Këshilli i Lartë Gjyqësor u mblodh sot në një mbledhje të jashtëzakonshme për të shqyrtuar rrethanat e ngjarjes së rëndë të vrasjes së gjykatësit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit, dhe për të analizuar masat aktuale të sigurisë nëpër gjykata.
Në mbledhjen e sotme, KLGJ vendosi të bëjë publike të gjitha shkresat dhe korrespondencën zyrtare që ka zhvilluar me institucionet përgjegjëse për garantimin e sigurisë në ambientet gjyqësore, me qëllim transparencën dhe informimin e publikut.
Në këtë kuadër, Këshilli i Lartë Gjyqësor ka bërë me dije se në të gjitha gjykatat e vendit, Policia e Shtetit aktualisht ofron shërbimin e saj vetëm me një punonjës në hyrjen kryesore ku lëvizin palët dhe publiku.
Sipas një VKM-je të datës 28 prill 2010, “Për ruajtjen dhe sigurinë e objekteve shtetërore”, gjykatat duhet të ruhen nga punonjës të Policisë së Shtetit, për të garantuar rendin dhe qetësinë gjatë seancave gjyqësore. Jashtë orarit zyrtar, ruajtja kryhet nga “Illyrian Guard”, e cila është një kompani shtetërore në varësi të Ministrisë së Mbrendshme.
(VKM-ja e vitit 2010 për ruajtjen e gjykatave nga Policia e Shtetit)
“Duke vlerësuar se gjykatat janë objekte të një rëndësie të veçantë, Këshilli ka paralajmëruar në mënyrë të përsëritur se mungesa e prezencës efektive të policisë në sallat e gjyqit krijon risk serioz për sigurinë e gjyqtarëve, stafit dhe publikut”, njofton KLGJ.
Ky institucion, më 2 nëntor 2023, i ka drejtuar një shkresë Policisë së Shtetit dhe për dijeni Ministrisë së Brendshme, duke kërkuar shtimin e punonjësve të Policisë së Shtetit në ambientet e brendshme të gjykatave dhe sallave të gjykimit gjatë zhvillimit të seancave.
(Kërkesa e KLGJ e 2 nëntorit 2023 drejtuar Policisë së Shtetit për rritjen e numrit të policëve në gjykata)
“Në përgjigje, me shkresën nr. 9683/3 Prot., datë 11.12.2023, Policia e Shtetit ka njoftuar se “aktualisht e kemi të pamundur shtimin dhe planifikimin e punonjësve të policisë për sigurimin e ambienteve të brendshme të gjykatave dhe gjatë zhvillimit të seancave gjyqësore, për shkak të limitit të kufizuar të personelit policor”, njofton KLGJ-ja.
(Kthim përgjigje i Policisë së Shtetit më 11 dhjetor 2023)
Pas kësaj përgjigjeje, Këshilli i Lartë Gjyqësor, në datë 15 dhjetor 2023, i është drejtuar zyrtarisht Ministrisë së Brendshme, duke kërkuar ndërhyrje urgjente.
“Duke marrë shkas nga ngjarjet e fundit të kërcënimeve ndaj gjyqtarëve, si pasojë e ushtrimit të detyrës, kërkojmë marrjen e masave për shtimin e organikës dhe planifikimin e punonjësve të Policisë së Shtetit për sigurimin e ambienteve të brendshme të gjykatave dhe prezencën e tyre gjatë zhvillimit të seancave gjyqësore publike”.
(Kërkesa e KLGJ e 15 dhjetorit 2023 drejtuar Ministrisë së Brendshme)
Pas kësaj shkrese, nuk ka patur përgjigje nga Ministria e Brendshme për KLGJ. Për shkak të situatës që ndodhi, Këshilli i Lartë Gjyqësor apelon për përgjegjësi të menjëhershme institucionale nga organet ligjzbatuese dhe ekzekutive, për të garantuar sigurinë fizike të gjyqtarëve dhe të gjithë pjesëmarrësve në proceset gjyqësore.
“Ngjarje të tilla nuk mund të trajtohen si raste të izoluara, ato kërkojnë reagim të fortë, sistematik dhe të koordinuar, në mënyrë që të mos përsëritet më kurrë një humbje jete në sallën e gjyqit, vendi ku drejtësia duhet të mbrohet, jo të rrëzohet”, apelon KLGJ.
Gjyqtari Astrit Kalaja u vra një ditë më parë në sallën e gjyqit në Apelin e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë nga Elvis Shkambi, i cili ishte palë në një proces gjyqësor për konflikt pronësor.
Foto:Gazment Bardhi
Kryetari i Grupit Parlamentar të PD Gazment Bardhi, një ditë pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja ka reaguar sërish ashpër duke i kërkuar SPAK të hetojnë përgjegjësitë e ministrave të Brendshëm.
Përmes një statusi në rrjetet sociale, Bardhi i cilëson deklaratat e dy zyrtarëve më të lartë të qeverisë si “dizinformim kriminal”, që synon të fshehë dështimin institucional të policisë për të garantuar rendin dhe sigurinë në ambientet gjyqësore.
Bardhi akuzon qeverinë për “papërgjegjshmëri shtetërore” dhe kërkon dorëheqjen e ministres së Brendshme, duke e cilësuar sjelljen e saj “mungesë minimale ndjeshmërie njerëzore dhe institucionale”.
Postimi i plotë:
Dje pas ngjarjes së rëndë dhe tronditëse të vrasjes së një gjyqtari në sallën e gjyqit dhe në krye të detyrës, fillimisht Kryeministri dhe më pas Ministrja e Brendshme, gënjyen publikisht opinionin publik, duke fshehur rolin e Policisë së Shtetit në sigurinë e gjykatave.
Kryeministri foli për roje private, ndërsa Ministrja e Brendshme për të manipunuar opinionin e gjërë publik që shtronte me të drejtë pyetjen “se si një person i armatosur ka arritur të futet në ambientet e brendshme të gjykatës”, gënjeu publikisht duke deklaruar se Policia e Shtetit nuk ka në bazë të ligjit asnjë përgjegjësi për kontrollin e hyrje-daljeve në gjykata.
Kjo është një GËNJESHTËR!
Është dizinformim me qëllim mbulimin kriminal të së vërtetës për ngjarjen e rëndë, ku doli sheshit sesa të pasigurtë janë qytetarët, përfshirë gjyqtarët në vendin e tyre të punës, nga ikja në drejtim të paditur e Policisë së Shtetit.
Ashtu sikurse Këshilli i Lartë Gjyqësor ka bërë publike sot, sipas legjislacionit në fuqi, vendimit nr. 333, datë 28.4.2010 të Këshillit të Ministrave “Për ruajtjen dhe sigurinë e objekteve shtetërore” dhe vendimit nr. 538, datë 8.7.2020 “Për përcaktimin e kritereve dhe të procedurave për garantimin e rregullit e të sigurisë në gjykata dhe prokurori”, Policia e Shtetit ka përgjegjësi për sigurinë në gjykata. Për secilin profesionist, apo edhe qytetar, që ka qenë në Gjykatën e Apelit, ka konstatuar që në regjimin e hyrje – daljes ka gjithmonë prezent punonjës të Policisë së Shtetit, të cilët ushtrojnë kontroll fizik edhe për deputetët kur futen në ambientet e gjykatës, por këtë nuk e kanë bërë ndaj vrasësit.
Gënjeshta e Kryeministrit dhe Ministrit të Brendshëm nuk është thjesht dizinformim apo manipulim, por një akt i lartë papërgjegjshmërie që tregon mungesën minimale të ndjeshmërisë ndaj aktit të rëndë që ka tronditur mbarë opinionin publik shqiptar dhe ndërkombëtar.
Akoma më e rëndë bëhet neglizhenca në kryerjen e detyrës së Policisë së Shtetit, kur shikon sot korrespondencën zyrtare midis Këshillit të Lartë Gjyqësor – Policisë së Shtetit – Ministrisë së Brendshme. Këshilli i Lartë Gjyqësor i kërkon Policisë së Shtetit të zbatojë ligjin dhe të marrë masa për të garantuar sigurinë në gjykata për shkak të shtimit të rasteve të kërcënimit të gjyqtarëve në kryerjen e detyrës, dhe me papërgjegjshmërinë më të madhe, Ministri i Brendshëm dhe Policia e Shtetit refuzojnë të përmbushin përgjegjësinë ligjore me argumentin “nuk kemi burime të mjaftueshme njerëzore”.
Manipulimi i të vërtetës nga Ministri i Brendshëm vijonte edhe më tej, kur deklaronte se Policia e Shtetit ka ndërhyrë menjëherë dhe ka arrestuar autorin. Pamjet e bëra publike sot nga media, provonin krejtësisht të kundërtën. Ishte autori i këtij krimi të rëndë që thërriste punonjësit e Policisë së Shtetit që ta arrestonin. Pra nuk ishte ndërhyrja e Policisë, por vetëdorëzimi, që çuan në arrestimin e autorit.
Deri dje ishim në përgjegjsinë politike që kishte Ministri i Brendshëm për sigurinë në gjykata. Sot pas tentativës për të manipuluar përgjegjësinë shtetërore të Policisë së Shtetit dhe të vërtetën për ngjarjen, Ministri i Brendshëm ka treguar papërgjegjshmëri institucionale, mungesë minimale ndjeshmërie shtetërore dhe njerëzore, që e bëjnë më urgjente se kurrë dorëheqjen nga detyra.
Apeloj prokurorët e SPAK që të hetojnë rolin dhe përgjegjësitë e papërmbushura të ministrave të Brendshëm dhe drejtorëve të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit nga viti 2023 e në vijim, të cilët me mosveprimet e tyre në kundërshtim me ligjin kanë shpërdoruar detyrën me pasoja shumë të rënda siç është vrasja e një gjyqtari në krye të detyrës.
Një ditë më parë, në sallën e gjyqit në Apelin e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë u vra me armë gjykatësi Astrit Kalaja, duke dëshmuar dështimin tërësisht të masave të sigurisë.
Lidhur me këtë ngjarje të rëndë, Këshilli i Lartë Gjyqësor njoftoi sot pas mbledhjes së jashtëzakonshme që bëri se në nëntor të vitit 2023 i kishte kërkuar Policisë së Shtetit shtimin e punonjësve për të garantuar sigurinë edhe brenda ambienteve të gjykatave. Por Policia e Shtetit iu përgjigj duke thënë se nuk ka staf për të përmbushur këtë kërkesë.
Por para kësaj kërkese, ka qenë vetë Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë që i dërgoi një letër më 20 tetor 2023 KLGJ-së, duke i kërkuar shtimin e masave të sigurisë me efektivë të Policisë së Shtetit, për të garantuar rendin në sallat e gjyqit dhe ambientet e brendshme të gjykatës.
Kjo kërkesë e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë u bë menjëherë pas kërcënimit të 3 gjyqtareve të Apelit, Valdete Hoxha, Lutfie Çelami dhe Edlira Petri, të cilat dhanë vendimin e dënimit për 5 persona që u shpallën fajtorë për vrasjen e mbetur në tentativë të Inez Hajrullës në Vlorë.
Pasi ato dhanë vendimin ndaj tyre, gjyqtaret u tërheqën në dhomën e këshillimit dhe është dashur ndërhyrja e policisë për të shoqëruar autorët e kërcënimeve që ndodheshin në sallën e gjyqit të cilët u shprehën të acaruar dhe i akuzuan gjyqtaret se ishin te korruptuara.
Më 15 shtator 2023, të treja gjyqtaret bënë denoncim në Komisariatin nr.1 të Policisë së Tiranës.
Përpos denoncimit, Gjykata e Apelit i dërgoi edhe një letër KLGJ-së ku shprehte shqetësimin duke i kërkuar marrjen e masave shtesë nëpër gjykata dhe zbatimin e VKM-së së datës 2010.
LETRA E APELIT MË 20 TETOR 2023 DREJTUAR KLGJ-SË:
Më lejoni të ndaj me Ju, një çështje që për nga natyra e saj, është adresuar edhe më herët dhe së fundi me rastin e zbatimit të hartës gjyqësore dhe suprimimin e gjykatave të apelit. Bëhet fjalë për sigurinë në gjykatë dhe kjo duhet të jetë shqetësim për secilën prej gjykatave të Republikës.
Ndonëse mund të jeni të informuar, më lejoni të rikujtoj se:
1. Policia e Shtetit ofron shërbimin e saj vetëm me një punonjës, i cili aktualisht qëndron në një prej hyrjeve të gjykatës, asaj ku hyn dhe del publiku dhe palët në procese. Ky punonjës nuk ofron asnjë shërbim në ambientet e brendshme të gjykatës dhe aq më pak në sallat ku zhvillohen proceset gjyqësore.
2. Dy hyrjet e tjera të gjykatës, duhet të mbikëqyren dhe kontrollohen nga punonjësit e
administratës gjyqësore.
3. Sipas strukturës së miratuar, organika e gjykatës parashikon në total pesë nëpunës gjyqësorë, nga të cilët dy shërbejnë për kryerjen e njoftimeve dhe tre shërbejnë si personel i sigurisë.
4. Përveç hyrjeve të gjykatës dhe ambienteve të tjera të shërbimit, që duhet të mbikëqyren dhe sigurohen, gjykata ka edhe tetë salla gjykimi.
5. Me gjithë numrin e vogël të punonjësve që duhet te garantojnë sigurinë, ata nuk kanë marrë asnjë trajnim për ushtrimin e detyrës dhe posaçërisht për menaxhimin e situatave të krizës apo riskut.
Të nderuar,
Ruajta e rendit dhe sigurisë është detyrim pozitiv i shtetit me qëllim garantimin e jetës, shëndetit, të drejtave dhe interesave të ligjshme të shtetasve. Përpos këtij detyrimi të përgjithshëm, shteti duhet të garantojë posaçërisht ruajtjen e rendit dhe sigurisë përgjatë procesit gjyqësor. Këtu duhet mbajtur në konsideratë se gjykata është vendi, ku bashkohen persona që janë në konflikt me njëri - tjetrin, të cilët shpesh herë mbartin emocione dhe ngarkesa të mosmarrëveshjeve, duke i manifestuar ato edhe në sallën e gjykimit. Në këto kushte, ekziston kurdoherë risku që reagimet e personave që aksesojnë sallën e gjykimit, të përshkallëzohen në atë masë, sa të përbëjnë rrezik për personat e tjerë të pranishëm, qofshin këta persona të tretë përdorues të gjykatës, qoftë stafi administrativ gjyqësor, apo
edhe vetë gjyqtarët.
Ndonëse VKM nr. 333, date 28.04.2010 "Për ruajtjen dhe sigurimin e objekteve shtetërore", merr përsipër të sigurojë rendin dhe qetësinë gjatë zhvillimit të seancave gjyqësore, praktikisht ky parashikim nuk rezulton efektiv dhe nuk përmbush qëllimin e aktit normativ, për sa kohë që ofrohet vetëm një punonjës policie, i cili e ushtron detyrën vetëm në një nga portat hyrëse të gjykatës. Seancat gjyqësore mbeten kështu pa asnjë mbikëqyrje dhe për rrjedhojë pa asnjë siguri.
Për sa më sipër, do të vlerësohej maksimalisht nëse kjo situatë do të adresohej për zgjidhje nga ana Juaj, me qëllim përmirësimin e sigurisë në gjykatë. Kjo do të shërbente si për garantimin e proceseve gjyqësore, ashtu edhe për jetën, shëndetin dhe te drejtat e subjekteve që aksesojnë sallën e gjykimit. Kjo njëkohësisht lidhet drejtpërdrejtë edhe me autoritetin e vetë gjykatës.
Komente

Tani natyrisht qè duhet bèrè teatèr,,me E LAGU SE LAGU. Unè i thashè por ai nuk reagoi. Nèse KLGJ e paska njè shkresè zyrtare ku tematizon sigurinè nè gjykata dhe paska marrè pèrgjigje negative nga ministria e brendshme pèr kètè gjè,,,,cili èshtè hapi tjetèr i KLGJ nè njè shtet ligjor,,pèr tè garantuar sigurinè dhe zhvillimin normal tè funksionit tè gjykatès? Aha,,,marrin miliona nè formè rrogash mujore nga taksat e kètyre shqiptarève tè varfèr,,,,dhe çfarè shèrbimi ofrojnè? Skandaloze èshtè e gjitha kjo mènyrè trajtimi problemesh, ku KÇK èshtè metodè pune e organeve qè duhet tè ishin aty pèr tè garantuar funksionimin e ligjit.
PërgjigjuTI MARRI SPAKU PER SHPERDORIM DETYRE PER MOSVEPRIM TANI MINISTRIN DHE DREJT E POLICISE SE KOLLAJ KUR MERREN ME NJEREZIT NJERI PA NJERI
Përgjigju