TIRANË - Këtë të martë (29 prill) në ambientet e "Shtëpisë së Futbollit" në kryeqytet u hodh shorti për fazën gjysmëfinale të "Final 4", mini-turneut që do vendos edhe titullin kampion në Superligë për këtë edicion.
Pas shortit goglat vendosën çiftet Egnatia - Partizani dhe Vllaznia - Dinamo. Këto përballje gjysmëfinale do luhen më 4-5 maj në "Arenën Kombëtare". Ndërkohë që Egnatia dhe Vllaznia, dy skuadrat e renditura në vendet 1 dhe 2 gjatë sezonit të rregullt mund të kalojnë në finalen e 12 majit edhe me barazim, kjo për shkak të formulës së përcaktuar. Për t'u theksuar se çifti Egnatia - Partizani është përsëritja e finales së "Final 4" të një sezoni më parë.
Ndeshja e parë gjysmëfinale, ajo Vllaznia - Dinamo do të luhet të dielën më 4 maj në orën 20:00. Ndërsa gjysmëfinalja e dytë, Egnatia - Partizani do të zhvillohet të hënën më 5 maj në orën 20:00. Finalja e 12 majit do gjykohet nga arbitri i mirënjohur, polaku Szymon Marciniak.
Përballjet do jenë si më poshtë:
Faza gjysmëfinale më 4 dhe 5 maj - 20:00
4 maj/ Vllaznia - Dinamo
5 maj/ Egnatia - Partizani
9 maj ndeshja për vendin 3/4
12 maj finalja e madhe në "Arenën Kombëtare"
GARA
Ndeshjet gjysmëfinale dhe finalja do të zhvillohen në stadiumin “Arena Kombëtare”, në periudhën 4-12 maj 2025. Gjysmëfinalja e parë do të luhet më 4 maj, ndërsa gjysmëfinalja e dytë më 5 maj. Finalja për vendin e tretë/katërt është planifikuar për datën 9 maj (Elbasan Arena), ndërsa finalja për titullin kampion do të luhet më 12 maj në Tiranë.
FORMULA
Pas përfundimit të kampionatit të rregullt, u përcaktuan edhe vazot e ekipeve për 'Final 4', ku Egnatia dhe Vllaznia ishin pjesë e vazos së parë, ndërsa Dinamo dhe Partizani ishin pjesë e vazos së dytë, në bazë të renditjes pas 36 javëve të rregullta të Superligës. Egnatia (1) dhe Vllaznia (2) mund të kalojnë në finale edhe me barazim në ndeshjet respektive, kundër Partizanit dhe Dinamos, pasi janë të avantazhuara për shkak se e mbyllën sezonin e rregullt të renditura më mirë.
SHPËRBLIMET DHE EVROPA
Të katër skuadrat e kualifikuara për në "Final 4" do të përfitojnë shpërblime sipas rregullores së aktivitetit. Ekipi kampion, përveç shpërblimit financiar, do të sigurojë edhe pjesëmarrjen në turin e parë kualifikues të UEFA Champions League, ndërsa tre ekipet e tjera do të marrin pjesë në raundin e parë kualifikues të UEFA Conference League.
Superliga e futbollit këtë të martë mësoi ndeshjet gjysmëfinale të "Final 4". Më 4 maj luhet Vllaznia - Dinamo, ndërsa më 5 maj sfida Egnatia - Partizani. Të dyja këto sfida do luhen në "Arenën Kombëtare".
Pas shortit, drejtori i Departamentit të Garave në FSHF, Marjus Sulejmani zbuloi se finaja e vogël për vendin e tretë do të luhet në “Elbasan Arena”. Kështu më datën 9 maj skuadrat humbëse të gjysmëfinalave do luajnë në Elbasan dhe jo në Tiranë, siç ishte programuar më herët.
Kujtojmë se finalja e madhe do zhvillohet në "Arenën Kombëtare" më 12 maj në orën 20:00.
Superliga e futbollit në Shqipëri është në fazën "Final 4", teksa u mësuan dy gjysmëfinalet; Egnatia - Partizani dhe Vllaznia - Dinamo. Më datën 4 dhe 5 do mësohen dy skuadrat finaliste që do diskutojnë trofeun më 12 maj në "Arenën Kombëtare" të Tiranës.
Për finalen në FSHF nuk i kanë besuar drejtësisë vendase, ndërsa arbitri i takimit do jetë i mirënjohuri Szymon Marciniak. Polaku është ndër arbitrat më të mirë dhe në vitet e fundit i janë besuar finalet më të rëndësishme, përfshi edhe Argjentinë - Francë në Botërorin "Katar 2022".
Prej 14 vitesh polaku 44-vjeçar mban stemën e FIFA-s dhe drejtoi finalen e Champions League, ku Man. City fitoi trofeun e parë historik në finalen kundër Interit.
Egnatia - Partizani është një nga gjysmëfinalet e 'Final 4' në Superligë për këtë edicion. Në shortin e hedhur sot, fati e deshi që përballë të jenë dy skuadrat që një sezon më parë diskutuan titullin kampion në finale, me trofeun që shkoi në Rrogozhinë.
Për këtë, zyrtari i Egnatias, Xhevdet Zekaj tha se titulli i kampionit do mbetet në Rrogozhinë.
"Klubi funksionon ka të gjitha strukturat e tij, unë mendoj që jam një zë dhe zyrtar i Egnatias kështu që të jeni të sigurt që edhe këto fjalë që do të them janë në emër të Egnatias. Ne vlerësojmë realisht Partizanin, ka një trajner shumë të mirë, ka peshë dhe fanella e vet, por ne shkojmë që të bëjmë atë që Egnatia di të bëjë më mirë, të luajë denjësisht, sa më mirë dhe objektiv fitimin e titullit kampion", tha Zekaj.
Nga ana tjetër, trajneri i Partizanit, Skënder Gega vlerësoi rivalët duke thënë se janë ekipi më i fortë në Superligë. Për Gegën, Partizani është në ndërtim.
"'Final 4' duhet ta shijojmë, klubi ka ardhur në pikësynimet e veta. Do gëzojmë në çdo mënyrë, edhe të ishte me Vllazninë dhe Dinamon. Deri me datë 5 kemi ditë ekstra për të punuar. Të bëjmë më të mirën, në fund të fitojë futbolli.
Rivalët? Egnatia është skuadra më e fortë, por në 'Final 4' tjetër qasje. Ardhja në këtu na ka dhënë qetësi, por dhe besim. Është në “Arena Kombëtare” me mbështetjen e tifozëve, nuk ka shumë gjëra për të thënë.
I vlerësoj kundërshtarët, edhe sikur të mos ishte Egnatia, historia tregon që gjatë vitit humbet pikë me ekipet që nuk kanë kualitetin e Egnatias. Besoj se e vlerësojnë Partizanin. Jemi në 'Final 4' me tre ekipe që kanë bërë shumë mirë, Egnatia ekip kampion, vjen me ecuri të mirë, ka potencial dhe lojtarë të mirë dhe ne po formohemi, deri me datë 5 besoj do jemi 100%.
Gjendja e Partizanit? Nuk janë radikale vendimet, çdo trajner dhe klub ka rregullat e veta, asgjë personale. Çdo gjë ka shkuar si e kemi parashikuar, uljet-ngritjet dhe dilemat janë patjetër. Partizani është kryesor. Gjëra që kanë kaluar, unë mundohem t’i sheshoj situatat kur janë të ngrohta, shpresoj t’i kem 100% të gjithë dhe kjo është më e rëndësishme", tha trajneri i Partizanit.
Vllaznia e ka fituar titullin kampion në Superligë për herë të fundit plot 24 vite më parë. Ai ekip i sezonit 2001 ka qenë me të vërtetë i frikshëm. Tanimë shkodranët gjejnë në gjysmëfinalen e titullit Dinamos, kjo pas shortit të "Final 4".
Menjëherë ka pasur replika mes drejtuesve të dy klubeve, që kërkojnë finalen e madhe që luhet më 12 maj në "Arenën Kombëtare". Drejtori i Dinamos, ish-arbitri Ermal Barushi tha se Blutë ia kanë 'marrë dorën' Vllaznisë.
"Shorti i mirë, kemi bërë ndeshje të mira me Vllazninë gjatë kampionatit, shpresoj që t'ia dalim. Kemi bërë një edicion të mirë deri tani, jemi pjesmarrës në Kupat e Europës prej disa vitesh kemi dhe fazën tjetër dhe duam të fitojmë titullin kampionat. U hodh dhe shorti i vogël për datën, ne do të luajmë në datë 4, shpresoj që t'ia dalim. Ekipi është në stërvitje, presidenti ka pasur arsye personale që nuk është këtu", tha Barushi.
I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Thomas Brdaric, me trajnerin e Vllaznisë që duket besimplotë se të tijtë do kalojnë Dinamon dhe do diskutojnë finalen.
"Mendoj se është diçka e madhe që të jesh në "Final 4", duhet të harrosh çfarë ka ndodhur dhe të fokusohesh te gjysmëfinalja dhe të shkosh në finale për të fituar titullin. Për mua është fitore të shkosh në finale, të jemi të disiplinuar, të fokusuar, të kemi një atmosferë të mirë.
Pas dy dekadash mungesë të titullit në Shkodër, është e rëndësishme që të fitojmë. Kjo ndeshje do të jetë definitivisht deçizive, ne e dimë që ishte e vështirë të arrinim në këtë pozicion dhe është privilegj të jesh këtu dhe tani ne duam të arrijmë maksimumin. Ne shkojmë për të fituar dhe jo për barazimin.
Nuk mund ta menaxhosh barazimin, në sezonin e fundit ne u përballëm me Egnatian dhe për mua ishte një ndeshje e mirë, por e dimë që këtë vit kemi avantazh dhe duam t'i kemi në anën tonë.
Ne kemi një grup shumë të mirë, aftësi, forcë dhe ne duam t'i tregojmë këto cilësi në ndeshjen kundër Dinamos në gjysmëfinale dhe jemi të bindur që shkojmë në finale", tha Brdaric.
Drejtori Sportiv i Vllaznisë, Tefik Osmani foli pas shortit të "Final 4", aty ku Vllaznia në gjysmëfinale do përballet me Dinamon. Osmani thotë se në Shkodër e presin titullin kampion dhe ekipi do bëjë të pamundurën për objektivin madhor. Osmani foli edhe për të ardhmen, teksa së fundmi për të ka pasur interes edhe nga Flamurtari, me vlonjatët që u ngjitën në Superligë pas një mungese pesë vjeçare.
“Mendoj që duhet patur respekt, pothuajse në 36 javë të katërt skuadrat kanë qenë aty dhe janë me merita.
Titulli në Shkodër? Normalisht të fitojmë titullin është qershia mbi tortë. E dimë se ai qytet si e prit një titull dhe sa vite ka. Jemi i vetmi ekip, që jemi pretendent ose kemi arritur në 'Final 4' duke patur shumë elemente të rinj. Po të bësh krahasimin, kemi marrë shumë risk dhe për këtë jam shumë i kënaqur. Asnjë në skuadër nuk e ka një si Dodaj ose si portieri Aroni. Skuadra si Partizani dhe Egnatia kanë një grup me eksperiencë që kanë luajtur më shumë.
E ardhmja? Jam pjesë e Vllaznisë, kam thënë kur nuk e bëj punën mirë, marr çantën dhe iki, nuk më mban kontrata. Me presidentin Xhaferi kam krijuar marrëdhënie si te Tirana me Halilin. Jam ai djali i madh që e di se një ditë do iki sepse prindërit i mban djali i vogël. Më bëhet qejfi që është afruar edhe Ardit Kraja që kam marrëdhënie si vëllai i madh me të voglin, jam më lirshëm kur flas sepse me prindërit mund të kursehesh pak.
Takim me Sinan Idrizin e Flamurtarit? E kam takuar në kryeministri, nuk e di e ka thirrur për aeroportin dhe stadiumin, kurse mua më ka thirrrur për të pranuar për deputet, por nuk e kam pranuar sepse kam dashur formacionin e sigurt. Duke ditur që nuk di ta luaj lojën e politikës.
Duhen respektuar të gjithë presidentët, Arditi është afruar si mik i ngushtë i presidentit Xhaferi. Nuk mendoj që ka patur apo ka probleme te financat.
Dinamo? Çdo ndeshje ka të vetat, para tre ditëve në gjysmëfinale ishte Vllaznia që dominoi pastaj Dinamo. Jemi ndeshur shumë herë, por do jetë tjetër ndeshje.
Puna e drejtorit e kuptoj që duhet të formojë ekip dhe të jetë brenda objektivave. Nuk ka drejtor që thotë do fitoj titullin apo Kupën. Po ta mbani mend kam shkuar në një nëntor ku Vllaznia ishte në vendin e tetë. Tema e mirënjohjes këtu pothuajse është zhdukur, shumë njerëz nuk e përdorin sado të mira të bëjnë. Unë jam nga ato që në rast se largqoftë nuk arrihet titulli kampion, vendos presidenti”, u shpreh Osmani.
Pas shortit të gjysmëfinaleve të "Final 4", për mediet foli edhe Armand Duka. Kreu i FSHF-së konfirmoi se finalen e 12 majit do e gjykojë polaku Szymon Marciniak i cili për momentin është një nga më të mirët në botë. Duka foli edhe për skemën e Superligës, ndërsa pritet që të ketë një vendim në fundin e sezonit nëse fituesi do mësohet për vitin e tretë radhazi me "Final 4" apo do ndryshojë.
“Në fakt në finale dalin stafet dhe futbollistët, presidentët kontribuojnë goxha. Kjo skemë është e disktutuar, për atë që kritikohet akoma më e bukur. Asnjë nuk e di kush mund të dalë. Ne duhet ta shijojmë 'Final 4', duhet të shohim rezultatet e saj dhe pastaj të vazhdojmë për sezonin tjetër.
Gjyqtar i huaj? Kjo diskutohet, edhe gjykimi është faktor i rëndësishëm i garës. Gjykimi në Shqipëri është në nivel dhe përgjigjet. Në 'Final 4' do gjykojnë katër gjyqtarët e FIFA-s që kemi. Ai që do gjykojë të parën, nuk do jetë në gjysmëfinalen e dytë. Po nëpërmjet shortit. Sot duhen 7 gjyqtarë, të tjerët do jenë në pozicione të tjera. Ne kemi zgjedhur një nga arbitrat më të mirë të globit, polakun Szymon Marciniak, për të pasur sa më pak aludime për fituesin”, tha presidenti Duka.
Komente
