Greqi- Policia greke zbardh një pjesë të emrave të implikuar në ngjarje kriminale, që i përkasin të paktën 5 organizatave të ndryshme, të goditura pas hetimeve të platformës së koduar SKY ECC.
Numri i të arrestuarve ka shkuar në 24 persona, kurse 7 bëhet me dije se janë ende në kërkim. Në dosjen hetimore janë të përfshirë të paktën 15 shtetas shqiptarë (njëri i vdekur, Aleksandër Sadikaj), disa shtetas grekë dhe shtetas nga Rusia, Moldavia, Gjeorgjia dhe Kina, të cilët ishin pjesë e grupeve kriminale.
Sipas policisë greke, një grup kriminal drejtohej nga shqiptarët Denis Grabocka dhe Andon Salati, e që njihej si klani Grabocka-Salati, kurse i dyti drejtohej nga Aleksandër Sadikaj (i vrarë në Shqipëri në vitin 2022), i treti nga Aleksandro Pando, ndërsa grupi i katërt nga greku Dhionisio Siountri.
Hetime bëhen edhe për një grup të pestë, shkruan media greke.
Gjatë hetimeve janë arritur të zbulohen deri në 106 episode deri tani, nga 70 që ishin raportuar më parë, e që lidhen me trafikun dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike. Bëhet fjalë për sasitë 1 ton e 784 kg marihuanë dhe 43,7 kg kokainë, transportin dhe pastrimin e parave.
Gjithashtu tentativa e vrasjes ndaj shtetasit Ari Papa, ndodhur më 26 shkurt 2021 në Greqi, si dhe vrasjen e tij disa javë më pas.
Llogaritet që nga trafiku dhe shpërndarja e drogës të jenë qarkulluar rreth 8 milionë e 455 mijë euro.
Në dosje duket se del edhe emri i Aleksandër Sadikajt, i vrarë në afërsi të TEG-ut në Tiranë, në muajin Qershor të vitit 2022, me bombë të telekomanduar në makinë, në kuadër të luftës mes organizatave kriminale të narkotrafikut në linjën Shqipëri-Greqi.
Gjatë kontrolleve të kryera ditën e djeshme në kuadër të operacionit janë sekuestruar rreth 9.5 kg marihuanë (një pjesë e llojit SKUNK), 1450 bimë narkotike cannabis sativa, rreth 1.3 kg kokainë, 4 pistoleta, 1 çifte, 463 fishekë, 1 silenciator, 1 tytë arme, 6 krehëra, 16 thika, 2 shkopinj, 1 përforcues grushti, 1 shkop metalik, 17 lëndë piroteknike, 6 peshore, 1 grirës droge, materiale për vjedhje, 1 orë e shtrenjtë, 49 celularë, 4 laptopë, 3 tableta, 1 kartë identiteti false, 1 numërues kartëmonedhash, 1 hard disk, mbi 30 automjete, 7 motorra, 475.300 euro, 7.400 lekë shqiptare, 160 dollarë australianë, 2 senti ganeze, 140 slot polake, 160 dirham të Emirateve të Bashkuara Arabe, 1 lirë floriri.
Të dyshuarit jetonin kryesisht në banesa luksoze dhe udhëtonin me automjete të shtrenjta, me të ardhura kryesisht nga veprimtaritë e paligjshme.
Nën akuzën e pastrimit të parave ka rënë në pranga edhe Eglantina Pando, 57 vjeç, si dhe një greke e një kinez, ndërsa një përdorues i aplikacionit “Encrochat” që kryente transport parash me sistemin “Hawala” është i paidentifikuar.
Gjatë kontrolleve në kuadër të operacionit u arrestuan në flagrancë për vepra të tjera penale edhe Marjus Pashaj, 28 vjeç nga Delvina dhe një shtetase greke.