Edi Hoxha alias Edison Hoxha i cili u arrestua sot në Fier, nën dyshimet se është kreu i një grupi kriminal që trafikonte drogë në vendin tonë, Itali dhe Zvicër gjatë viteve 2020 dhe 2021, nuk është emër i panjohur për drejtësinë shqiptare.
Në 9 gusht të këtij viti, ai plagosi me thikë 2 vëllezër gjatë një sherri në Fier. 40-vjeçari u akuzua për veprën penale "Vrasja me dashje" e mbetur në tentativë.
“Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, menjëherë pas marrjes së njoftimit se në spitalin e Fierit kanë shkuar për të marrë mjekim 2 shtetas të dëmtuar me mjet prerës, kanë organizuar punën për nxjerrjen e autorëve përpara përgjegjësisë penale dhe për sqarimin e rrethanave të rastit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale hetimore u zbardh dinamika e rastit, si dhe u kap dhe u vu në pranga 40-vjeçari.
Nga këto veprime dyshohet se në një rrugë të lagjes "11 Janari", Fier, shtetasi A. M., 28 vjeç, banues në Fier, është konfliktuar për motive të dobëta, me shtetasit E. H., 40 vjeç dhe T. S., 38 vjeç banues në Kraps (vëllezër).
Gjatë konfliktit, 40-vjeçari ka goditur me mjet prerës shtetasin A. M., si dhe është dëmtuar në dorë në konflikt e sipër, vëllai i 40-vjeçarit, shtetasi T. S..
Në përfundim të veprimeve hetimore, u arrestua në flagrancë shtetasi E. H., 40 vjeç, banues në fshatin Kraps, për veprën penale "Vrasja me dashje" e mbetur në tentativë”,- thuhej në njoftimin e policisë më 9 gusht.
Lajmi kryesor:
Italia e Shqipëria ‘çmontojnë’ rrjetin e trafikut të drogës, goditen 3 grupe! 10 në pranga e 2 në kërkim, ‘truri’ kapet në Fier (EMRI)
K.M/ReportTv.al