Kronikë

Drafti i Kodit të Ri Penal/ Deri në 16 vite burg për bashkëjetesë me të mitur, deri 10 vite burg edhe prindërit që e lejojnë apo e nxisin

25 Korrik, 18:39| Përditesimi: 25 Korrik, 19:22

  • Share

Drafti i Kodit të ri Penal, aktualisht në fazën e konsultimit publik, parashikon ndëshkime të ashpra për të gjithë ata që bashkëjetojnë me të mitur. Neni 745 i draftit e cilëson bashkëjetesën me të mitur për qëllime të ngjashme me martesën si vepër penale dhe parashikon dënime të ndryshme, në varësi të moshës së të miturve.

Sipas nenit, bashkëjetesa e një personi madhor me një të mitur nga mosha 14 deri nën 16 vjeç, dënohet me burgim nga 4 deri në 8 vjet. Nëse bashkëjetesa ndodh me një të mitur 16 deri në 18 vjeç, dënimi është nga 2 deri në 5 vjet.

Për rastet më të rënda, kur bashkëjetesa ndodh me një të mitur nën moshën 14 vjeç, dënimi shkon nga 8 deri në 16 vjet burg. Ndërkohë, kur bashkëjetesa me të miturin kryhet me qëllim përfitimi pasuror, dënimi në secilin rast rritet me deri në 50%.

Drafti parashikon edhe dënime për prindërit apo kujdestarin në rast se ata udhëzojnë, lejojnë, këshillojnë, ose e shtyjnë të miturin e moshës 14 deri 18 vjeç që të bashkëjetojë me personin madhor. Ata rrezikojnë dënim me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet.

Neni 745

Bashkëjetesa me të miturin nën moshën 18 vjeç

1. Bashkëjetesa e një personi madhor me një të mitur të moshës 14 deri nën 16 vjeç, kur bëhet për qëllime të njëjta me ato të martesës apo marrëdhënies së ngjashme me të, dënohet me burgim nga katër deri në tetë vjet.

2. Nëse bashkëjetesa kryhet me një të mitur të moshës 16 deri në 18 vjeç, dënohet me burgim nga dy deri në pesë vjet.

3. Prindi, prindi adoptues, kujdestari apo ndonjë person tjetër që ushtron autoritet prindëror, që e udhëzon, lejon, këshillon, ose e shtyn të miturin e moshës 14 deri 18 vjeç që të bashkëjetojë me personin madhor, sipas paragrafit të parë e të dytë të këtij neni, dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet.

4. Kur vepra penale e parashikuar nga paragrafët një, dy ose tre të këtij neni kryhet ndaj personit nën moshën 14 vjeç, dënohet nga tetë deri në gjashtëmbëdhjetë vjet burgim.

5. Kur vepra penale e parashikuar nga paragrafët e këtij neni kryhet me qëllim të përfitimit pasuror, dënimi i parashikuar në secilin paragraf shtohet deri në një të dytën.


Lajmi kryesor:

Ja drafti i plotë i Kodit të ri Penal/ S’ka më kufizime, të gjithë të dënuarit përjetë mund të kërkojnë liri me kusht pas 35 vitesh


SI.E./ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Lirim me kusht pas 35 vitesh për të dënuarit përjetë, si e vlerësoni?