Momenti i atentatit të parë ndaj Ari Papës

Bota

Zbërthimi i Sky ECC në Greqi godet 5 organizata kriminale me 20 të arrestuar! Përgjimet zbardhin dhe atentatet dhe vrasjen e sarandiotit Ari Papa

6 Dhjetor, 12:43| Përditesimi: 6 Dhjetor, 18:48

  • Share

Greqi- Zbërthimi i komunikimeve në platformën e koduar SKY ECC në Greqi ka zbuluar aktivitetin kriminal dhe komunikimet mes të paktën 5 organizatave të ndryshme, kryesisht të trafikut të drogës dhe jo vetëm.

Mes tyre edhe grupe shqiptare të organizuara, si dhe ngjarje të rënda kriminale, deri në ekzekutime për larje hesapesh, prishje pazare të drogës dhe hakmarrje. Bëhet fjalë për vrasjen e Ari Papës, nga Saranda, më 2021.

Deri tani ka të paktën 20 persona të arrestuar dhe operacioni është ende në proces nga autoritetet ligjzbatuese greke, me partnerët ndërkombëtarë.

Në total mësohet se janë 28 urdhra-arresti, teksa ka qindra kg drogë të sekuestruar, mbi 1 mijë bimë kanabisi, 140 kg hashash dhe dhjetëra kg kokainë në operacione të ndryshme apo në flagrancë. Gjithashtu janë sekuestruar edhe 200 mijë euro cash, po në flagrancë.

Por ajo që bie në sy dhe i referohet media e vendit fqinj, është edhe dalja e emrit të një 29-vjeçari shqiptar në komunikimet e koduara të SKY ECC, i ekzekutuar me eksploziv, për shkak hakmarrje. Bëhet fjalë për Ari Papën.

Në atentatin e parë të 26 shkurtit 2021, në vendin e quajtur “Stacioni i Larisës” në Athinë, papa u tentua të vritet me armë zjarri. 32-vjeçari nga fshati Dhivër i Sarandës ndodhej midis rrugëve “Mixail Boda” dhe “Agorakritou”, kur pasagjerët e një taksie qëlluan me armë në drejtim të tij. Papa mori dy plagë dhe u transportua me urgjencë drejt spitalit ku i shpëtoi vdekjes.

Atentatorët u larguan duke kërcënuar shoferin e taksisë, por më pas e braktisën mjetin së bashku me dy pistoleta dhe sende të tjera. Megjithatë Ari Papa (Papas) u ekzekutua disa javë më pas (30 Maj), në “Sepolia” Athinë, teksa pinte kafe në një lokal.

Për vrasjen e tij, në mars 2023 policia arrestoi vetëm dy persona që dyshohet se kishin shërbyer si ndihmës të autorëve. Bëhet fjalë për taksistin shqiptar, 47-vjecarin Juljan Ymeri, i cili përdor edhe emrat Ervin e Beniamin dhe mbiemrat Rexhepi e Bethanov dhe një baristi grek, ndërsa ekzekutori mendohet se ka ardhur nga Shqipëria.

Në total ka 7 persona të dyshuar dhe akuzuar për këtë rast dhe 3 në kërkim.

Media greke zbuloi disa detaje nga dosja hetimore, se 3 të dyshuarit për atentatin ndaj Papës ishin shqiptarët “Mili” 38-vjec (nën arrest), “Dorian” 32-vjec (në kërkim) dhe “Landi” 30-vjec (nën arrest). “Mili”, një shqiptar i rrezikshëm ishte i përfshirë dhe një ngjarjen e 20 dhjetorit 2020, ku policia greke gjeti një Kallashnikov në një makinë në Kipseli.

Në bisedat e zhvilluara gjithashtu ka dëshmi të disa anëtarëve që kanë qenë të burgosur në burgun e Koridhalos dhe që gëzonin privilegje të veçanta, madje duke arritur me ndihmën e zyrtarëve të futnin edhe gra në burgje.

Kreu i grupit kriminal, sipas bisedave, rezulton një shtetas i përfshirë në tentativën e vrasjes së Papës në shkurt 2021, por nuk dihet ende nëse është i njëjti edhe në rastin e ekzekutimit të tij. Ka dyshime se bëhet fjalë për sagën e hakmarrjes mes dy grupeve kriminale dhe luftës për biznes e territor të trafikut të drogës mes Shqipërisë dhe Greqisë, që deri tani shënon të paktën 7 të vrarë në më pak se 5 vite.

Pjesë të rëndësishme në grup ka edhe një 36-vjeçar grek, aktualisht me banim në Bordo, me masën ndalim dalje nga Franca, i përfshirë në trafikun e 1.5 tonë kokainë në korrik 2017 në Francë. Një tjetër i përfshirë, shofer kamioni, rezulton i arrestuar në maj 2020 në një port të Italisë, duke transportuar 140 kg marijuanë. Ai ishte nisur nga një port grek.

Sipas të njëjtave burime, janë zbardhur rreth 70 episode të trafikut dhe shitjes së drogës, në periudhën mars 2020 – mars 2021. Shumë nga këto episode përfshijnë Shqipërinë. Bëhet fjalë për veprimtarinë e të paktën 5 grupeve.

Një ndër linjat e trafikut ka qenë ajo e marijuanës midis Spanjës, Shqipërisë dhe Greqisë, përfshirë edhe atë të llojit SKUNK e cila fshihej në furgona. Gjithashtu janë zbardhur edhe episode të trafikut dhe shitjes së kokainës, mes Athinë dhe Mykonos. Organizatat kishin shtrirje deri në Spanjë, madje bënin edhe pastrimin e parave.

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?