Drejtësia është në këmbë. Pas vrasjes me togën e gjyqtarit të veshur në sallën e gjyqit të Astrit Kalasë të gjitha hallkat e sistemit të drejtësisë kërkojnë garanci.
“Gjendja në gjykatat shqiptare është e papranueshme, siguria është në nivelin zero. Gjyqtarët duan siguri që të japin drejtësi”, thotë Sokol Sadushi, kreu i Gjykatës së Lartë
“Në 99% të gjykatave, nuk plotësohen kushtet e sigurisë. Asnjë gjykatë si plotëson kushtet e sigurisë pasi duhen ndërtuar nga fillimi”, deklaron Erjon Bani, drejtues i GJKKO“Kjo nuk është vrasje e gjyqtarit, por e gjithë sistemit të drejtësisë. Ti dalë uji i zi kësaj pune. Unë takova kolegët tanë gjyqtarë dhe ata janë komplet të lëshuar, demoralizuar dhe njëra nga ato tha ‘na kanë nxjerrë në pritë’, tha Maks Haxhia, kryetar i Dhomës së Avokatëve
Deklaratat janë të forta të përfaqësuesve të hallkave të drejtësisë në vend, në ceremoninë e lamtumirës së kolegut të tyre Astrit Kalaja. Por e kujt është përgjegjësia për mungesën e sigurisë në gjykata?
Një ditë pas vrasjes, Këshilli i Lartë Gjyqësor akuzoi policinë e shtetit se nuk e ka zbatuar një vendim qeverie të vitit 2010 për ruajtjen e sigurisë në sallat e gjyqit. Pika e dy e këtij vendimi thotë se “Ndërtesat e gjykatave të të gjitha shkallëve, si dhe të Gjykatës Kushtetuese ruhen me punonjës të Policisë së Shtetit, për të siguruar rendin dhe qetësinë gjatë zhvillimit të seancave gjyqësore”
Për këtë Këshilli Lartë Gjyqësor thotë se prej gati 2 vitesh ka kërkuar ndihmën e policisë dhe Ministrisë së Brendshme përmes shkresave, por nuk ka gjetur zgjidhje. Por Policia e Shtetit thotë se bazuar në këtë vendim detyrimi i saj është të vendosë vetëm një polic para godinës, teksa kërkesës për më shumë I përgjigjet se nuk ka staf policor.
Po atëherë kush duhet ta garantojë sigurinë brenda ambienteve të gjykatave dhe sallave të gjyqit? Një vendim qeverie i vitit 2020 “Për përcaktimin e kritereve dhe të procedurave për garantimin e rregullit e të sigurisë në gjykata dhe prokurori”, ngarkon me përgjegjësi Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë për hartimin e politikave për rregullin dhe sigurinë, përkatësisht në Gjykata dhe prokuroritë e vendit.
Elementi më i rëndësishëm në këtë VKM është “punonjësi i sigurisë” i cili është përgjegjësi kryesor që garanton rregullin dhe sigurinë, në: a) hyrjet kryesore dhe të veçanta të institucionit përkatës; b) portat për hyrjen e automjeteve dhe hapësirën e parkimit; c) sallën e gjyqit, nëse i kërkohet nga kryetari i seancës, në zbatim të urdhrave të dhënë prej tij; ç) ambientet e tjera të brendshme, të cilat përfshijnë kryesisht korridoret lidhëse pranë zyrave si dhe brenda perimetrit rrethues të godinës së institucionit përkatës.
Pjesë nga VKM e vitit 2020
Punonjësit e sigurisë kanë detyrimin të bëjnë kontrollet e njerëzve që hyjnë në godinë, madje në shkronjën dh të pikës IV të VKM-së thuhet se kontrolli që përfshin prekjen sipërfaqësore bëhet nga punonjësi i sigurisë me gjininë e njëjtë me personin që hyn në brendësi të gjykatës. Pra, referuar kësaj shkronje por edhe dispozitës që thotë se punonjësi i sigurisë duhet të jetë në sallën e gjyqit kur i kërkohet nga gjyqtari nënkupton se numri i punonjësve të sigurisë duhet të jetë shumë herë më shumë se 1, ndërkohë që në gjykatat e vendit zakonisht ka vetëm një roje te dera kryesore.
Në reagimin e djeshëm, KLGJ e anashkalon tërësisht ekzistencën e kësaj VKM-je, dhe detyrat për garantimin e sigurisë që i lihen në përgjegjësinë e saj. A e ka KLGJ një numër të mjaftueshëm punonjësish të sigurisë në çdo gjykatë të vendit? Çfarë ka bërë KLGJ për të rritur numrin e tyre? E ka ngritur shqetësimin e mungesës së fondeve për këtë qëllim?
Nga ana tjetër gjyqtarët vazhdojnë t’i qëndrojnë faktit se duhet të jetë policia ajo që garanton sigurinë, me kryetarin në detyrë të GJKKO që e përsëriti.
“Që të gjitha sallat e gjykimit, që nga 2010 e pas, aktet ligjore thonë se sallat e gjykimit duhet të kenë praninë e forcave të policisë që të garantohet siguria”, tha Bani.
Ajo që mbetet për t’u sqaruar është se pse Këshilli i Lartë Gjyqësor prej vitesh nuk e ka kërkuar sqarimin e situatës ligjore, qoftë edhe përmes deklaratave publike. Pse nuk ka insistuar gjatë këtyre viteve organi qeverisës i gjyqësorit që për sigurinë e tyre duhet të prevalonte njëri vendim i qeverisë dhe tjetri do të duhej shfuqizuar? E gjitha një situatë që kërkon sqarim, pasi një gjyqtari iu mor jeta në krye të detyrës vetëm sepse siguria nuk u garantua. Dhe kjo siguri mungon në të gjitha gjykatat e vendit.
Komente

Mund te saktesoni edhe qe VKM e vitit 2010, e hyre ne fuqi ne 2011, eshte ende ne fuqi. VKM e vitit 2020 ne asnje rresht te saj nuk e shfuqizon VKM-ne e vitit 2010. Pra, eshte detyre e Policise se Shtetit per te siguruar rendin dhe qetesine gjate zhvillimit te seancave gjyqesore.
Përgjigju