Situata me zjarret në Dukat të Vlorës, sidomos në grykën e Paliskës, është drejt përmirësimit dhe nuk paraqet rrezik të shtuar për Parkun Kombëtar të Llogarasë dhe zonat e banuara.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile bën me dije se falë punës nga terreni, por sidomos ndërhyrjes nga ajri përmes Mekanizmit Europian të Mbrojtjes Civile, situata është drejt përmirësimit të ndjeshëm.
“Falë angazhimit të koordinuar të të gjitha strukturave në nivel lokal dhe kombëtar, si dhe ndihmës së Mekanizmit Europian të Mbrojtjes Civile, situata në grykën e Paliskës, e cila lidhet me zonën e mbrojtur të Llogarasë, është drejt përmirësimit të ndjeshëm. Sipas komunikimit të vazhdueshëm me drejtuesin e zonave të mbrojtura dhe shefin e Qendrës së Mbrojtjes Civile (QMC) Jug, të cilët ndodhen në terren bashkë me forca operacionale, situata aktuale është pozitive dhe pa rrezik të shtuar për zonën e Llogarasë apo për banorët e afërt”, bën me dije Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile.
Sipas AKMC, në vijim në vijim do të ndërhyhet nga ajri me ndihmën e helikopterëve të ushtrisë shqiptare deri në shuarjen e plotë të disa trungjeve që janë duke u djegur.
“Aktualisht, përpjekjet janë përqendruar në shuarjen e plotë të disa trungjeve ende të ndezur brenda vatrave tashmë të kontrolluara. Në vijim, në këtë segment do të ndërhyhet nga ajri me helikopterët “Cougar” të Forcave të Armatosura, për të përfunduar fazën e pastrimit dhe izolimit të plotë të çdo rreziku të mundshëm. Gjendja në të gjithë zonën mbetet e qëndrueshme, ndërsa strukturat mbeten në gatishmëri për çdo zhvillim të mundshëm”.
Zjarri në Dukat të Vlorës vijon prej rreth 18 ditësh, ku pisha e bredha u shkrumbuan nga flakët.
Lajmi kryesor:
Riaktivizohet zjarri në Dukat të Vlorës, 40 forca të FA do shkojnë në terren, kërkohet edhe ndërhyrje nga ajri
V.GJ /ReportTv.al
