Autori Elvis Shkambi me duar në xhepa në oborrin e gjykatës pas vrasjes së gjyqtarit

Kronikë

DINAMIKA e vrasjes së gjyqtarit Kalaja! Pas krimit, autori i qetë dhe me duar në xhepa brenda oborrit të gjykatës! Piu cigare në korridorin e Apelit (FOTOT)

7 Tetor, 11:15| Përditesimi: 7 Tetor, 14:15

  • Share

TIRANË- Gjakftohtë, i qetë dhe me duar në xhepa brenda në oborrin e Gjykatës së Apelit në Tiranë, pa i rënë në sy askujt se vetëm pak çaste më parë, brenda në sallën e gjyqit kishte vrarë gjyqtarin Astrit Kalaja e kishte plagosur babë e bir nga pala kundërshtare, Elvis Shkambi. Kjo është pamja e autorit Elvis Shkambi pak minuta pasi kishte qëlluar për vdekje gjyqtarin Astrit Kalaja në sallën e gjyqit. Në krah të tij dallohet xhaxhai Gjon Shkambi, që sapo kishte humbur gjyqin, duke pirë cigare.

Armën me plumba e mbushi në sallë, qëlloi drejt gjyqtarit dhe babë e bir Ragip dhe Ervis Kurtaj, dhe totalisht i qetë doli në korridorin e gjykatës dhe piu një cigare, siç thonë burime për Report Tv. Më pas, Elvis Shkambi, siç shihet edhe në këtë foto që ka siguruar Report Tv, po qëndron me duar në xhepa brenda oborrit të gjykatës bashkë me xhaxhanë, vetëm pak pasi kreu aktin e rëndë.

Masat e sigurisë jo vetëm që dështuan, pasi i riu arriti të futej me armë brenda në gjykatë, por dështimi i autoriteteve shkon edhe më tej. Policët ende nuk e kishin identifikuar vrasësin. Ai pret pak çaste në heshtje, dhe sapo në oborrin e gjykatës shfaqet një efektiv policie, i njoftuar për të shtënat brenda Gjykatës, i bën shenjë, dhe i thotë se është ai vrasësi.

Sapo polici i afrohet, dera porta e hekurt e gjykatës hapet nga roja, burrë në moshë. I pari vjen me vrull punonjësi i sigurisë pranë gjykatës, që orienton efektivët e tjerë duke drejtuar gishtin nga Gjon Shkambi dhe nipi i tij 30-vjeçar. Në pamjet që qarkullojnë në rrjetet sociale dallohet momenti kur është vetë autori që ia bën me dorë policit “eja, jam unë autori”. Në një moment,  polici heziton që t’i vërë prangat, pastaj vjen edhe një grup tjetër me efektivë, të cilët i arrestojnë të dy. Nipin i cili vijon të ruajë qetësinë olimpike duke treguar se e priste këtë moment pasi shumë mirë mund t’i ishte arratisur në sy policisë që ende s’e kishte identifikuar, dhe xhaxhain, i cili mban në krah një çantë me dokumente, pjesë të procesit të gjatë gjyqësor për pronën që ai pretendonte se kishte të tijën në Shkodër, e që s’kish mundur ta merrte.

Bashkë me ta, policia arrestoi edhe Banush Koxhajn, 63-vjeçar me detyrë punonjës sigurie pranë Gjykatës së Apelit Tiranë, të akuzuar për shpërdorim detyre.

Sipas policisë, e cila zbardhi ngjarjen, ishte ora 13:42, kur në ambientet e sallës së pritjes për publikun të Gjykatës kalojnë nga pajisja skaner, njëri pas tjetrit Gjon Shkambi 56 vjeçar, për gjyqin dhe nipi që e shoqëronte, Elvisi. 30-vjeçari mbante me vetë një armë zjarri dhe në ekranin e detektorit u sinjalizua prezenca e metaleve duke ndezur dritat e kuqe, por punonjësi i sigurisë, sipas policisë, ka qëndruar i ulur në karrige. Ai nuk ka bërë kontroll fizik dhe as nuk i ka regjistruar emrat e tyre në librin e protokollit, ku duhet të evidentohen të gjithë personat që hyjnë dhe dalin nga ambientet e Gjykatës.

Gati 2 orë, deri në orën 15.29, të dy xhaxha e nip qëndrojnë në holl dhe më pas futen në sallën numër 3 për gjyqin, i cili duhej të kishte nisur në orën 14.00. Pak zgjati, dhe vetëm në 6 minuta nga nisja e seancës, në orën 15:35, palët ngrihen në këmbë dhe menjëherë pasi gjyqtari Astrit Kalaja shpall vendimin kundër Gjon Shkambit, 30-vjeçari nxjerr nga brezi pistoletën dhe qëllon disa herë gjyqtarin me togën e zezë veshur. Pavarësisht se tentoi të mbrohej, e kapën 2 plumba në gjoks dhe 1 bark, dhe ndërroi jetë gjatë transportit për në spital.

Më tej, Elvis Shkambi i drejton pistoletën dhe qëllon një herë në drejtim të babë e tij. Ragip dhe Ervis Kurtit, banorët që jetojnë në pronën e pretenduar nga xhaxhai i tij. Me një plumb, i plagosi të dy, pa rrezik për jetën.

Policia thotë se Gjon Shkambi, nuk ndërmerr asnjë hap për të ndërprerë veprimet kriminale të nipit të tij, çka krijon dyshimin e arsyeshëm se ai ka qenë në dijeni të planit për ekzekutimin e gjyqtarit të çështjes, në rolin e shtytësit dhe/ose ndihmësit.

Pas krimit në dyert e drejtësisë, Elvisi ia dorëzoi armën një nëpunësi për mbikëqyrjen e proceseve gjyqësore, në një tjetër sallë. “Më kishte ardhur në majë të hundës me gjyqet”, mësohet të jetë shprehur autori në polici.

SI.E./ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e gjyqtarit në sallë, sa të mbrojtur janë njerëzit e drejtësisë?