Drafti i prezantuar nga kryeministri Edi Rama sa i takon formimit të Asociacionit në komunat me shumicë serbe, ka pasur edhe kritika nga ana e politikës së Kosovës. Politikanë të Vetëvendosjes e kanë cilësuar të drejtë që Rama së pari ta prezantonte në Kosovë draftin e më pas në Gjermani e Francë.
I të njëjtit mendim ka qenë edhe deputeti i PDK, Hisen Berisha i cili në një lidhje ‘skype’ për studion e Report TV me gazetarin Arbër Hitaj tha se një draft i tillë, duhet të ishte hartuar në bashkëpunim me Kurtin dhe të prezantohej në mbledhjet e përbashkëta të qeverive, të cilat sipas tij po bëhen më së shumti për populizëm nga ana e krerëve të shtetit.
“Ajo që duhet parë njëherë, kontributi i Shqipërisë në të gjitha arritjet e Kosovës është i pazëvendësueshëm. Nuk është mirë që Rama të mos jetë i harmonizuar me Kurtin. Unë kam pritur se edhe nëse del diçka e tillë, ajo do jetë e harmonizuar, të jetë një dokument i përbashkët pa këto format e nacionalizmit populist. Përse i mbajnë ato mbledhjet e përbashkëta, për të shitur patriotizma me shqiponja?”- tha Berisha.
Duke folur për pasojat që mund të sjellë një draft i tillë i hartuar nga Shqipëria, deputeti i PDK tha se kjo mund të nxisë edhe më tej frymën nacionaliste të Serbisë.
“Ky mund të merret si një veprim i nxituar dhe i gabuar se është në frymën e nacionalizmit primitiv. Mund të krijojë hapësirë për nxitje të njëjtë tek Serbia sepse kjo është arma e gjithë lideërve serbë”- shtoi ai.
Sa i takon marrëdhënieve të Kurtit me partnerët ndërkombëtarë, deputeti u shpreh se është e dukshme krisja mes kryeministrit të Kosovës dhe SHBA-ve. Ndërsa shtoi se shkak për gjendjen ku ndodhet Kosova aktualisht janë veprimet e Kurtit të cilat ai i komentoi si ‘shfaqje të kryeneçësisë’.
“Fatkeqësia është që kemi një kryeministër i cili ka shfaqur ato vetitë e kryeneçësisë, hipokrizisë, populizmit. Nuk po arrin të kryejë detyrimet ndërkombëtare që i ka marrë. Ai është zotuar për marrëveshje, jo vetëm për atë të Brukselit në 2 maj apo të marsit në Ohër por ka bërë edhe marrëveshjen e targave. Tani bën lojën e tërheqjes nga përmbushja e detyrimeve ndërkombëtare. Me SHBA-të ka bërë një fyerje duke bërë një lojë tepër të ulët”- argumentoi Berisha.
Sipas tij zgjidhja për tensionet në veri të Kosovës është shpallja e zgjedhjeve të reja, me anë të të cilave përfaqësuesit serbë mund të rikthehen në institucione në rrugë ligjore.