Kronikë

Apeli ‘skenë krimi’/ Pezullohen gjyqet në gjithë vendin, avokatët bojkot deri të premten! Lule në sallën ku vra gjyqtari Kalaja

7 Tetor, 12:02| Përditesimi: 7 Tetor, 14:54

  • Share

Gjykata e Apelit është kthyer në një skenë krimi pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja brenda në sallë të gjyqit gjatë kohës që po ushtronte detyrën e tij. Kjo ngjarje do të mbetet përgjithmonë në historinë e vendit si dhe është një kambanë e fortë alarmi për mirëfunksionimin e sistemeve të sigurisë dhe ligjeve të një shteti.

Në sallën ku gjyqtari u qëllua për vdekje, kolegë të tij kanë vendosur lule për të nderuar kujtimin e tij. Ndërkohë sot Gjykata e Apelit është bosh dhe e rrethuar me forca të sigurisë. Çdo seancë e parashikuar në kalendarin e ditës së sotme është anuluar ndërsa një pjesë e madhe prej çështjeve, të cilat kishin si ‘emërtesë caktimin e masës së sigurisë’, ishin në ngarkim të gjyqtarit Astrit Kalaja.

Burime për Report Tv kanë bërë me dije se proceset gjyqësore janë anuluar në të gjitha gjykatat e Shqipërisë për dy ditë për shkak se trupa gjykuese, avokatë e prokurorë do të marrin pjesë në homazhet që do të mbahen për Astrit Kalanë. Dyert e gjykatave do të jenë të hapura vetëm për zhvilimin e seancave për caktimin e masave të sigurisë si dhe për zhvillimin e seancave energjente. 

Avokatët do të bojkojnë të gjitha seancat gjyqësore, përveç masave të sigurisë, në datat 9 dhe 10 tetor. Dhoma Kombëtare e Avokatisë, deklaron se ky bojkot është një thirrje për të gjitha institucionet dhe politikën që të angazhohen për sigurimin e jetës dhe shëndetit, si dhe aktivitetit të gjyqtarëve, prokurorëve, dhe avokatëve.

Flamujt në gjykatat e vendit, përfshirë Gjykatën e Apelit në Tiranë dhe gjykatat e shkallëve të para, janë ulur në gjysmështizë. Ky vendim është marrë në shenjë solidariteti me familjen e kolegut të tyre, Kalaja, i cili u ekzekutua të hënën, në krye të detyrës.

Ditën e nesërme në hollin e Pallatit të Kongreseve do të mbahen homazhe në nderim të gjyqtarit Kalaja. Ceremonia do të nisë në orën 09:00 dhe pritet të zgjasë deri në orën 11:00. Astrit Kalaja do të përcillet për në banesën e fundit më datë 8 tetor në vendin e lindjes në Shkodër.Ndërkohë në mbledhjet e komisioneve parlamentare është mbajtur 1 minutë heshtje në nder të gjyqtarit Astrit Kalaja. 

Vrasësi i gjyqtarit është Elvis Shkambi, i cili kishte hyrë në gjykatë i pashqetësuar me një armë zjarri me vete. Në momentin që gjyqtari Kalaja dha vendimin kundër xhaxhait të tij, Gjon Shkambi, i cili ishte palë e tretë në një çështje për pronat, Ervis Shkambi ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar tri herë në drejtim të tij. Të plagosur gjithashtu mbetën dhe babë e bir Ragip dhe Ervis Kurtaj, palë kundërshtare me Gjon Shkambin.

Ora 14:40
Vrasja e gjyqtarit Kalaja, avokatët bojkot deri të premten

Foto: Dhoma Kombëtare e  Avokatisë së Shqipërisë

Komiteti Drejtues i Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja një ditë më parë, përmes një deklarate kanë njoftuar se kanë vendosur të bojkotojnë të gjitha proceset hetimore dhe gjyqësore , për çështjet penale, civile dhe administrative, në të gjitha nivelet e gjykimit, për datat 9 dhe 10 Tetor 2025.

VENDIMI

Komiteti Drejtues i Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë, përcjell me shumë shqetësim ngjarjen lidhur me vrasjen e Gjyqtarit të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, Z.Astrit KALAJA, si ngjarja më e rëndë dhe e paprecedentë e ndodhur ndonjeherë në sistemin e drejtësisë.

Komiteti Drejtues i Dhomës së Avokatise të Shqipërisë vendosi njëzeri që të bojkotoj të gjitha proceset hetimore dhe ato gjyqësore, për çështjet penale, civile dhe administrative, në të gjitha nivelet e gjykimit, për datat 9 dhe 10 Tetor 2025.

Ky bojkot është një thirrje për të gjithë opinionin, politikën shqiptare, Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, si dhe palët ndërgjygjëse, që të angazhohen me përgjegjësinë maksimale për sigurimin e jetës dhe shëndetit, si dhe të veprimtarisë dhe aktivitetit të gjyqtarëve, prokurorëve, dhe avokatëve në ushtrimin e detyrave të tyre në realizimin dhe funksionimin e drejtësisë.

Ky vendim nuk i shtrin efektet e tij për masat e sigurimit në procesin penal.

Urdhërohen të gjithë kryetarët e Dhomave Vendore të Avokatisq për ekzekutimin e këtij vendimi. 

KRYETARI

Prof. Dr. Maksim HAXHIA

Ora 13:03
Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja! Mblidhet Gjykata e Elbasanit, kërkohet forcimi i masave të sigurisë! Pezullohen gjyqet

 

Një ditë pas vrasjes në Gjykatën e Apelit të gjyqtarit Astrit Kalaja, kryetari Gjykatës së Elbasanit Elis Dine ka thirrur në një mbledhje trupën gjykuese të kësaj gjykate. Në këtë takim u diskutua forcimi i masave të sigurisë së aksesit në gjykatë nga palët në proces gjyqësor, publiku dhe grupet e interesit. Ndërsa një pikë e rëndësishme e diskutimit ishte edhe shtimi i nënpunësve të sigurisë.

Po ashtu në përfundim të kësaj mbledhje, ka pasur edhe një takim me drejtuesit e policisë së këtij qytetit.

Ndërsa në fund, Gjykata e Elbasanit thekson se “Drejtësia nuk frikësohet, ajo do të vijojë misionin e saj sublim në dhënien e drejtësisë.”.

Njoftimi i Gjykatës Elbasan:

Sot më datë 07.10.2025 Kryetari i Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan z. Elis Dine, thirri mbledhjen e Trupës Gjyqësore të kësaj Gjykate. Të pranishëm në ketë takim ishin Trupa Gjyqësore e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan  dhe Kancelari i Gjykatës z. Ledio Sulkuqi.

Në rend dite në mbledhje u diskutua në lidhje me:

•  Forcimin e masave të sigurisë së aksesit në gjykatë nga palët në proces gjyqësor, publiku dhe grupet e interesit;

* Evidentimi i problematikave konkrete të hasura në lidhje me kushtet e sigurisë në gjykata;

* Shtimi i nëpunësve të sigurisë në pikat e hyrjes në gjykatë dhe zbatimi rigoroz i protokolleve të rregulloreve për aksesin në gjykatë;

Kërkesa e bashkëpunimit të shtuar me forcat e policisë së Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan;

•  Mbledhja vijojë takimin me përfaqësues të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan.

Vlerësojmë shumë angazhimin, interesin dhe solidarizimin e medias në këtë situatë dhe kërkesën e shtuar për prononcim  në media, por në respekt të kujtimi të të ndjerit Gjyqtarit z. Astrit Kalaja është e pamudur për shkak të dhimbjes që përcjell situata që Trupa Gjyqësore t`i përgjet kërkesave për prononcim mediatik në lidhje me situatën.

Duke kërkuar mirëkuptimin tuaj në këtë situatë, ju përcjell mesazhin e Trupës Gjyqësore të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan: “Drejtësia nuk frikësohet, ajo do të vijojë misionin e saj sublim në dhënien e drejtësisë.”

Ora 12:28
Vrasja e gjyqtarit Kalaja, Gjykata e Tiranës pezullon për dy ditë seancat gjyqësore

1759664347_gjykataetiranes.jpg

Foto:Gjykata e Tiranës

Gjykata e Tiranës ka pezulluar për dy ditë seancat gjyqësore në nderim të gjyqtarit Astrit Kalaja që u vra një ditë më parë teksa ishte në krye të detyrës.

Të vetmet seanca që do të mbahen janë ato me karakter urgjent (masa sigurimi, urdhëra të menjëhershëm mbrojtjeje...).

Njoftimi i plotë

Për shkak të pjesëmarrjes në homazhet, që do të zhvillohen në nderim të kolegut tonë të paharruar z.Astrit Kalaja, i vrarë ditën e djeshme, në krye të detyrës, gjyqtarët e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë (dhomat civile dhe penale) nuk do të jenë në gjendje të zhvillojnë gjykimet e planifikuara për datat 7 dhe 8 Tetor 2025, përveç gjykimeve me karakter urgjent (masa sigurimi, urdhëra të menjëhershëm mbrojtjeje...).

Ju faleminderit për mirëkuptimin!

Mbledhja e gjyqtarëve të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Tiranë, datë 7 Tetor 2025

Ora 12:11
Vrasja e gjyqtarit Kalaja, Gjykata e Fierit pezullon seancat gjyqësore! Flamuri ulet në gjysmështizë

 

Pas ngjarjes së rëndë ku mbeti i vrarë gjyqtari Astrit Kalaja edhe Gjykata e Shkallës së Parë në Fier ka vendosur të ndërpresë zhvillimin e të gjitha seancave gjyqësore të parashikuara për ditën e sotme, teksa edhe flamuri në këtë godinë është ulur në gjysmështizë.

Përjashtim do të bëjnë vetëm çështjet me karakter urgjent. Vendimi është marrë në shenjë zie dhe solidariteti me familjen e gjyqtarit të ndjerë dhe me trupën gjyqësore në të gjithë vendin.

Ndërkohë në një reagim Dhoma e Avokatëve Fier shprehen se gjyqtarin Astrit Kalaja nuk e vrau sot vetëm dora e një individi të çmendur por e vrau "sistemi gjyqësor".

Postimi i plotë:

Gjyqtarin e Apelit, të ndjerin Astrit Kalaja nuk e vrau sot vetëm dora e një individi të çmendur por e vrau "sistemi gjyqësor" i ngritur nga KLGJ dhe Qeveria.

Harta Gjyqësore që bashkoi njerëz, halle, doke, zakone, mënyra të jetuari, temperamente dhe mëndësi të ndryshme nga e gjithë Shqipëria në një Gjykatë të vetme ku halli, JO për faj të gjyqtarëve, do një jetë të zgjidhet.

Duke i shprehur ngushëllimet familjes së të ndjerit Kalaja, është koha që vetë gjyqtarët duhet të bëhen bashkë për të sh'bërë këtë katrahurë që nesër mund të vej në rrezik edhe jetët e tyre.

Ora 12:10
Flamuri në gjykatën e Kukësit ulet në gjysmështizë, nesër s'do mbahet asnjë seancë! Kalaja shërbeu në këtë qytet si gjyqtar ushtarak në '95–'96

Edhe në Gjykatën e Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës nuk është zhvilluar asnjë seancë gjyqësore ditën e sotme. Para godinës së gjykatës, flamuri është ulur në gjysmështizë, në shenjë zie dhe sensibilizimi për ngjarjen e rëndë të një dite më parë, ku humbi jetën gjyqtari i Apelit të Tiranës, Astrit Kalaja.

Burime zyrtare kanë bërë të ditur se moszhvillimi i seancave nuk lidhet me ndonjë vendim për pezullimin e punës, por për faktin se në kalendarin gjyqësor të kësaj të marte nuk ishin planifikuar procese gjyqësore. Ndërkohë, të mërkurën pritet që seancat gjyqësore të mos mbahen, përjashtuar ato që lidhen me dhënien e masave të sigurisë, si një akt respekti dhe solidariteti për ndarjen nga jeta të gjyqtarit Kalaja.

Astrit Kalaja ka shërbyer në Kukës si gjyqtar ushtarak gjatë viteve 1995–1996, duke qenë i njohur për përkushtimin e tij në fushën e drejtësisë.

Ora 11:35
Vrasja e gjyqtarit, Astrit Kalaja, Gjykata e Lezhës pezullon sot seancat gjyqësore

Foto: Godina e Gjykatës së Lezhës

Vrasja e gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja, ka shkaktuar reagime të forta në sistemin e drejtësisë. Si shenjë solidariteti me kolegun e ndjerë, një pjesë e gjyqtarëve të Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm në Lezhë kanë vendosur të pezullojnë zhvillimin e seancave gjyqësore.

Burime pranë gjykatës bëjnë të ditur se pezullimi përfshin të gjitha çështjet, përveç atyre me afate ligjore dhe masave të sigurimit, të cilat do të vazhdojnë normalisht.

Ky vendim vjen pas ngjarjes së rëndë të ndodhur një ditë më parë, e cila ka tronditur opinionin publik dhe ka ngritur pikëpyetje serioze mbi sigurinë e gjyqtarëve dhe punonjësve të sistemit të drejtësisë.

Ora 11:17
Vrasja e gjyqtarit Kalaja, Gjykata e Fierit: Është një goditje ndaj themeleve të shtetit të së drejtës dhe ndaj çdo qytetari që beson në ligj dhe drejtësi

Foto: Gjykata e Fierit

Gjykata e Fierit ka reaguar për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja një ditë më parë teksa ishte në krye të detyrës.

Në një deklaratë për mediat kjo gjykatë teksa ka shprehur ngushëllimëet për familjen e gjyqtarit shprehet se ky akt përbën një sulm brutal ndaj drejtësisë, ndaj figurës së magjistratit dhe ndaj vetë rendit demokratik në Republikën e Shqipërisë.

Në deklaratë theksohet se ky akt është një goditje ndaj themeleve të shtetit të së drejtës dhe ndaj çdo qytetari që beson në ligj dhe drejtësi

Deklarata e plotë:

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier shpreh dhimbjen dhe hidhërimin e thellë për ndarjen nga jeta të Gjyqtarit Astrit Kalaja, i cili humbi jetën tragjikisht gjatë ushtrimit të detyrës, në sallën e gjyqit.

Ky akt i rëndë dhe i papranueshëm përbën një sulm brutal ndaj drejtësisë, ndaj figurës së magjistratit dhe ndaj vetë rendit demokratik në Republikën e Shqipërisë. Vrasja e një gjyqtari në vendin ku jepet drejtësia është një goditje ndaj themeleve të shtetit të së drejtës dhe ndaj çdo qytetari që beson në ligj dhe drejtësi.

Ngjarja e rëndë e ndodhur në ambientet e gjykimit duhet të shërbejë si thirrje e fortë për të ndaluar çdo formë dhune, fyerjeje, poshtërimi apo kërcënimi ndaj magjistratëve dhe gjithë atyre që kontribuojnë në dhënien e drejtësisë.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen, të afërmit dhe miqtë e Gjyqtarit Astrit Kalaja, duke vlerësuar me respekt figurën e tij profesionale dhe njerëzore.

Institucioni ynë angazhohet të bashkëpunojë ngushtë me organet kompetente për garantimin e sigurisë më të lartë për magjistratët, stafin administrativ gjyqësor, avokatët, ekspertët dhe të gjithë qytetarët që frekuentojnë gjykatat.

Ora 11:14
Vrasja e gjyqtarit Kalaja, Gjykata e Beratit: Një këmbanë alarmi për qeverinë e gjyqësorit

Foto: Gjykata e Beratit

Gjykata e Beratit ka reaguar për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja një ditë më parë teksa ishte në krye të detyrës.

Në një reagim në rrjetet sociale ata shprehen se ky akt kriminal duhet të jetë një këmbanë alarmi për qeverinë e gjyqësorit.

Në postim thekohet gjithashtu se duhet të merren masa për rritjen e sigurisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve në Shqipëri.

“Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Berat shpreh tronditjen e thellë për aktin kriminal ndaj vrasjes së gjyqtarit në krye të detyrës. Kjo tragjedi për sistemin e drejtësisë dikton nevojën e ngutshme për marrjen e masave për rritjen e sigurisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve të Republikës së Shqipërisë.

Ky akt kriminal duhet të jetë një këmbanë alarmi për qeverinë e gjyqësorit dhe duhet ta frymëzojë për rritjen e ndërgjegjësimit ndaj sigurisë në sistemin gjyqësor. Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat i shpreh ngushëllimet familjarëve, kolegëve dhe miqve të gjyqtarit!”, thuhet në postimin në rrjetet sociale.

Ora 11:01
Vrasja e gjyqtarit Kalaja, Gjykata e Vlorës pezullon gjyqet për 4 ditë, Bajramaj: U rrëzua harta e re gjyqësore dhe sistemi i drejtësisë

 

Gjykata e Shkallës së Parë në Vlorë ka pezulluar të gjitha proceset gjyqësore për periudhën 7-10 tetor, në shenjë reagimi pas ngjarjes së rëndë të ndodhur një ditë më parë në Gjykatën e Apelit në Tiranë. Vendimi parashikon që përjashtim do të bëjnë vetëm masat e sigurisë, ndërsa të gjitha çështjet e tjera do të shtyhen për një datë të dytë.

Në një deklaratë për mediat, kreu i Dhomës së Avokatisë së Vlorës, Durim Bajramaj, theksoi se kjo ngjarje ka tronditur opinionin publik dhe ka zbuluar dështimin e sistemit të drejtësisë në vend. Sipas tij, situata aktuale është pasojë e një sistemi të braktisur nga shteti, i cili e ka lënë drejtësinë në pasiguri dhe ka nxjerrë në pah problemet e thella të “hartës së re gjyqësore”.

“Ngjarja në Tiranë tregoi qartë dështimin e sistemit dhe të hartës së re gjyqësore, e cila u trumbetua si reformë, por në fakt dobësoi sigurinë dhe efektivitetin e gjykatave në vend. Shteti e ka lënë drejtësinë në këtë situatë të pasigurt ku ndodhemi sot”, deklaroi Bajramaj.

Kreu i Dhomës së Avokatisë u ndal edhe te siguria brenda ambienteve të gjykatave, duke e cilësuar atë si një problematikë të vazhdueshme. Ai theksoi se kjo ngjarje duhet të shërbejë si sinjal alarmi për institucionet që kanë për detyrë garantimin e rendit dhe sigurisë në sallat e gjyqeve.

“Siguria në gjykata është minimale. Çdo ditë avokatët, gjyqtarët dhe qytetarët ndihen të pasigurt. Kjo ngjarje tragjike është pasojë e një sistemi që po bie dita-ditës”, shtoi Bajramaj.

Sipas tij, edhe në Vlorë ka ende me dhjetëra çështje të prapambetura, kryesisht të natyrës së pronësisë, të cilat po shtohen çdo ditë për shkak të vonesave dhe mungesës së strukturave të plota pas zbatimit të hartës së re gjyqësore.

“Vrasja nuk duhet të ekzistojë si koncept, por duhet kuptuar se shumë çështje pronësie dhe padrejtësi ligjore, të mbartura prej vitesh, kanë çuar në tensione të rënda mes qytetarëve. Ligjet dhe shteti duhet të garantojnë zgjidhje, jo të nxisin konflikt”, deklaroi ai.

Gjykata e Vlorës pritet të rikthejë normalitetin në seancat gjyqësore pas datës 10 tetor.

Ora 11:01
Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja, mbahet 1 minutë heshtje në të gjitha komisionet parlamentare

 

Në mbledhjen e sotme të komisioneve në Kuvendin e Shqipërisë, është mbajtur 1 minutë heshtje në nderim të gjyqtarit Astrit Kalaja.

Gjyqtari Astrit Kalaja u qëllua për vdekje ditën e djeshme në sallën e Gjykatës së Apelit për shkak të detyrës.

Ora 10:55
U vra në krye të detyrës pasi dha vendimin, kolegët e gjyqtarit Astrit Kalaja vendosin lule në vendin ku u ekzekutua (VIDEO)

 

Report Tv siguron foto nga vendi ku Astrit Kalaja u vra në krye të detyrës, pasi dha vendimin në Gjykatën e Apelit.

Kolegët e të ndjerit, Astrit Kalaja, kanë vendosur lule në vendin ku u vra dje.

Gjyqtari Kalaja u qëllua për vdekje nga Elvis Shkambi në Gjykatën e Apelit.

1759827493_1d08516845f648378bd2c806d5c952be.jpg

Ora 09:19
Gjykata e Apelit skenë krimi, pezullohen të gjitha gjyqet! Nesër homazhe në Pallatin e Kongreseve në nder të gjyqtarit Astrit Kalaja

Të gjitha gjyqet në Gjykatën e Apelit janë pezulluar që prej ditës së djeshme ku në sallë të gjyqit u qëllua për vdekje gjyqtari Astrit Kalaja për shkak të detyrës. Shumica e seancave të ditës së sotme ishin të caktuara për dhënien e masave të sigurisë me gjyqtar Astrit Kalaja.

Ndërkohë ditën e nesërme në ambientet e Pallatit të Kongreseve do të mbahen homazhe në nderim të gjyqtarit Kalaja. Ceremonia do të nisë në orën 09:00 dhe pritet të zgjasë deri në orën 11:00.

Astrit Kalaja do të përcillet për në banesën e fundit më datë 8 tetor në vendin e lindjes në Shkodër.

1759824136_77d05161cd60431c841441cf8a8d75da.jpg

K.B/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e gjyqtarit në sallë, sa të mbrojtur janë njerëzit e drejtësisë?