Ministria e Drejtësia ka publikuar draftin për Kodin e ri Penal, ku janë parashikuar një sërë ndryshimesh ligjore.
Një ndër nenet që ka pësuar ndryshimet, është edhe ai 181 në draftin e Kodit të ri, që ka të bëjë me lirimin me kusht të të dënuarve me burgim të përjetshëm.
Sipas diskutimeve për Kodin e ri Penal, të dënuarit me burgim të përjetshëm, mund të kërkojnë që të gjithë lirim me kusht pasi të kenë shlyer jo më pak se 35 vite burgim.
“Lirimi me kusht i të dënuarit me burgim të përjetshëm mund të lejohet, pasi ka shlyer jo më pak se tridhjetë e pesë vjet burgim deri në ditën e bërjes së kërkesës dhe, vetëm nëse gjatë shlyerjes së dënimit ka dhënë prova pjesëmarrjeje në programin e trajtimit, ka shfaqur një pendim të sigurt në bazë të sjelljes në tërësi, vullnetit të tij për t’u integruar në shoqëri, që rezulton nga interesi për vlerat etike dhe shoqërore, prova të mirësisë dhe solidaritetit, në qëndrimin e mbajtur për viktimën e veprës së kryer prej tij, zëvendësimin e dëmeve që u ka shkaktuar atyre, ndërprerjes së kontakteve me botën e krimit, dhe synimit për të fshirë pasojat e dëmshme të veprës penale, jo thjesht ekonomike, por edhe sociale, psikologjike apo të rendit publik. Kërkesa për lirimin para kohe me kusht paraqitet personalisht nga i dënuari. Ajo i drejtohet gjykatës së vendit ku i dënuari po shlyen dënimin”, thuhet në draftin e Kodit të ri Penal.
Kurse në Kodin aktual Penal, ka kufizime për ata të dënuarë përjetë që kërkojnë lirim me kusht.
"Neni 65
(Ndryshuar paragrafi i parë dhe i dytë me ligjin nr. 10 023, datë 27.11.2008; ndryshuar fjalë në paragrafin e dytë dhe shtuar paragrafi i tretë me ligjin nr. 36/2017, datë 30.3.2017) 1. Nuk lejohet lirimi me kusht për të dënuarin me burgim të përjetshëm. 2. Vetëm në raste të jashtëzakonshme i dënuari me burgim të përjetshëm mund të lirohet me kusht kur: Ka vuajtur jo më pak se tridhjetë e pesë vjet burgim dhe gjatë vuajtjes së dënimit ka mbajtur sjellje shembullore dhe çmohet se i është arritur qëllimit të dënimit për edukimin e tij. 3. Nga ky rregull, përjashtohen të dënuarit për veprat penale të parashikuara në nenet 78/a, 79/a, 79/b, 79/c dhe paragrafi i tretë i nenit 100".
Në ndryshim me Kodin aktual Penal, Neni 65, pika 3, specifikon se nga kërkesa për lirim me kusht, përjashtohen ata të dënuar përjetë që kanë kryer vepra të rënda penale që kanë të bëjnë me vrasje për gjakmarrje, vrasje e funksionarëve publikë, vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit, vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare dhe marrëdhënie seksuale ose homoseksuale më të mitur.
Pra, në draftin e Kodit të ri Penal, të drejtën për të kërkuar lirim me kusht e kanë të gjithë të dënuarit me burgim të përjetshëm, kur kanë kryer jo më pak se 35 vite burgim.
Lajmi kryesor:
Ja drafti i plotë i Kodit të ri Penal/ S’ka më kufizime, të gjithë të dënuarit përjetë mund të kërkojnë liri me kusht pas 35 vitesh
V.GJ /ReportTv.al