Drafti për turizmin, Topuzi: Hap pozitiv, të formalizohet tregu! Gjokutaj: Qeveria të konsultohej me ekspertë! Gërxhani: I vonuar, informaliteti 60%

4 Tetor 2023, 14:50| Përditesimi: 4 Tetor 2023, 21:00

  • Share

Rreth 8.3 milionë turistë huaj e vizituan Shqipërinë në 9 muaj, megjithatë numri i deklaruar nga të gjitha strukturat akomoduese është shumë më i ulët, për shkak të informalitetit në sektorin e turizmit. Qeveria ka bërë gati ligjin e ri që tenton të ulë informalitetit, rritjen e të ardhurave dhe zhvillimin e sektorit.

Të ftuar në emisionin ‘Përballje’ në Report Tv, me gazetaren Besmira Pelushaj, ekspertë në sektorin e turizmit mbështesin nismën e qeverisë me qëllim formalizmin e tregut, por nënvizojnë se nuk është e konsultuar me grupet e interesit.

Zak Topuzi, kryetari i Shoqatës së Hoteleri-Turizmit, u shpreh se ato si shoqatë kanë 6 muaj që kanë bërë kërkesë për formalizmin e tregut si në shtetet fqinjë, ndërsa shtoi se ky trend i madh lëvizjesh së turistëve e gjeti qeverinë të papërgatitur.

‘Hap pozitiv që po shkohet drejt formalizmit të tregut. Janë mbi 8 mijë subjekte që shesin online ndërkohë që janë rreth 4 mijë biznese që kanë NIPT. Gjithë industria e rregullt paguan taksa e detyrime ndërkohë që bëhet me goditura. Humbet edhe mbrojtja e konsumatorit pasi paguan pa ditur se ku shkon, apo elementë të tjerë për një biznes. Ne si shoqatë kemi mbi 6 muaj që i kemi bërë kërkesë zyrtare ministrisë të formalizojë tregun si Ballkani. Ky trend i madh lëvizjesh turistike e kapi qeverinë të papërgatitur. Aty lidhet me formalizmin e tregut, që e ka kapur të pa përgatitur dhe BE-në. Këta do dalin biznes i vogël por komunat dhe bashkitë nuk do të mbledhin dot taksën e pronës. Vetë turistët paguajnë një taksë. Ne vetë kemi konstatuar se jo çdo udhëtar është turist. Ne jemi vend tranzit. Një pjesë e mirë janë të detyruar të kalojnë. Ti po nuk u kuptove në motorët e shitjes se shet dot objektin.’- tha Topuzi.

Eksperti i ekonomisë, Eduart Gjokutaj, tha se qeveria nuk është konslutuar me grupet e interesit dhe se nuk ka një analizë të thelluar se pse po kryen këto ndryshime. Për Gjokutajn është me interes që të ketë një analizë të statistikave që do të shërbenin më mirë për këtë ligj.

‘Kjo përbën pjesën e befasisë që qeveria përpiqet të bëjë. Nuk konsultohen me ekspertë. Duhet të prezantonte një raport se çfarë ka përcaktuar deri tani qeveria, pse është kjo domosdoshmëri. Si e koncepton qeveria informalitetin pasi nuk është problem i modifikimit të një ligji, por është një problem i konceptuar në grup. Duhet të bëhej një analizë nga Ministria e Financave. Ka statistika që vazhdojnë të çalojnë. Kemi një konglomerat të statistikave të cilat duke qenë të analizuara do të shërbenin më mirë për këtë ligj, ka informalitet në statistika. Qeveria i ka marrë vendimet me kokën e vet, nuk mungon edhe rasti të ketë ligje klienteliste. Nga ana tjetër nuk ka analizë, pse na qenka problem apartamentet. Duhet të ketë një vizion se sa % do të formalizohet ligji.’- tha Gjokutaj.

Ndërsa eksperti i ekonomisë Bardhi Sejdarasi, tha se ndryshimet në ligj janë të vonuara, e se këto masa duhet të ishin ndërmarrë me qëllim që tregu mos të shkonte në këtë nivel të lartë informaliteti.

‘Në këtë moment ministria e Turizmit, i bie që ky akt nënligjor të korrigjohet më pas me strategjinë. Është njëlloj si çmimet e referencës së Tiranës. Unë e quaj të vonuar. Duhet me kohë të ishin ndërmarrë këto masa me qëllim që tregu mos të shkonte në këtë nivel të lartë infromaliteti. Nuk mund të ketë 7.5 mln vizitorë dhe 2.8 mln të kenë fjetur. Janë 28 mijë shtëpi të lëshuara me qira në gjashtë muajit e parë dhe nuk janë të deklaruara. Është e nevojshëm që operatorët të punojnë me rregulla të barabarta loje.’- tha Sejdarasi.

Kliton Gërxhani, kryetar i ATOA-s, u shpreh se bizneset duhet të joshen që të vetdeklarohen dhe se nuk mund të bëhet me kërbaç, por të gjendet një zgjidhje e përbashkët.

‘60-70% masë informaliteti në treg. E kemi kërkuar që në vitin 2014 që kur i lanë jashtë ligjit të turizmit, dhe për 8 vite këto struktura nuk kanë paguar asnjë cent. Nuk mund të zgjatet më shumë, sepse konkurrenca është e fortë dhe e pandershme dhe shteti e kuptoi që nuk ka nevojë për numra milion të ardhura turistësh por ka nevojë për më shumë të ardhura. Deri tani nuk ka patur çmim reference. Edhe unë e shoh një vendim i detyruar, një rrugë e shkurtër. Duhet të joshen bizneset të vetdeklarohen. Nuk bëhet vetëm me kërbaç. Duhet të ulemi bashkë dhe t’i zgjidhim së bashku. Zgjidhje me çmimin e referencës dhe me gjoba nuk janë zgjidhje afatgjata. Na duhet shteti të prodhojmë më shumë lek. Na duhet një bashkëpunim me shtetin për çdo lloj veprimi.’- tha Gërxhani.

Nga dhomat e thjeshta deri tek vilat që akomodojnë pushues përmes AirBNB apo Booking dhe nuk kanë një licencë, do të regjistrohen në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Ndryshimet e propozuara në ligjin për Turizmin synojnë të fusin në sistemin e deklarimit dhe të taksimit strukturat informale që kanë akomoduar pushues.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?