Foto ilustruese

Kronikë
Top 24

Drafti/ Oficerët e Policisë Gjyqësore nuk mund të bëjnë Shkollën e Magjistraturës

22 Dhjetor 2018, 18:33| Përditesimi: 22 Dhjetor 2018, 18:45

  • Share

Kuvendi ka dërguar në Prokurorinë e Përgjithshme projektligjin e fundit për reformën në radhët e oficerëve të policisë gjyqësore. Nisma ende e pa miratuar në Kuvend i është dërguar prokurorisë për konsultim me grupet e interesit siç janë dhe oficerët e saj, të cilët përfshihen në këtë reformë. Gjatë konsultimit me këtë ligj të ri oficerët e Prokurorisë por edhe ata të Policisë, e kundërshtojnë këtë draft ligjor, pasi nuk e ndjejnë veten si pjesë e sistemit të drejtësisë.

Kjo pasi siç thonë disa prej tyre në kushtet e anonimatit, ligji në asnjë nen s’parashikon dhe nuk i bën pjesë të Shkollës së Magjistraturës me qëllim që pas disa vite punë, ata të bëhen pjesë e gjyqësorit ose prokurorë. Një nga oficerët e prokurorisë së Tiranës tha për “Shqiptarja.com” në kushtet e anonimatit se ligji në fjalë i shuan ëndrrën çdo oficeri për të bërë Shkollën e Magjistraturës. “…Është ligj i padrejtë dhe që s’përfaqëson interesat e oficerëve të Policisë dhe Prokurorisë. Oficerin nuk e promovon por e le gjithë jetën oficer, nën shërbimin e prokurorit dhe gjyqtarit. Ndërkohë e kundërta ndodh me ndihmësat ligjorë të gjyqtarëve në Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë, të cilët kanë mundësi ligjore të konkurrojnë në shkollën e magjistraturës”, thotë një prej oficerëve të prokurorisë së Tiranës.

Një tjetër kundërshtim i policisë gjyqësore ka të bëjë me pagën e përcaktuar për oficerët në raport me pagën e prokurorit. Drafti parashikon se paga e oficerit të Policisë Gjyqësore, të seksioneve të prokurorive të shkallës së parë dhe të Prokurorisë së Përgjithshme është e barabartë me 70 për qind të pagës bruto fillestare të prokurorit që ushtron funksionet pranë tyre.

Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?