Me Kodin e ri Penal do të lehtësohet dënimi për të gjithë ata persona që prishin qetësinë publike. Drafti i hedhur për konsultim publik, parashikon që personat që prishin qetësinë publike dënohem me gjobë ose me burgim deri në 3 muaj. Me Kodin aktual, personat që prishin qetësinë publike dënohen me gjobë ose deri në 2 vite burg.
Por, sipas pikës 2 të nenit 406 në Kodin e ri Penal, nëse prishja e qetësisë publike kryhet nga persona që kanë marrë leje zyrtare për të organizuar aktivitete që mund të gjenerojnë zhurma – si koncerte, festa apo evente të tjera – por i tejkalojnë kushtet e vendosura në leje, atëherë dënimi ndaj tyre do të jetë më i ashpër. Sipas Kodit të ri penal, dënimi i parashikuar për këtë vepër penale nëse kryhet nga organizatorët shtohet me një të dytën e tij.
Neni 406
Prishja e qetësisë publike
1. Krijimi i zhurmave shqetësuese, si: muzika me zë të lartë përtej normës së lejuar në aktet dhe ligjet e posaçme, përdorimi jashtë rregullave i sinjaleve akustike, si dhe çdo lloj tjetër zhurme që vjen nga sjellje të papëlqyeshme apo nga kafshët, kur kryhen në rrugë, sheshe, qendra banimi, punë apo vende publike, që cenojnë dukshëm qetësinë e gëzimit të jetës dhe pronës apo mospërfillin haptazi rregullat e mjedisit urban dhe respektin për të, përbëjnë kundërvajtje penale dhe dënohen me gjobë ose me burgim deri në tre muaj.
2. Kur kundërvajtja penale sipas paragrafit të parë, kryhet nga personat që mbajnë leje të organizojnë rastet që mund të prodhojnë zhurma, në tejkalim të kushteve të saj, siguruar nëpërmjet nëpunësve publikë, dënimi penal shtohet me një të dytën e tij.
Drafti i Kodit të Ri Penal, neni 406 Prishja e qetësisë publike
Lajmi kryesor:
Ja drafti i plotë i Kodit të ri Penal/ S’ka më kufizime, të gjithë të dënuarit përjetë mund të kërkojnë liri me kusht pas 35 vitesh
SI.E./ReportTv.al