Në draftin e Kodit të ri Penal të hedhur në konsultim publik, një seksion i rëndësishëm është ai për “Masat edukuese ndaj të miturit”.
Sipas nenit 105, masat edukuese të miturit e grupmoshës 12-14 vjeç. Masat edukuese synojnë të trajtojnë dhe përfshijnë këto kategori të miturish në programe konkrete për korrigjimin, risocializimin, rehabilitimin dhe parandalimin e veprimtarisë së mëtejshme kriminale, duke i ofruar të miturit vëmendje, kujdes, ndihmë dhe mbikëqyrje si dhe, duke siguruar edukim, aftësim profesional, zhvilluar ndjenjën e përgjegjësisë së tij personale dhe përfshirjen e ardhshme të tij në një rol sa më të dobishëm në shoqëri.
Në nenin 109, masat edukuese ndaj fëmijëve specifikojnë edhe mbikëqyrjen nga ana e prindit, prindit birësues apo kujdestarit.
Gjykata cakton masa edukuesve ndaj fëmijëve kur prindi/prindërit janë plotësisht të aftë dhe të gatshëm për të realizuar mbikëqyrjen e të miturit.
Masat edukuese dhe qëllimi i tyre
1. Masat edukuese synojnë që të sigurojnë/garantojnë zhvillimin fizik, mendor, shpirtëror, moral dhe shoqëror të të miturit të grupmoshës 12-14 vjeç nën moshën për përgjegjësi penale, që ka kryer krim, të të miturit që ka përgjegjësi penale dhe përjashtohet nga dënimi, apo të të miturit që përbën rrezik për veten dhe të tjerët. Ato synojnë të trajtojnë dhe përfshijnë këto kategori të miturish në programe konkrete për korrigjimin, risocializimin, rehabilitimin dhe parandalimin e veprimtarisë së mëtejshme kriminale, duke i ofruar të miturit vëmendje, kujdes, ndihmë dhe mbikëqyrje si dhe, duke siguruar edukim, aftësim profesional, zhvilluar ndjenjën e përgjegjësisë së tij personale dhe përfshirjen e ardhshme të tij në një rol sa më të dobishëm në shoqëri.
2. Gjykata gjatë shqyrtimit të kërkesës për caktim mase edukuese ndaj të miturit vlerëson raportet e strukturave të posaçme të njohura me ligj apo rekomandon për ndërhyrjet që shërbimet e tyre duhet të kryejnë për riintegrimin e miturit, duke vlerësuar:
a) kushtet, të cilat lehtësuan përfshirjen e fëmijës në krim;
b) nivelin e rrezikshmërisë shoqërore dhe veprën e kryer;
c) mjedisin, në të cilin është rritur dhe ka jetuar fëmija;
ç) rrezikun apo mundësinë që fëmija të kryejë një vepër tjetër penale;
d) çdo faktor tjetër, i cili mund të ndihmojë për të kuptuar dhe vlerësuar situatën e fëmijës.
Neni 100
Llojet e masave edukuese
1. Llojet e masave edukuese që mund të caktohen nga gjykata ndaj të miturve janë:
a) këshillimi i të miturit;
b) mbikëqyrja e veçantë e të miturit nga ana e prindit, prindit birësues ose kujdestarit;
c) mbikëqyrja e të miturit në përkujdesje alternative;
ç) vendosja e të miturit në një institucion të përkujdesjes edukativo–korrigjuese.
2. Vendimi gjyqësor për masat edukuese është i revokueshëm në çdo kohë kur ndryshojnë apo zhduken rrethanat për të cilat ai është dhënë. Në çdo rast, gjykata është e detyruar që pas kalimit të gjashtë muajve nga dita e dhënies së vendimit ndaj të miturit të marrë në shqyrtim vendimin e parë të saj.
3. Rregullat për revokimin e vendimit gjyqësor që përmban masë edukuese, parashikohen në dispozitat vijuese të këtij Kodi dhe në Kodin e Procedurës Penale.
Neni 101
Caktimi i masave edukuese
1. Në caktimin e masës edukuese ndaj të miturit gjykata mban parasysh rrethanat e kryerjes së krimit, personalitetin e të miturit, nevojat që lidhen me moshën, edukimin, arsimimin, kushtet personale, familjare, sociale dhe mjedisore, nevojat zhvillimore, si dhe nevoja të tjera të të miturit përfshirë, nëse është rasti, edhe nevojat e veçanta.
2. Gjykata respekton për sa është e arsyeshme radhën e masave edukuese, duke mbështetur parimin që, nuk mund të caktohet masa më e rëndë edukuese, nëse qëllimi mund të realizohet përmes një mase më të butë edukuese ndaj të miturit.
3. Në çdo lëndë dhe procedurë që ndiqet ndaj të miturit për caktimin e masave edukuese zbatohen për sa nuk bien në kundërshtim dhe, është e mundur parimet, garancitë dhe parashikimet e Kodit të Drejtësisë Penale për të Miturin, si dhe të ligjit në fuqi për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës.
Neni 102
Këshillimi i të miturit
1. Këshillimi gjyqësor caktohet ndaj të miturit kur nevojat edukativo-korrigjuese të tij përmbushen përmes zbatimit të një mase edukuese të tillë afatshkurtër edhe ngaqë, krimi është kryer nga pamaturia apo pakujdesia.
2. Këshillimi konsiston në informimin dhe shpjegimin që i bëhet të miturit në seancë gjyqësore për rrezikshmërinë e veprimeve të tij, të pasojave negative që shkaktojnë për viktimën dhe komunitetin, rëndësinë e respektimit të rregullave shkelja e të cilave përbën krim dhe, informimin rreth pasojave të shkeljes së tyre për të ardhmen e tij, të drejtave të viktimës dhe interesit publik të cenuar.
3. Gjykata cakton masën edukuese të këshillimit gjyqësor kur kjo masë konsiderohet e mjaftueshme dhe në interesin më të lartë të të miturit për të ndikuar pozitivisht dhe korrigjuar sjelljen e tij. Ai informohet se ka kryer një vepër të dëmshme dhe të rrezikshme e cila përbën krim, i bëhet me dije se nëse kryen përsëri të njëjtën vepër, apo tjetër, Gjykata do të caktojë ndaj tij një masë edukuese më të rëndë.
4. Këshillimi shoqërohet me detyrimin e të miturit për të vijuar rregullisht procesin edukativ-arsimor në institucionin përkatës arsimor.
5. Gjykata ngarkon Njësinë për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijës ose shërbimet sociale dhe/ose psikologjike të hartojnë një plan lidhur me mënyrën e zbatimit dhe monitorimit të këshillimit të të miturit, si dhe matjen e efekteve të tij hap pas hapi.
Neni 103
Mbikëqyrja e veçantë e të miturit nga ana e prindit, prindit birësues ose kujdestarit
1. Masat edukuese të mbikëqyrjes së veçantë të të miturit nga ana e prindit, prindit birësues ose kujdestarit dhe të mbikëqyrjes së të miturit në përkujdesje alternative, caktohen ndaj të miturit kur nevojat edukativo/korrigjuese të tij përmbushen përmes zbatimit të tyre, për një periudhë nga tre muaj deri në dy vjet, nuk kërkojnë izolimin nga mjedisi i tij i mëparshëm familjar-social dhe, i garantojnë të miturit trajtimin shoqëror të nevojshëm.
2. Mbikëqyrja e veçantë e të miturit konsiston në lejimin e qëndrimit të të miturit pranë familjes, me kusht që të mbikëqyret nga afër në një apo më shumë nga veprimtaritë e mëposhtme:
a) vijimi i procesit edukativo-arsimor në institucionin përkatës arsimor në mënyrë të rregullt;
b) pjesëmarrja në veprimtari të shërbimeve parashoqërore;
c) ndjekja e një trajtimi mjekësor apo këshillimi psikologjik;
ç) ndalimi për të shkuar apo frekuentuar vende dhe persona të caktuar.
3. Gjykata cakton këtë lloj mase edukuese ndaj të miturit edhe kur prindi, prindi birësues apo kujdestari, që janë treguar të pakujdesshëm në ushtrimin e mbikëqyrjes prindërore, janë plotësisht të aftë dhe të gatshëm për të realizuar mbikëqyrjen e të miturit dhe, kur ajo është masa më e përshtatshme ne interesin më të lartë të të miturit për të siguruar korrigjimin dhe edukimin e tij.
4. I mituri informohet se ai ka kryer një vepër të dëmshme dhe të rrezikshme e cila përbën krim, i bëhet me dije se nëse kryen përsëri vepër penale, gjykata do të caktojë ndaj tij një masë edukuese më të rëndë.
5. Masa edukuese monitorohet dhe përmban udhëzimet e nevojshme për të miturin dhe prindin si dhe urdhërimet për përmbushjen e detyrave të caktuara që janë pjesë e masës edukuese me qëllim garantimin e përkujdesjes, edukimit dhe mbikëqyrjes së të miturit në vijimësi.
6. Gjykata ngarkon Njësinë për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijës ose shërbimet sociale dhe/ose psikologjike që të hartojnë një plan lidhur me mënyrën e zbatimit dhe monitorimit të mbikëqyrjes së veçantë të të miturit, t’i ofrojnë ndihmën e nevojshme prindit, prindit birësues ose kujdestarit si dhe për matjen e efekteve të tij hap pas hapi.
Neni 104
Mbikëqyrja e të miturit në përkujdesje alternative
1. Mbikëqyrja e të miturit në përkujdesje alternative konsiston në zhvendosjen/transferimin e të miturit nga familja e tij tek i afërmi, pranë një familje tjetër e afërt kujdestare që përkujdeset për të apo edhe një institucioni të përkujdesjes sipas dispozitave të zbatueshme të Kodit të Familjes, nëse prindi, prindi birësues ose kujdestari është i paaftë për kryerjen e mbikëqyrjes së veçantë ndaj të miturit dhe shprehet se, është në pamundësi të ushtrimit të përgjegjësisë prindërore apo mbikëqyrur e korrigjuar sjelljen dhe edukimin e tij dhe, kur masa e tillë është në interesin më të lartë të të miturit. Masat e shënura në paragrafin e dytë të nenit 109, vlejnë edhe për këtë mbikëqyrje.
2. Gjykata e cakton masën edukuese ndaj të miturit vetëm me propozim të strukturave të mbrojtjes së fëmijës ose propozim të prindit, prindit birësues apo kujdestarit, në rast se është e pamundur që fëmija të lihet pranë familjes së tij ose kur fëmija përbën rrezik për veten dhe pas dëgjimit të prindit, prindit birësues ose kujdestarit për paaftësinë e pamundësinë e tij në ushtrimin e mbikëqyrjes së veçantë për edukimin e të miturit. Në këtë rast merret detyrimisht vlerësimi paraprak i sektorit të ndihmës dhe shërbimeve sociale, sipas dispozitave për kujdestarinë.
3. Masa edukuese monitorohet dhe përmban udhëzimet e nevojshme për të miturin, të afërmin/familjen kujdestare dhe urdhërimet për përmbushjen e detyrave të caktuara që janë pjesë e masës edukuese me qëllim garantimin e përkujdesjes, edukimit dhe mbikëqyrjes së të miturit në vijimësi.
4. Kohëzgjatja e masës edukuese përcaktohet nga nevojat e të miturit dhe, efektet e saj përfundojnë edhe para përfundimit të afatit të zbatimit të saj, kur prindi, prindi birësues apo kujdestari i të miturit shpreh gatishmërinë dhe është i aftë e në gjendje të ushtrojë mbikëqyrjen e veçantë ndaj të miturit apo kur, sipas rezultateve të monitoruara nga ekzekutimi i kësaj mase, del qartë se nuk ekziston më nevoja për mbikëqyrje të veçantë të të miturit ngaqë ai është korrigjuar.
5. Gjykata për zbatimin e masës edukuese, ngarkon Njësinë për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijës që të hartojë një plan lidhur me mënyrën e zbatimit dhe monitorimit të mbikëqyrjes së veçantë të të miturit nga i afërmi, familja tjetër e afërt, apo institucioni i përkujdesjes, t’i ofrojë ndihmën e nevojshme si dhe për matjen e efekteve të tij hap pas hapi.
Lajmi kryesor:
Ja drafti i plotë i Kodit të ri Penal/ S’ka më kufizime, të gjithë të dënuarit përjetë mund të kërkojnë liri me kusht pas 35 vitesh
V.GJ /ReportTv.al
