Kronikë

Ja drafti i plotë i Kodit të ri Penal/ S’ka më kufizime, të gjithë të dënuarit përjetë mund të kërkojnë liri me kusht pas 35 vitesh

25 Korrik, 18:00| Përditesimi: 25 Korrik, 19:13

  • Share

Ministria e Drejtësia ka publikuar draftin të plotë për Kodin e ri Penal, ku janë parashikuar një sërë ndryshimesh ligjore.

Drafti për Kodin e ri është hedhur për publikim pas 2 vitesh punë intensive dhe synon që të zëvendësojë Kodin aktual Penal të vitit 1995, i cili ka pësuar ndryshime të shpeshta.

Nevoja për një Kod të ri ka lindur për t’ju përgjigjur sfidave të kohës, shtuar këtu edhe momentit që Shqipëria po negocion për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian.

Drafti për Kodin e ri Penal është hedhur për konsultim publik, e duhet theksuar që mund të pësojë edhe ndryshime të tjera.

Kodi i ri Penal, para se të hyjë në fuqi, do të marrë edhe aprovimin e Bashkimit Europian.

Ky Kod i ri prek disa shtresa thelbësore të shoqërisë, të tilla si familjen me përgjegjësinë që ka ndaj fëmijës etj.

Kodi i ri Penal, nëse do të mbetet i tillë pas konsultimit publik, do të jetë me 952 nene, gati 3-fish më shumë nga Kodi aktual Penal që përmban 335 nene.

Po kështu, një aspekt i rëndësishëm është kërkesa për lirim me kusht nga të dënuarit e përjetshëm, që mund të aplikojë kushdo pasi ka kryer 35 vite burgim.

Kliko këtu për të lexuar draftin e Kodit të Ri Penal

Ora 19:08
Drafti/ 3 vite burg kush hap profile false me foton e tjetrit në rrjetet sociale

Kush keqpërdor imazhin e një personi tjetër për të hapur profile të rreme në rrjetet sociale apo çdo faqe tjetër, do të dënohet me gjobë deri në 3 vite burgim.

Këtë parashikon drafti i Kodit të ri Penal në nenin 842 për “Përdorimin e paligjshëm të imazhit”.

Për këto raste, ndjekja penale fillon vetëm kur bën denoncim viktima ose avokati, dhe pushohet kur heq dorë pala e dëmtuar.

1. Përdorimi i imazhit të një personi për të bërë njoftime ose për të hapur profile të rreme në rrjetet sociale, faqet e kontaktit ose në çdo mjet tjetër komunikimi publik, pa pëlqimin e mbajtësit të imazhit, kur i shkakton këtij të fundit gjendje ngacmimi, përndjekjeje ose poshtërimi, dënohet me gjobe ose me burgim deri ne tre vjet.

2. Ndjekja penale për veprën penale fillon me ankim të viktimës ose përfaqësuesit ligjor të saj dhe pushon me heqjen dorë prej tij.

 

Ora 18:50
Drafti i Kodit të ri Penal: Masat edukuese ndaj fëmijëve mund të mbikëqyren edhe nga prindërit

Në draftin e Kodit të ri Penal të hedhur në konsultim publik, një seksion i rëndësishëm është ai për “Masat edukuese ndaj të miturit”.

Sipas nenit 105, masat edukuese të miturit e grupmoshës 12-14 vjeç. Masat edukuese synojnë të trajtojnë dhe përfshijnë këto kategori të miturish në programe konkrete për korrigjimin, risocializimin, rehabilitimin dhe parandalimin e veprimtarisë së mëtejshme kriminale, duke i ofruar të miturit vëmendje, kujdes, ndihmë dhe mbikëqyrje si dhe, duke siguruar edukim, aftësim profesional, zhvilluar ndjenjën e përgjegjësisë së tij personale dhe përfshirjen e ardhshme të tij në një rol sa më të dobishëm në shoqëri.

Në nenin 109, masat edukuese ndaj fëmijëve specifikojnë edhe mbikëqyrjen nga ana e prindit, prindit birësues apo kujdestarit.

Gjykata cakton masa edukuesve ndaj fëmijëve kur prindi/prindërit janë plotësisht të aftë dhe të gatshëm për të realizuar mbikëqyrjen e të miturit.

Masat edukuese dhe qëllimi i tyre

1. Masat edukuese synojnë që të sigurojnë/garantojnë zhvillimin fizik, mendor, shpirtëror, moral dhe shoqëror të të miturit të grupmoshës 12-14 vjeç nën moshën për përgjegjësi penale, që ka kryer krim, të të miturit që ka përgjegjësi penale dhe përjashtohet nga dënimi, apo të të miturit që përbën rrezik për veten dhe të tjerët. Ato synojnë të trajtojnë dhe përfshijnë këto kategori të miturish në programe konkrete për korrigjimin, risocializimin, rehabilitimin dhe parandalimin e veprimtarisë së mëtejshme kriminale, duke i ofruar të miturit vëmendje, kujdes, ndihmë dhe mbikëqyrje si dhe, duke siguruar edukim, aftësim profesional, zhvilluar ndjenjën e përgjegjësisë së tij personale dhe përfshirjen e ardhshme të tij në një rol sa më të dobishëm në shoqëri.

2. Gjykata gjatë shqyrtimit të kërkesës për caktim mase edukuese ndaj të miturit vlerëson raportet e strukturave të posaçme të njohura me ligj apo rekomandon për ndërhyrjet që shërbimet e tyre duhet të kryejnë për riintegrimin e miturit, duke vlerësuar:

a) kushtet, të cilat lehtësuan përfshirjen e fëmijës në krim;

b) nivelin e rrezikshmërisë shoqërore dhe veprën e kryer;

c) mjedisin, në të cilin është rritur dhe ka jetuar fëmija;

ç) rrezikun apo mundësinë që fëmija të kryejë një vepër tjetër penale;

d) çdo faktor tjetër, i cili mund të ndihmojë për të kuptuar dhe vlerësuar situatën e fëmijës.

                                                                                                                                                                 Neni 100           

Llojet e masave edukuese

1. Llojet e masave edukuese që mund të caktohen nga gjykata ndaj të miturve janë:

a) këshillimi i të miturit;

b) mbikëqyrja e veçantë e të miturit nga ana e prindit, prindit birësues ose kujdestarit;

c) mbikëqyrja e të miturit në përkujdesje alternative;

ç) vendosja e të miturit në një institucion të përkujdesjes edukativo–korrigjuese.

2. Vendimi gjyqësor për masat edukuese është i revokueshëm në çdo kohë kur ndryshojnë apo zhduken rrethanat për të cilat ai është dhënë. Në çdo rast, gjykata është e detyruar që pas kalimit të gjashtë muajve nga dita e dhënies së vendimit ndaj të miturit të marrë në shqyrtim vendimin e parë të saj.

3. Rregullat për revokimin e vendimit gjyqësor që përmban masë edukuese, parashikohen në dispozitat vijuese të këtij Kodi dhe në Kodin e Procedurës Penale.

                                                                                                                                                                 Neni 101           

Caktimi i masave edukuese

1. Në caktimin e masës edukuese ndaj të miturit gjykata mban parasysh rrethanat e kryerjes së krimit, personalitetin e të miturit, nevojat që lidhen me moshën, edukimin, arsimimin, kushtet personale, familjare, sociale dhe mjedisore, nevojat zhvillimore, si dhe nevoja të tjera të të miturit përfshirë, nëse është rasti, edhe nevojat e veçanta.

2. Gjykata respekton për sa është e arsyeshme radhën e masave edukuese, duke mbështetur parimin që, nuk mund të caktohet masa më e rëndë edukuese, nëse qëllimi mund të realizohet përmes një mase më të butë edukuese ndaj të miturit.

3. Në çdo lëndë dhe procedurë që ndiqet ndaj të miturit për caktimin e masave edukuese zbatohen për sa nuk bien në kundërshtim dhe, është e mundur parimet, garancitë dhe parashikimet e Kodit të Drejtësisë Penale për të Miturin, si dhe të ligjit në fuqi për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës.

                                                                                                                                                                 Neni 102           

Këshillimi i të miturit

1. Këshillimi gjyqësor caktohet ndaj të miturit kur nevojat edukativo-korrigjuese të tij përmbushen përmes zbatimit të një mase edukuese të tillë afatshkurtër edhe ngaqë, krimi është kryer nga pamaturia apo pakujdesia.

2. Këshillimi konsiston në informimin dhe shpjegimin që i bëhet të miturit në seancë gjyqësore për rrezikshmërinë e veprimeve të tij, të pasojave negative që shkaktojnë për viktimën dhe komunitetin, rëndësinë e respektimit të rregullave shkelja e të cilave përbën krim dhe, informimin rreth pasojave të shkeljes së tyre për të ardhmen e tij, të drejtave të viktimës dhe interesit publik të cenuar.

3. Gjykata cakton masën edukuese të këshillimit gjyqësor kur kjo masë konsiderohet e mjaftueshme dhe në interesin më të lartë të të miturit për të ndikuar pozitivisht dhe korrigjuar sjelljen e tij. Ai informohet se ka kryer një vepër të dëmshme dhe të rrezikshme e cila përbën krim, i bëhet me dije se nëse kryen përsëri të njëjtën vepër, apo tjetër, Gjykata do të caktojë ndaj tij një masë edukuese më të rëndë.

4. Këshillimi shoqërohet me detyrimin e të miturit për të vijuar rregullisht procesin edukativ-arsimor në institucionin përkatës arsimor.

5. Gjykata ngarkon Njësinë për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijës ose shërbimet sociale dhe/ose psikologjike të hartojnë një plan lidhur me mënyrën e zbatimit dhe monitorimit të këshillimit të të miturit, si dhe matjen e efekteve të tij hap pas hapi.

                                                                                                                                                                  Neni 103           

Mbikëqyrja e veçantë e të miturit nga ana e prindit, prindit birësues ose kujdestarit

1. Masat edukuese të mbikëqyrjes së veçantë të të miturit nga ana e prindit, prindit birësues ose kujdestarit dhe të mbikëqyrjes së të miturit në përkujdesje alternative, caktohen ndaj të miturit kur nevojat edukativo/korrigjuese të tij përmbushen përmes zbatimit të tyre, për një periudhë nga tre muaj deri në dy vjet, nuk kërkojnë izolimin nga mjedisi i tij i mëparshëm familjar-social dhe, i garantojnë të miturit trajtimin shoqëror të nevojshëm.

2. Mbikëqyrja e veçantë e të miturit konsiston në lejimin e qëndrimit të të miturit pranë familjes, me kusht që të mbikëqyret nga afër në një apo më shumë nga veprimtaritë e mëposhtme:

a) vijimi i procesit edukativo-arsimor në institucionin përkatës arsimor në mënyrë të rregullt;

b) pjesëmarrja në veprimtari të shërbimeve parashoqërore;

c) ndjekja e një trajtimi mjekësor apo këshillimi psikologjik;

ç) ndalimi për të shkuar apo frekuentuar vende dhe persona të caktuar.

3. Gjykata cakton këtë lloj mase edukuese ndaj të miturit edhe kur prindi, prindi birësues apo kujdestari, që janë treguar të pakujdesshëm në ushtrimin e mbikëqyrjes prindërore, janë plotësisht të aftë dhe të gatshëm për të realizuar mbikëqyrjen e të miturit dhe, kur ajo është masa më e përshtatshme ne interesin më të lartë të të miturit për të siguruar korrigjimin dhe edukimin e tij.

4. I mituri informohet se ai ka kryer një vepër të dëmshme dhe të rrezikshme e cila përbën krim, i bëhet me dije se nëse kryen përsëri vepër penale, gjykata do të caktojë ndaj tij një masë edukuese më të rëndë.

5. Masa edukuese monitorohet dhe përmban udhëzimet e nevojshme për të miturin dhe prindin si dhe urdhërimet për përmbushjen e detyrave të caktuara që janë pjesë e masës edukuese me qëllim garantimin e përkujdesjes, edukimit dhe mbikëqyrjes së të miturit në vijimësi.

6. Gjykata ngarkon Njësinë për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijës ose shërbimet sociale dhe/ose psikologjike që të hartojnë një plan lidhur me mënyrën e zbatimit dhe monitorimit të mbikëqyrjes së veçantë të të miturit, t’i ofrojnë ndihmën e nevojshme prindit, prindit birësues ose kujdestarit si dhe për matjen e efekteve të tij hap pas hapi.

                                                                                                                                                                  Neni 104           

Mbikëqyrja e të miturit në përkujdesje alternative

1. Mbikëqyrja e të miturit në përkujdesje alternative konsiston në zhvendosjen/transferimin e të miturit nga familja e tij tek i afërmi, pranë një familje tjetër e afërt kujdestare që përkujdeset për të apo edhe një institucioni të përkujdesjes sipas dispozitave të zbatueshme të Kodit të Familjes, nëse prindi, prindi birësues ose kujdestari është i paaftë për kryerjen e mbikëqyrjes së veçantë ndaj të miturit dhe shprehet se, është në pamundësi të ushtrimit të përgjegjësisë prindërore apo mbikëqyrur e korrigjuar sjelljen dhe edukimin e tij dhe, kur masa e tillë është në interesin më të lartë të të miturit. Masat e shënura në paragrafin e dytë të nenit 109, vlejnë edhe për këtë mbikëqyrje.

2. Gjykata e cakton masën edukuese ndaj të miturit vetëm me propozim të strukturave të mbrojtjes së fëmijës ose propozim të prindit, prindit birësues apo kujdestarit, në rast se është e pamundur që fëmija të lihet pranë familjes së tij ose kur fëmija përbën rrezik për veten dhe pas dëgjimit të prindit, prindit birësues ose kujdestarit për paaftësinë e pamundësinë e tij në ushtrimin e mbikëqyrjes së veçantë për edukimin e të miturit. Në këtë rast merret detyrimisht vlerësimi paraprak i sektorit të ndihmës dhe shërbimeve sociale, sipas dispozitave për kujdestarinë.

3. Masa edukuese monitorohet dhe përmban udhëzimet e nevojshme për të miturin, të afërmin/familjen kujdestare dhe urdhërimet për përmbushjen e detyrave të caktuara që janë pjesë e masës edukuese me qëllim garantimin e përkujdesjes, edukimit dhe mbikëqyrjes së të miturit në vijimësi.

4. Kohëzgjatja e masës edukuese përcaktohet nga nevojat e të miturit dhe, efektet e saj përfundojnë edhe para përfundimit të afatit të zbatimit të saj, kur prindi, prindi birësues apo kujdestari i të miturit shpreh gatishmërinë dhe është i aftë e në gjendje të ushtrojë mbikëqyrjen e veçantë ndaj të miturit apo kur, sipas rezultateve të monitoruara nga ekzekutimi i kësaj mase, del qartë se nuk ekziston më nevoja për mbikëqyrje të veçantë të të miturit ngaqë ai është korrigjuar.

5. Gjykata për zbatimin e masës edukuese, ngarkon Njësinë për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijës që të hartojë një plan lidhur me mënyrën e zbatimit dhe monitorimit të mbikëqyrjes së veçantë të të miturit nga i afërmi, familja tjetër e afërt, apo institucioni i përkujdesjes, t’i ofrojë ndihmën e nevojshme si dhe për matjen e efekteve të tij hap pas hapi.

 

Ora 18:39
Drafti i Kodit të Ri Penal/ Deri në 16 vite burg për bashkëjetesë me të mitur, deri 10 vite burg edhe prindërit që e lejojnë apo e nxisin

Drafti i Kodit të ri Penal, aktualisht në fazën e konsultimit publik, parashikon ndëshkime të ashpra për të gjithë ata që bashkëjetojnë me të mitur. Neni 745 i draftit e cilëson bashkëjetesën me të mitur për qëllime të ngjashme me martesën si vepër penale dhe parashikon dënime të ndryshme, në varësi të moshës së të miturve.

Sipas nenit, bashkëjetesa e një personi madhor me një të mitur nga mosha 14 deri nën 16 vjeç, dënohet me burgim nga 4 deri në 8 vjet. Nëse bashkëjetesa ndodh me një të mitur 16 deri në 18 vjeç, dënimi është nga 2 deri në 5 vjet.

Për rastet më të rënda, kur bashkëjetesa ndodh me një të mitur nën moshën 14 vjeç, dënimi shkon nga 8 deri në 16 vjet burg. Ndërkohë, kur bashkëjetesa me të miturin kryhet me qëllim përfitimi pasuror, dënimi në secilin rast rritet me deri në 50%.

Drafti parashikon edhe dënime për prindërit apo kujdestarin në rast se ata udhëzojnë, lejojnë, këshillojnë, ose e shtyjnë të miturin e moshës 14 deri 18 vjeç që të bashkëjetojë me personin madhor. Ata rrezikojnë dënim me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet.

Neni 745

Bashkëjetesa me të miturin nën moshën 18 vjeç

1. Bashkëjetesa e një personi madhor me një të mitur të moshës 14 deri nën 16 vjeç, kur bëhet për qëllime të njëjta me ato të martesës apo marrëdhënies së ngjashme me të, dënohet me burgim nga katër deri në tetë vjet.

2. Nëse bashkëjetesa kryhet me një të mitur të moshës 16 deri në 18 vjeç, dënohet me burgim nga dy deri në pesë vjet.

3. Prindi, prindi adoptues, kujdestari apo ndonjë person tjetër që ushtron autoritet prindëror, që e udhëzon, lejon, këshillon, ose e shtyn të miturin e moshës 14 deri 18 vjeç që të bashkëjetojë me personin madhor, sipas paragrafit të parë e të dytë të këtij neni, dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet.

4. Kur vepra penale e parashikuar nga paragrafët një, dy ose tre të këtij neni kryhet ndaj personit nën moshën 14 vjeç, dënohet nga tetë deri në gjashtëmbëdhjetë vjet burgim.

5. Kur vepra penale e parashikuar nga paragrafët e këtij neni kryhet me qëllim të përfitimit pasuror, dënimi i parashikuar në secilin paragraf shtohet deri në një të dytën.

Ora 18:37
Drafti i Kodit të ri/ Të gjithë të dënuarit përjetë mund të kërkojnë liri me kusht pas 35 vitesh

Ministria e Drejtësia ka publikuar draftin për Kodin e ri Penal, ku janë parashikuar një sërë ndryshimesh ligjore.

Një ndër nenet që ka pësuar ndryshimet, është edhe ai 181 në draftin e Kodit të ri, që ka të bëjë me lirimin me kusht të të dënuarve me burgim të përjetshëm.

Sipas diskutimeve për Kodin e ri Penal, të dënuarit me burgim të përjetshëm, mund të kërkojnë që të gjithë lirim me kusht pasi të kenë shlyer jo më pak se 35 vite burgim.

“Lirimi me kusht i të dënuarit me burgim të përjetshëm mund të lejohet, pasi ka shlyer jo më pak se tridhjetë e pesë vjet burgim deri në ditën e bërjes së kërkesës dhe, vetëm nëse gjatë shlyerjes së dënimit ka dhënë prova pjesëmarrjeje në programin e trajtimit, ka shfaqur një pendim të sigurt në bazë të sjelljes në tërësi, vullnetit të tij për t’u integruar në shoqëri, që rezulton nga interesi për vlerat etike dhe shoqërore, prova të mirësisë dhe solidaritetit, në qëndrimin e mbajtur për viktimën e veprës së kryer prej tij, zëvendësimin e dëmeve që u ka shkaktuar atyre, ndërprerjes së kontakteve me botën e krimit, dhe synimit për të fshirë pasojat e dëmshme të veprës penale, jo thjesht ekonomike, por edhe sociale, psikologjike apo të rendit publik. Kërkesa për lirimin para kohe me kusht paraqitet personalisht nga i dënuari. Ajo i drejtohet gjykatës së vendit ku i dënuari po shlyen dënimin”, thuhet në draftin e Kodit të ri Penal.

Kurse në Kodin aktual Penal, ka kufizime për ata të dënuarë përjetë që kërkojnë lirim me kusht.

"Neni 65

(Ndryshuar paragrafi i parë dhe i dytë me ligjin nr. 10 023, datë 27.11.2008; ndryshuar fjalë në paragrafin e dytë dhe shtuar paragrafi i tretë me ligjin nr. 36/2017, datë 30.3.2017) 1. Nuk lejohet lirimi me kusht për të dënuarin me burgim të përjetshëm. 2. Vetëm në raste të jashtëzakonshme i dënuari me burgim të përjetshëm mund të lirohet me kusht kur: Ka vuajtur jo më pak se tridhjetë e pesë vjet burgim dhe gjatë vuajtjes së dënimit ka mbajtur sjellje shembullore dhe çmohet se i është arritur qëllimit të dënimit për edukimin e tij. 3. Nga ky rregull, përjashtohen të dënuarit për veprat penale të parashikuara në nenet 78/a, 79/a, 79/b, 79/c dhe paragrafi i tretë i nenit 100".

Në ndryshim me Kodin aktual Penal, Neni 65, pika 3, specifikon se nga kërkesa për lirim me kusht, përjashtohen ata të dënuar përjetë që kanë kryer vepra të rënda penale që kanë të bëjnë me vrasje për gjakmarrje, vrasje e funksionarëve publikë, vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit, vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare dhe marrëdhënie seksuale ose homoseksuale më të mitur.

Pra, në draftin e Kodit të ri Penal, të drejtën për të kërkuar lirim me kusht e kanë të gjithë të dënuarit me burgim të përjetshëm, kur kanë kryer jo më pak se 35 vite burgim.

 

Ora 18:24
Drafti i Kodit të ri penal/ Burg për bigaminë, dënime deri në 4 vjet për martesë të dyfishtë

Me Kodin e ri Penal lidhja e më shumë se një martese në të njëjtën kohë do të konsiderohet vepër penale dhe do të ndëshkohet me burgim deri në 3 vjet, sipas nenit 742 të draftit që është hedhur për konsultim publik.

Në pikën 1 të nenit theksohet se bigamia, pra lidhja e dy ose më shumë martesave njëkohësisht, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet. Ndërsa në rast se personi vazhdon të jetojë në bigami edhe pas një dënimi penal të mëparshëm, atëherë dënimi ashpërsohet dhe parashikohet burgim nga 6 muaj deri në 4 vjet.

Neni 742

Bigamia

1. Lidhja e dy ose më shumë martesash në të njëjtën kohë dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.

2. Nëse bigamia vazhdon pas dënimit të parë, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në katër vjet.

3. Ky nen gjen zbatim edhe kur fakti është konsumuar jashtë territorit nga një shtetas shqiptar ose nga një i huaj me banim në Shqipëri ose në dëm të një shtetasi shqiptar ose të një të huaji me banim në Shqipëri, në vende apo shtetas të vendeve që e lejojnë bigaminë.

Pjesë nga drafti
Ora 18:08
Drafti i Kodit të ri Penal/ Ulet dënimi për prishjen e qetësisë publike, por penalizim më i ashpër për organizatorët

Me Kodin e ri Penal do të lehtësohet dënimi për të gjithë ata persona që prishin qetësinë publike. Drafti i hedhur për konsultim publik, parashikon që personat që prishin qetësinë publike dënohem me gjobë ose me burgim deri në 3 muaj. Me Kodin aktual, personat që prishin qetësinë publike dënohen me gjobë ose deri në 2 vite burg.

Por, sipas pikës 2 të nenit 406 në Kodin e ri Penal, nëse prishja e qetësisë publike kryhet nga persona që kanë marrë leje zyrtare për të organizuar aktivitete që mund të gjenerojnë zhurma – si koncerte, festa apo evente të tjera – por i tejkalojnë kushtet e vendosura në leje, atëherë dënimi ndaj tyre do të jetë më i ashpër. Sipas Kodit të ri penal, dënimi i parashikuar për këtë vepër penale nëse kryhet nga organizatorët shtohet me një të dytën e tij.

Neni 406

Prishja e qetësisë publike

1. Krijimi i zhurmave shqetësuese, si: muzika me zë të lartë përtej normës së lejuar në aktet dhe ligjet e posaçme, përdorimi jashtë rregullave i sinjaleve akustike, si dhe çdo lloj tjetër zhurme që vjen nga sjellje të papëlqyeshme apo nga kafshët, kur kryhen në rrugë, sheshe, qendra banimi, punë apo vende publike, që cenojnë dukshëm qetësinë e gëzimit të jetës dhe pronës apo mospërfillin haptazi rregullat e mjedisit urban dhe respektin për të, përbëjnë kundërvajtje penale dhe dënohen me gjobë ose me burgim deri në tre muaj.

2. Kur kundërvajtja penale sipas paragrafit të parë, kryhet nga personat që mbajnë leje të organizojnë rastet që mund të prodhojnë zhurma, në tejkalim të kushteve të saj, siguruar nëpërmjet nëpunësve publikë, dënimi penal shtohet me një të dytën e tij.

Drafti i Kodit të Ri Penal, neni 406 Prishja e qetësisë publike
V.GJ /ReportTv.al
Komento

Komente

  • Xhimi Lazri: 26/07/2025 06:39

    Shume mire keni bere. Te denohen bashkejetesat me te miturat edhe te miturit. Edhe midis dy te miturve keni harruar, kur njeri eshte pak nen 18 dhe tjetri pak mbi 14. Brenda sekseve gjithashtu ose jo. Komentarin e neneve ta bej Profesori i nderuar Skender Kacupi plus Dorina Hoxha. Referojuni komentareve amerikane ligjore pasi jane shume te pasur.

    Përgjigju
  • Iris: 26/07/2025 04:21

    Keta pykat e drejtesise qe te hyjne ne BE bejne cdo gje qe u thote GJ.D.NJ.E,u thote hidhuni dhe keta idiote hidhen me gjithe mend.Na kujtojne kohen e miqesise shqiptaro-kineze qe ishte dhe koha e revolucionit kulturor kinez.Idiotet tane me ne krye Xhaxhin,imitonin cdo gje qe ndodhte ne Kine,pasojat-denimi i FEST.73 dhe i cdo gjeje moderne e perendimore dhe kinezerimi i ushtrise e gjithe jetes se vendit.Dhe sot vdesin per te kenaqur e imituar GJ.D.NJ dhe propozojne heqjen e burgimit perjete!Popull shqiptar,mos e pranoni nje gje te tille!Dhe e dini pse?-Sepse nuk jemi as popull qe falim,as popull qe na pelqen te ndjekim urdhera e zbatojme ligjet ne pergjithesi dhe jemi popull qe as mesojme nga gabimet,as pendohemi,jemi dhe te pabese.

    Përgjigju
  • Kalispera: 25/07/2025 23:36

    Bigamia burg homot parade krenarie.

    Përgjigju
  • Netnetnet: 25/07/2025 18:58

    Pse jo kush i kalon 20 vitet ndëshkim të shkojë në litar???!

    Përgjigju
  • Artil: 25/07/2025 18:39

    Pacavure

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Lirim me kusht pas 35 vitesh për të dënuarit përjetë, si e vlerësoni?