Vllaznia e ka fituar titullin kampion në Superligë për herë të fundit plot 24 vite më parë. Ai ekip i sezonit 2001 ka qenë me të vërtetë i frikshëm. Tanimë shkodranët gjejnë në gjysmëfinalen e titullit Dinamos, kjo pas shortit të "Final 4".
Menjëherë ka pasur replika mes drejtuesve të dy klubeve, që kërkojnë finalen e madhe që luhet më 12 maj në "Arenën Kombëtare". Drejtori i Dinamos, ish-arbitri Ermal Barushi tha se Blutë ia kanë 'marrë dorën' Vllaznisë.
"Shorti i mirë, kemi bërë ndeshje të mira me Vllazninë gjatë kampionatit, shpresoj që t'ia dalim. Kemi bërë një edicion të mirë deri tani, jemi pjesmarrës në Kupat e Europës prej disa vitesh kemi dhe fazën tjetër dhe duam të fitojmë titullin kampionat. U hodh dhe shorti i vogël për datën, ne do të luajmë në datë 4, shpresoj që t'ia dalim. Ekipi është në stërvitje, presidenti ka pasur arsye personale që nuk është këtu", tha Barushi.
I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Thomas Brdaric, me trajnerin e Vllaznisë që duket besimplotë se të tijtë do kalojnë Dinamon dhe do diskutojnë finalen.
"Mendoj se është diçka e madhe që të jesh në "Final 4", duhet të harrosh çfarë ka ndodhur dhe të fokusohesh te gjysmëfinalja dhe të shkosh në finale për të fituar titullin. Për mua është fitore të shkosh në finale, të jemi të disiplinuar, të fokusuar, të kemi një atmosferë të mirë.
Pas dy dekadash mungesë të titullit në Shkodër, është e rëndësishme që të fitojmë. Kjo ndeshje do të jetë definitivisht deçizive, ne e dimë që ishte e vështirë të arrinim në këtë pozicion dhe është privilegj të jesh këtu dhe tani ne duam të arrijmë maksimumin. Ne shkojmë për të fituar dhe jo për barazimin.
Nuk mund ta menaxhosh barazimin, në sezonin e fundit ne u përballëm me Egnatian dhe për mua ishte një ndeshje e mirë, por e dimë që këtë vit kemi avantazh dhe duam t'i kemi në anën tonë.
Ne kemi një grup shumë të mirë, aftësi, forcë dhe ne duam t'i tregojmë këto cilësi në ndeshjen kundër Dinamos në gjysmëfinale dhe jemi të bindur që shkojmë në finale", tha Brdaric.
Lajmi kryesor:
VIDEO/ Egnatia - Partizani dhe Vllaznia - Dinamo, mësohen çiftet gjysmëfinale në 'Final 4' e Superligës
S.Dh/ReportTv.al