Në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) është zhvilluar seanca e radhës për dosjen ‘Plumbi i Artë’ ku i penduari i drejtësisë, Erjon Alibej po jep dëshminë e tij për ekzekutimin e Emiljano Ramazanit në korrik të vitit 2020, si dhe për vrasjen e Regis Runaj po në vitin 2020.
Alibej tregon se për Emiljano Ramzanin merrte informata nga shumë persona dhe se ai ka qenë njeri shumë i afërt me Talo Çelën dhe Miakel Qosjen.
Pas vrasjes së Ramazanit, Erjon Alibej tregon se ka marrë mendim nga Nuredin Dumani për vrasjen e Regis Runajt dhe se vrasja do të kryhej nga Xhuljan Hoxha me thikë për të mos shkaktuar zhurmë.
Pjesë nga seanca në GJKKO:
"Nuk është që kishte një plan konkret. Emiljano Ramazani ka qenë njeri shumë i afërt i Talo Çelës, Mikael Qoses. Ka qenë njeri aktiv dhe unë kisha informacione pafund për Emiljano Ramazanin. Informacionet i merrja në rrugë te ndryshme, nga njerëz të ndryshëm. Ardjan Ccollaku, Xhuljan Hoxha më jepnin informacion si dhe shumë persona të tjerë. Kam komunikuar me Xhuljan Hoxhën që të shkonte ta ruante te palestra se rrinte shumë kohë në palestër. Emiljano Ramazani ka qenë gjithë kohën në vëzhgim deri kur u bë ekzekutimi. Unë dhe Xhuljano komunikonim në aplikacionin Sky Ecc.
Regis Runaj e njihja si informator dhe njeri shumë të afërt të vëllezërve Çopja, të Mikael Qoses. Njerëz që ishin ne vijimësi të krimeve që i kishin bërë familjarëve të mi. Për ekzekutimin e Regis Runaj , vendimin e kam diskutuar me Nuredinin. I dërgova dhe një mesazh Xhuljan Hoxhës, sepse ai më është vetëofruar për ekzekutimin e Regisit. Urdhrin për ekzekutimin e Regis Runaj e dhashë unë duke marrë dhe mendimin e Nuredin Dumanit, komunikonim bashkë", tha Erjon Alibej.
Ndërhyn Xhuljan Hoxha: Kush e dha urdhrin ti apo Nuredini?
"E shpjegova njëherë. Pas vrasjes së Emiljano Ramazanit komunikova me Nuredinin. Xhuljan Hoxha do kryente vrasjen e Regis Runaj. Kur morëm OK për ekzekutimin e Regis Runaj, i thash mundohu ta bësh me thikë mos të bëhej zhurmë. Dhe kështu veproi. Nuk e kam ndihmuar Xhuljan Hoxhën me sende për të kryer vrasjen, ai u dakordësua direkt. Ekzekutimin e Regis Runaj e mora vesh në radio, ose ma komunikoi Xhuljano nuk më kujtohet mirë. Xhuljano Hoxhën e takova dy ditë pas vrasjes, sepse ai atë natë iku me familjen në plazh. Ai u paraqit në komisariat, pasi doli nga aty u takuam. Me shpjegoi pjesën e ekzekutimit se si kishte ndodh. Më tha që kur më kane marrë në pyetje ishte aty edhe motra e Regisit. Më tha që motra e Regisit i kishte thënë ke te fala nga Mikaeli. Më tha që shkoi për makinën e tij te një garazh që kishte babi i tij te varrezat, kishte vesh kominoshe dhe kishte dal nëpër ferra dhe kanale dhe aty me thotë kishte pritur Regisin se e dinte qe do vinte. Kur del Regisi, dal nga ferrat më thotë dhe e masakroj. Më thotë qe ishte me njerez te tjerë dhe se e masakroi, sepse të tjerët ikën më vrap", deklaroi Alibej.
Ndërkohë gjyqi ka përfunduar me përplasje mes Alibejt dhe Xhuliano Hoxhës. Ky i fudnit ka pyetur të penduarin e drejtësisë nëse do kishte dashur të kishte vrarë ish-të dashurën e vet Megi K., ndërsa Alibej i është përgjigjur se duhet të pyesë Suel Çelën.
I penduari i drejtësisë Erion Alibej është përplasur në gjykatë me të pandehurin Xhuliano Hoxha gjatë dhënies së dëshmive lidhur me ngjarjet kriminale ku kanë qenë të përfshirë.
Shumë prej pyetjeve, Alibej është përgjigjur duke thënë ‘nuk e mbaj mend’, duke ngjallur nervozizëm tek ‘shoku’ i tij teksa po diskutohej për një vajzë të identifikuar si Megi K., ish e dashura e Alibejt.
“O Erjon, po kujtoje një gjë se më plase shpirtin”, i ka thënë Xhuliano Hoxha në gjykatë.
Më pas Hoxha drejtuar Alibejt tha: Pishmani im në jetë është që s'të vrava ty me dorën time.
Hoxha pyeti Alibejn nëse kishte dashur ta vriste Megi K., ndërsa ai iu përgjigj të pyeste Suel Çelën.
"E ke në Peqin Suel Çelën", tha Alibej, duke i kërkuar ndjesë avokatit Sokol Hazizaj, që mbron Çelën në një tjetër proces.
Erjon Alibej u pyet gjithashtu dhe nëse do të bashkëpunonte përsëri me Nuredin Dumanin dhe Xhuliano Hoxhën për të vrarë Talo Çelën.
“Edhe me djallin për Talo Çelën”, ishte përgjigja e të penduarit të drejtësisë.
Komente
