Albin Kurti

Kurti për Asociacionin: Nuk mund të ketë tekste alternative! Nëse ka dakordësi, mund të thelloj vizionin e draftit që prezantova në 2 maj

8 Qershor 2023, 16:27| Përditesimi: 8 Qershor 2023, 16:32

  • Share

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se mund ta thellojë draft-vizionin e paraqitur nga ai për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, por së pari, sipas tij, duhet të ketë pajtueshmëri mes palëve.

Gjatë rundit të dialogut me Serbinë më 2 maj në Bruksel, Kurti kishte paraqitur një draft-vizion lidhur me çështjen e rregullimit të komunitetit serb. Pavarësisht se në këtë draft-vizion nuk përmendet Asociacioni, ai thirret në nenin 7 të Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve që Kosova dhe Serbia arritën më 27 shkurt në Bruksel. Më pas, palët më 18 mars në Ohër arritën edhe Aneksin për zbatimin e marrëveshjes.

Ky nen i marrëveshjes kërkon që palët të sigurojnë “një nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit të komunitetit serb në Kosovë”.

“Unë këtë [draft-vizionin për Asociacionin] mund të thellojë, por thellimi i kësaj nënkupton pajtueshmëri në parim. Pra, kur të pajtohemi në parim, përfshirë edhe ato shtyllat që ju i përmendën se unë i kam thënë në parim, kur të pajtohemi në parim atëherë lirisht mund të thellojmë tekstin. Por, nuk mund të shkruajmë tekste alternative ndërmjet të cilëve mund të gjendet një mesatare aritmetikore pa u pajtuar njëherë në parim”, tha Kurti gjatë seancës plenare të Kuvendit të Kosovës më 8 qershor.

Në draft-vizionin për Asociacionin të prezantuar nga Kurti, thuhet se për të arritur deri te një draft-statut për Asociacionin, ai duhet t'i plotësojë disa kushte - mes tjerash, “t’ua ofrojë pjesëtarëve të komunitetit serb në Kosovë mundësinë për të promovuar dhe mbrojtur interesat e veta përmes një kornize vetëmenaxhimi”.

Pas kësaj, sipas draft-vizionit, do të duhej të parashihej edhe mundësia për bashkëpunim me institucionet e Kosovës, si dhe të “njihen plotësisht karakteristikat kushtetuese” të Kosovës, duke respektuar pavarësinë dhe integritetin e saj territorial.

Më 2 maj, në Bruksel, Ekipi Menaxhues për hartimin e statutit të Asociacionit, kishte prezantuar një draft për këtë çështje.

Por, Qeveria e Kosovës e kishte refuzuar të njëjtin dhe më pas kishte shkarkuar Ekipin Menaxhues, të përbërë prej katër anëtarësh serbë.

“Qeveria ime nuk është pajtuar me draftin e Ekipit Menaxhues, për shkak se ai draft imitonte në përmbajtje dhe formë Republikën Serbe të Bosnje dhe Hercegovinë. Rrjedhimisht, unë kam propozuar një draft-vizion për të zbatuar nenin 7 të Marrëveshjes Bazike dhe në lidhje me nenin 10, për të cilin nuk kam pranuar së pari aprovimin e palës tjetër – e cila nuk e pranoi fare dokumentin – e më pas edhe të Brukselit zyrtar, i cili vazhdon të konsiderojë këtë çështje të hapur. Tash e tutje mund të diskutojmë në kuadër të dialogut të Brukselit, pra është një çështje e hapur nga pikëpamja e Brukselit, për zbatimin e nenit 7 të marrëveshjes sipas vizionit tim të prezantuar në Bruksel, dhe i cili prezanton shkronjën dhe frymën e Kushtetutës së Republikës sonë, konsensusin transatlantik të vlerave të demokracisë liberale”, tha Kurti para deputetëve.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015, palët kanë nënshkruar edhe Marrëveshjen për parimet për themelimin e Asociacionit.

Po ashtu, në nenin 10 të Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve thuhet se Kosova dhe Serbia zotohen që të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në procesin e dialogut, përfshirë edhe atë për Asociacionin.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian vazhdimisht kanë kërkuar nga Kosova që të nisë zbatimin e Marrëveshjes për Asociacionin. Por, përkundër thirrjeve të vazhdueshme, Kosova vazhdimisht ka refuzuar, me arsyetimin se kompetencat e gjera të Asociacionit do ta kërcënonin funksionalitetin e brendshëm të shtetit.

Më 8 qershor, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se një ditë më parë ua ka përcjellë një draft për Asociacionin presidentit të Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz.

Rama tha se dokumenti wshtw konfidencial, por u shpreh i bindur se është "një dokument i nivelit më të lartë ndërkombëtar që merr në konsideratë të gjitha arsyet për krijimin e Asociacionit dhe që Asociacioni është pjesë e organizimit të jetës për Kosovën".

SHBA-ja ka argumentuar se ka modele të ndryshme evropiane që rregullojnë jetën e pakicave kombëtare, të cilat Kosova mund t’i përdorë si model për themelimin e Asociacionit.

Qeveria e Kosovës ka insistuar se për të krijuar një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb, do të shtyjë përpara një model kroat për pakicat kombëtare.

Uashingtoni ka thënë se nuk përkrah asnjë asociacion që do t’i ngjasonte një Republike Sërpska, por ka shtuar se themelimi i Asociacionit do të mundësonte që veriu i Kosovës, i banuar me shumicë serbe, të vendosen nën kontrollin e Kosovës. REL

Ora 20:25
Drafti i Ramës për Asociacionin, kryetarja e grupit parlamentar të VV: Duhet ta kishte sjellë në Kosovë fillimisht, jo në Gjermani e Francë

 

Kryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila në një deklaratë për mediat, ka thënë se nuk ka pasur asnjë dijeni të draft-statutit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe të propozuar nga kryeministri i Shqipërisëe Edi Rama.

Ajo argumentoi se një draft i tillë duhet të përfundojë në Kosovë dhe jo në Gjermani e Francë, duke paralajmëruar se iniciativa të tilla pavarësisht nëse e kanë qëllimin e mirë, ekziston mundësia të shkojnë edhe keq.

“Ky dokument i shkruar nga zotëri Rama besoj përfundon atje për ku është nisur. Ai dokument nuk është për Francën, për Gjermaninë e shtetet e tjera. Ai dokument është për Kosovën, para se të shkojë atje duhet të jetë i Kosovës, me Kosovën dhe për qytetarët e Republikës së Kosovës  Përtej asaj se një iniciative ndoshta me qëllim të mirë, por që mund të shkojë keq, është një thënie e vjetër që thotë se ‘rruga për në ferr është e ndërtuar me qëllime të mira’. Prandaj nuk e shoh jashtë këtij konteksti as këtë propozim”, deklaroi Kusari Lila.

Duke theksuar se marrëdhëniet me Shqipërinë janë më shumë se miqësore, Kusari Lila tha se Kosova nuk ka nevojë për një person që ofron ‘draft statut’-e.

“Ne nuk kemi nevojë për një shpëtimtar në formën e ofrimit të një drafti të statutit. Ne kemi nevojë për elaborim dhe pronësi të parimeve, të cilat do të jenë në fokus me funksionimin e shtetit, me të drejtat e komuniteteve në Kosovë, e natyrisht edhe me pronësi dhe qartësi për të ardhmen e vendit tonë”, shtoi ajo.

B.V/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Rucminifundi: 08/06/2023 21:41

    Valuta e trafiqeve nderkombetare te “miellit” dhe “barit” ne ballkan nuk duhet te perbehet nga Troje Shqiptare! Se Rama dhe Vucici, se bashku me Eskobarin, duan te vazhdojne te kontrollojne trafikun e miellit e te barit nga veriu i Kosoves, kjo nuk do te thote qe qeveria Kosovare te mjaftohet me dalje ne gazeta. Ndermerrni veprime ligjore, perfshi ketu hapjen e ceshtjeve gjyqesore ne gjykaten nderkombetare te te drejtave te njeriut per spastrim etnik, gjenocid, shk*rdhatacjon te pergjithshem politiko idiotesk dhe terrorizem, si sllav asht dhe vucicisto-ramist! Tung!

    Përgjigju
  • Vasili: 08/06/2023 21:26

    Je shume e zgjuar moj Deputete e VV.Jam i sigurte se merrni mesime nga Berisha dhe Monika jone.Jau pafshi piken e hajrit,por jeni ne rruge te gabuar.

    Përgjigju
  • Beni: 08/06/2023 21:13

    Ju dhe Kurti nuk keni nevoje per keshillat e Edi Rames,por per antiamerikanet e deklaruar si Sali Berisha e Ilir Meta.E nderuar zonje!Kosova ka mendje te ndritura qe duhen pyetur dhe kane mend e eksperience me teper se Albini dhe Ju.Kosova nuk eshte prone e vetvendosjes,por e popullit te Kosoves.Nuk eshte turp te kerkosh ndihme e opinion opozites,por edhe vllezerve nga Shqiperia.Me vjen keq qe ju pyesni e merrni mendime nga armiqt e Kosoves,qe jane kunder Amerikes,e cila e cliroj dhe po e mbron Kosoven.Ne ketu ne Shqiperi habitemi me qendrimet tuaja.Akoma nuk e njohet Berishen e Meten,si antiamerikan.Kuptojeni njehere e mire se Kosova pa Ameriken dhe Europen nuk mund te ec perpara.Tregohuni te qete e me kembe ne toke.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?