Kryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila në një deklaratë për mediat, ka thënë se nuk ka pasur asnjë dijeni të draft-statutit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe të propozuar nga kryeministri i Shqipërisëe Edi Rama.
Ajo argumentoi se një draft i tillë duhet të përfundojë në Kosovë dhe jo në Gjermani e Francë, duke paralajmëruar se iniciativa të tilla pavarësisht nëse e kanë qëllimin e mirë, ekziston mundësia të shkojnë edhe keq.
“Ky dokument i shkruar nga zotëri Rama besoj përfundon atje për ku është nisur. Ai dokument nuk është për Francën, për Gjermaninë e shtetet e tjera. Ai dokument është për Kosovën, para se të shkojë atje duhet të jetë i Kosovës, me Kosovën dhe për qytetarët e Republikës së Kosovës Përtej asaj se një iniciative ndoshta me qëllim të mirë, por që mund të shkojë keq, është një thënie e vjetër që thotë se ‘rruga për në ferr është e ndërtuar me qëllime të mira’. Prandaj nuk e shoh jashtë këtij konteksti as këtë propozim”, deklaroi Kusari Lila.
Duke theksuar se marrëdhëniet me Shqipërinë janë më shumë se miqësore, Kusari Lila tha se Kosova nuk ka nevojë për një person që ofron ‘draft statut’-e.
“Ne nuk kemi nevojë për një shpëtimtar në formën e ofrimit të një drafti të statutit. Ne kemi nevojë për elaborim dhe pronësi të parimeve, të cilat do të jenë në fokus me funksionimin e shtetit, me të drejtat e komuniteteve në Kosovë, e natyrisht edhe me pronësi dhe qartësi për të ardhmen e vendit tonë”, shtoi ajo.
Lajmi kryesor:
Kurti për Asociacionin: Nuk mund të ketë tekste alternative! Nëse ka dakordësi, mund të thelloj vizionin e draftit që prezantova në 2 maj
B.V//ReportTv.al