për në Kosovë. Arjanit i kam shkruar për këtë ngjarje", ka thënë Dumani.

Ora 15:23
‘Nuk e tregova emrin se më tha të vras motrën’, çfarë tha i penduari i drejtësisë për ekzekutimin e vëllezërve Haxhiaj

1653312287_vellezerithaxhia.jpeg

Vëllezërit Besmir dhe Viktor Haxhia u nxorrën në pritë përmes nëj mesazhi në vitin 2020 kur edhe u vranë, në vendin e quajtur tregu i mjeteve ne Shënevlash Durrës, në makinën tip Golf.

Në dosjen që Report Tv e ka lexuar thuhet se përpara se të vriteshin viktimat ishin nisur nga banesa e tyre në Spitallë për në rrugët e fshatit Shënevlash. Më pas gjatë kohës që ishin në lëvizje me mjetin e tyre në vendin “Tregu mjeteve” autorët e ngjarjes i kanë ndjekur dhe me pas parakaluar me një automjet dhe në shkëmbim e sipër i kanë qëlluar me armë zjarri automatike. Si pasojë e plagëve të shumta viktimat kanë gjetur vdekjen e menjëhershme. Kufoma e Besmir Haxhisë është fiksuar në sendilje te shoferit kurse kufoma e Viktor Haxhisë në sediljen e parë. Në telefonin e Besmir Haxhisë është gjendur sms e një të panjohuri dhe të paregjistruar si emër i cili i thoshte “po të pres te tregu i makinave në Shënevlash”.

Ky numër ka rezultuar i loguar disa ditë me parë se të ndodhte ngjarja. Nga ekzaminimet e kryera, është konkluduar se ky numër ka qenë në përdorim nga Klevis Alla. Alla është pyetur nga policia dhe ka pranuar të tregojë dhe të dëshmojë rreth ngjarjes, duke deklaruar se në këtë ngjarje janë të përfshirë edhe Altin Ndoci, Nuredin Dumani dhe Talo Çela.

Ashtu si Nuredin Dumani dhe Henrik Hoxhaj dhe Klevis Alla pranoi të bashkëpunonte me drejtësinë.

Klevis Alla fillimisht  implikonte veten të hetuarit Talo Çela, Altin Ndoci dhe një person të quajtur Ilir me nofkën Bubi. Më pas ai ka saktësuar shtetasi të cilit ai fillimisht i kishte atribuuar nofkën Bubi, ishte në  fakt i hetuari Nuredin Dumani. Këtë fakt ai e argumenton për arsye se Nuredin Dumani ishte një person shumë i rrezikshëm të cilin ai e njihte shumë mirë i cili kishte shumë njohje dhe lidhje në policinë e Durrësit dhe ai kishte shumë frikë prej tij. Po kështu ka deklaruar se Nuredini e ka kërcënuar nëpërmjet telefonit se do i vriste motrën.

K.T.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • goni: 24/05/2022 17:08

    uroj qe te kalben ne burg keto felliqesira! edhe pse te penduar, ne burg duhet ta mbarojne jeten qelbaniket

    Përgjigju
  • Drini: 23/05/2022 16:26

    Denkonspirimet jane te policise sepse shume prej tyre qe arrine deri tek drejtuesit e pre ajne ne borderote e krimit. Ka Drejtore policie qarqesh , por edhe te Tiranes qe jane te zhytur deri ne fyt me krimin.

    Përgjigju
  • Gjergj: 23/05/2022 15:52

    SPAK po bèn "kèrdinè", i ka bèrè kriminelèt tè flasin me vete. I marrin nè pyetje nè mbrèmje, nè mèngjes lexon nèpèr gazeta se çfarè dèshmuan. Kam njè propozim pèr sot e mbrapa me qèllim qè tè mos humbim kohè fare. Le ti transmetojnè live tek KLAN marrjet nè pyetje. Mbase kanè mè shumè "fat" me fletèarrestet pastaj dhe nuk u ikin nè drejtè tè paditur gjysma e tè kèrkuarve. Hajde gallatè hajde.

    Përgjigju
    • Shoku: 23/05/2022 21:44

      Keto qe lexon ne media nuk jane as gjysma,deshmite jane dhene qe ne fund te Prillit dhe familjet jane marre ne mbrojtje.Nuk ke pare gje akoma

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?