FIER- Një rrjet i trafikut të drogës është çmontuar nga autoritet shqiptare dhe italiane, duke çuar në pranga 10 persona, ndërsa 2 të tjerë janë shpallur në kërkim. Operacioni vjen pas një hetimi disa mujor ndërmjet Policisë së Shtetit, Drejtorisë së Qarkut Antimafia Compagnia Carabinieri në Borgo San Lorenzo, Firenze dhe Zyrës së Sigurisë në Ambasadën e Italisë në Shqipëri.
Grupi trafikoi drogë në Shqipëri, Itali dhe Zvicër gjatë një viti, 2020-2021. Në kuadër të operacionit “Fingerprint”, Gjykata e Firenzes lëshoi 12 urdhra arresti, 9 prej të cilave u ekzekutuan në Itali dhe 1 në vendin tonë. Operacioni në vendin tonë çoi në arrestimin e trurit të këtij rrjeti, një 41-vjeçar nga Fieri me dy emra.
Edi Hoxha, i njohur edhe si Edison Hoxha ishte personi që koordinonte të gjithë veprimtarinë kriminale të grupit nga qyteti i Fierit. Gjykata e Firences ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, për trafikim të lëndëve narkotike, kryer në kuadër të organizatës kriminale, veprimtari e cila dënohet nga Kodi Penal i Italisë, me maksimalisht 24 vjet burgim. Autoritet pritet të nisin procedurat për ekstradimet e tij në Itali, ndërsa Hoxha nuk është një person i panjohur as per autoritetet shqiptare. Më 9 gusht të këtij viti, ai plagosi me thikë 2 vëllezër gjatë një sherri në Fier.
"Gjatë kësaj faze të operacionit “Fingerprint”, shërbimet e Drejtorisë për Hetimin e Narkotikëve në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, lokalizuan në Fier, kapën dhe arrestuan me qëllim ekstradimin në Itali, shtetasin shqiptar, të shpallur në kërkim ndërkombëtar, E. H. alias E. H.,, 41 vjeç, lindur në fshatin Portëz, Fier.
Gjykata e Firences, me vendimin e vitit 2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për trafikim të lëndëve narkotike, kryer në kuadër të organizatës kriminale, veprimtari e cila dënohet nga Kodi Penal i Italisë, me maksimalisht 24 vjet burgim.
Shtetasi E. H. alias E. H. akuzohet se gjatë periudhës 2020-2021, ka koordinuar veprimtarinë kriminale të një organizate të implikuar në trafikimin e lëndëve narkotike Kokainë dhe Cannabis Sativa, në Shqipëri, Itali dhe Zvicër", njoftoi Policia.
Sipas hetimit, kishte tre grupe të përfshira në rrjetin e trafikut të drogës me lidhje transnacionale. Njëri, i përbërë ekskluzivisht nga shqiptarë, ishte i përfshirë në importimin me shumicë të kokainës nga Holanda në Itali. Një grup tjetër dyshohet se eksportonte kokainë nga Firence në Zvicër për shpërndarje me pakicë, duke përfshirë hashash dhe marihuanë, të cilat realizoheshin në Firence, provinca të tjera të Toskanës dhe kantonin e Zyrihut. Organizata e fundit, një degë e së parës, përbëhej po ashtu, tërësisht nga shqiptarë, përfshirë një grua që ishte e përfshirë në importimin e sasive të konsiderueshme të hashashit nga Zvicra në Itali për shpërndarje me pakicë.
Operacioni i sotëm i autoriteteve italiane përfshiu mbi 100 agjentë nga komanda provinciale e Firences dhe nëntë komanda të tjera nga po aq provinca italiane, me ndihmën e njësisë së qenve të Firences, për të ekzekutuar urdhrat e paraburgimit dhe për të kryer 20 kontrolle shtesë të të njëjtit numër të dyshuarish. Në Itali, operacioni u zhvillua në disa zona si Toskanë, Kampania, Lombardi, Abruco dhe Siçili.
Edi Hoxha alias Edison Hoxha i cili u arrestua sot në Fier, nën dyshimet se është kreu i një grupi kriminal që trafikonte drogë në vendin tonë, Itali dhe Zvicër gjatë viteve 2020 dhe 2021, nuk është emër i panjohur për drejtësinë shqiptare.
Në 9 gusht të këtij viti, ai plagosi me thikë 2 vëllezër gjatë një sherri në Fier. 40-vjeçari u akuzua për veprën penale "Vrasja me dashje" e mbetur në tentativë.
“Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, menjëherë pas marrjes së njoftimit se në spitalin e Fierit kanë shkuar për të marrë mjekim 2 shtetas të dëmtuar me mjet prerës, kanë organizuar punën për nxjerrjen e autorëve përpara përgjegjësisë penale dhe për sqarimin e rrethanave të rastit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale hetimore u zbardh dinamika e rastit, si dhe u kap dhe u vu në pranga 40-vjeçari.
Nga këto veprime dyshohet se në një rrugë të lagjes "11 Janari", Fier, shtetasi A. M., 28 vjeç, banues në Fier, është konfliktuar për motive të dobëta, me shtetasit E. H., 40 vjeç dhe T. S., 38 vjeç banues në Kraps (vëllezër).
Gjatë konfliktit, 40-vjeçari ka goditur me mjet prerës shtetasin A. M., si dhe është dëmtuar në dorë në konflikt e sipër, vëllai i 40-vjeçarit, shtetasi T. S..
Në përfundim të veprimeve hetimore, u arrestua në flagrancë shtetasi E. H., 40 vjeç, banues në fshatin Kraps, për veprën penale "Vrasja me dashje" e mbetur në tentativë”,- thuhej në njoftimin e policisë më 9 gusht.
Komente
