Agron Hysenlliu për Report TV: Siguria e ndërtesave do testohet me ‘tërmete artificiale’! S’ka bilanc për 21 shtatorin, akt-ekspertizat i 'hodhi' poshtë 26 nëntori

21 Shtator 2020, 15:39| Përditesimi: 21 Shtator 2020, 16:41

  • Share

Me magnitutë 5.6 të shkallës rihter ishte tërmeti i 21 shtatorit të vitit të kaluar. Sot një vit më pas më shumë se për këtë lëkundje sizmike vëmendja është përqendruar tek rindërtimi i banesave të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit.

Ende pa përfunduar kontrollet për lëkundjet e shtatorit, erdhi ajo e nëntorit duke i bërë të pavlefshme akt-ekspertizat e kryera nga Instituti i Ndërtimit deri në atë ditë. Drejtori i Institutit të Ndërtimit Agron Hysenlliu thotë se bilancet e dëmeve të 21 shtatorit nuk janë të plota.

“Tërmeti i shtatorit pati goxha dëmtime sidomos në banesat e vogla, ato 1 katëshe dhe në shtëpitë e ndërtuara përpara viteve 90. Kryesisht ka qenë pjesa e Vorës me dëmtime të mëdha në banesat 1 katëshe.  Me rënien e tërmetit të 26 nëntorit e gjithë puna e bërë për tërmetet e shtatorit detyrimisht u bë nul pasi ne do të fillonim prapë do ti rishikonim ndërtimet sepse kishte rënë një tremet më i madh", pohon Hysenlliu për Report TV.

Tre kanë qenë problemet e konstatuara në banesat e dëmtuara nga tërmeti i një viti më parë.

“Objektet që pësojnë dëme kanë tre karakteristika kryesore: Koha e projektimit, pjesa e jetës së objektit dhe ndërhyrjet që janë kryer në objekt. Të tre këto karakteristika u konstatuan në objektet e dëmtuara në 21 shtator. Bashkë me emergjencat civile të republikës ne kemi kryer të gjitha të gjitha projektet që duhet të adaptohen për tu ndërtuar këto shtëpi dhe janë ndërtuar mbi 350 shtëpi në dijeninë time për tërmetin e 21 shtatorit”, thotë Agron Hysenlliu.

Por çfarë është bërë deri më tani për të shmangur shembjet dhe dëmtimet masive të banesave?

Në janar të këtij viti parlamenti mirato ndryshimet ligjore që i hapnin rrugën kontrollit teknik për të gjitha objektet, të cilat kanë mbi 50 vjet që janë ndërtuar, për të vlerësuar nëse janë ose jo të qëndrueshme dhe të sigurta, për të banuar apo ushtruar aktivitete publike. Sipas ligjit kontrolli do të kryhet për të gjitha ndërtimet publike ose jo publike që kanë një vlerë të paktën 10 milionë lekë, por edhe objektet publike, si kopshte, çerdhe apo shkolla.

Më pas në muajin gusht qeveria depozitoi dy projektligje të reja. Projektligji “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit” të ndryshuar që synon të ndalohen të gjitha ndërtimet pa leje në vend, të ndëshkohen me gjobë, konfiskim të objektit e deri në shembje të gjithë ata që shkelin lejen e ndërtimit. projektligji i dytë i miratuar ishte ai për “Disiplinimin dhe Kontrollin e Punimeve”. Ku në të dy nismat bëhet e detyrueshme lidhja e kontratës së sigurimit që nga projektuesi deri tek ndërtuesi për të gjitha godinat e reja. Të dy projektligjet janë hartuar si domosdoshmëri për të rritur sigurinë e objekteve, pas tërmeteve të vitit të kaluar. Po ashtu në vazhdim komisionet do të diskutojnë edhe ndryshimet në kodin penal, duke propozuar dënimin me deri në 15 vjet burg të ndërtuesve dhe projektueseve që abuzojnë me cilësinë e ndërtimit.

Ndërkohë Hysenlliu thotë se legjislacioni ishte i plotë thjesht duhet zbatuar. “Legjislacioni shqiptar ka qenë i plotë që në fillim janë bërë vetëm disa ndërhyrje që kishin të bënin me tërmetin, sepse pjesa e kolaudimit, e projektimit të banesës është materializuar në ligjin ekzistues edhe sot. VKM që ka dalë për kontrollin teknik është e domosdoshme e kishim negociuar që në vitin 2014 nuk është se doli vetëm për tërmetin. Ne e kemi kërkuar vazhdimisht por pas tërmetit u pa e domosdoshme edhe nga parlamentarët që duhet bërë kjo gjë”, thotë Hysenlliu teksa shton se rritja e masave ndëshkuese në të tilla raste është zgjidhje.

“Rritja e masave ndëshkuese i  bën njerëzit më të ndërgjegjshëm. Rasti konkret është rripi i sigurimit që nuk vendosej nga asnjëri ndërsa tani e vendosim, nga frika e policit në rrugë. Është domosdoshmëri ndëshkimi i atyre që ndërhyjnë në strukturë”, thotë drejtori i Institutit të Ndërtimit.

Ora 15:54
Iu vendosën eksplozivë për ta dobësuar, Hysenlliu: Pallati 13-katësh në Durrës s'ka dëmtim në kolonat mbajtëse, por anim si Kulla e Pizës

Në qytetin e Durrësit sipas drejtorit të Institutit mund të ndërtohet, vetëm nëse plotësohen disa kritere bazë.

“Qyteti i Durrësit nuk ka problematikë sa ndërtohet por se si ndërtohet. Cilat janë kostot e ndërtimit a janë ndërtuar brenda parametrave dhe eurokodeve, nëse zbatohen këto unë si inxhinier nuk shikojnë asnjë problematikë”, u shpreh Hysenlliu.

Drejtori ka shpjeguar edhe teknikën që po përdoret për të shembur pallatin 13 katesh në Durrës. Pallati rezistoi edhe pas 12 shpërthimesh të njëpasnjëshme, pasi nuk ka pasur dëmtime në strukturë por ka dalë nga objekti.

“Në inxhinieri ka dy lloj konceptesh që kemi ne soliditet dhe qëndrueshmëri. Soliditeti ka të bëjë me aftësinë mbajtëse të objektit materiali mund të mos jetë dëmtuar fare ndërsa qëndrueshmëria ka të bëjë me formën. Nëse një objekt është i inklinuar ose nga Kulla e Pizës ai rrezikon të përmbyset dhe të mos të prishet asnjë kolonë e tij. Por kjo të jep përsëri dëmtime  në këtë koncept ne jemi të detyruar që objektin ta shkatërrojmë.  Pallati në Durrës ka pasur një inklinim dalje nga objekti i vet janë bërë matjet dhe kemi rënë dakord që objekti të shembet”, deklaroi drejtori.

Ora 15:53
Tërmeti i 26 nëntorit, Hysenlliu: Ishte shkollë për inxhinierët, kemi parë çudira! Zyrat e Urbanistikës të dalin në terren të bëjnë kontrolle

Pas tërmeteve të vitit të kaluar Drejtori i Institutit të Ndërtimit thotë se ka pasur një bum kërkesash nga bashkitë për të bërë ekspertiza në banesa. Sipas tij nuk mund të kontrollohet i gjithë territori por Zyrat e urbanistikës nëpër Bashki të dalin në terren dhe të bëjnë pasaportizimin e të gjitha objekteve sa është vjetërsia dhe cilat janë rrezikshmëria e tyre.

“Problematika e kontrollit të objekteve në konceptin tim si inxhinier është kryesisht në bashkitë. Zyrat e urbanistikës nuk duhet të jenë zyra vetëm për dhënie lejesh, por të kontrollit periodik në terren. Zyrat e urbanistikës shkojnë kontrollojnë dhe kur shikojnë që nuk janë të specializuara I ndërtohen institutit të ndërtimit. Zyrat e urbanistikës kanë për detyrë kontrollin dhe evidentimin dhe njëkohësisht pasaportizimin e të gjitha objekteve sa është vjetërsia dhe cilat janë rrezikshmëria e tyre. Instituti i Ndërtimit ndërhyn vetëm në ato vende ku e kërkojnë bashkitë dhe që kërkojnë një vlerësim të specializuar", tha Hysenlliu.

A ka pasur kërkesa për kontrolle?

"Në kërkesat për kontrollin e banesave e kemi pasur që përpara miratimit të ligjit, por tani pas tërmetit po kërkojnë të gjitha bashkitë dhe persona privat që t’ju bëhet akt ekspertiza e thelluar e objektit po është një pamundësi e madhe që ne të operojmë në të gjithë territorin, por duhet të bëhet seleksionimi i vjetërsisë së objektit, shkallës së dëmtimit dhe ndërhyrjeve që janë kryer në objekt”, thotë ai.

Sa i takon tërmetit të 26 nëntorit Hysenlliu thotë se ai ishte një shkollë fillimisht për inxhinierët e ndërtimeve.

Në tërmetin e 26 nëntorit kam parë çudira nga më të ndryshmet. Katet shtesë dhe devijimet janë minimale aty ka shkelje urbanistike. Por ka edhe shkelje konstruktive janë vendosur shinat. Për të krijuar ambiente në ballkone që ka prishur punën e objektit, çarje të themeleve në pjesën fundore. Ka qenë shkollë e madhe edhe për inxhinierët, këto ndërhyrje janë bërë nëpër pallate nga njerëz të paautorizuar. Duhet të ndërgjegjësohen zyrat e urbanistikës, dhe ti jepet rëndësi kontrollit në territor”, pohon për Report TV drejtori i Institutit të Ndërtimit.

Tërmeti i 26 nëntori i vitit 2019 me magnitudë 6.3 ballë do të mbahet mend si një ditë e rëndë për shqiptarët, pasi shkaktoi 51 viktima, plagosi 900 të tjerë, si dhe zhvendosi nga banesat e dëmtuara rreth 17 mijë njerëz. Në total prej kësaj katastrofe natyrore u prekën 202.291 persona në 11 njësi të qeverisjes vendore.

Ora 15:52
Instituti i Ndërtimit: 700 mijë ndërtesa do të kontrollohen për sigurinë me ‘tërmeteve artificiale’, nisim në shkurt 2021

Hysenlliu ka shpjeguar për Report TV metodën që do të ndiqet për kontrollin teknik të banesave.

Instituti ka marrë një nismë të madhe duke nënshkruar një kontratë me një firmë italiane dhe universitetin politikenik të Milanos dhe po çojmë 12 persona për specializim që do të kryejnë provat me “oushilim” që e quajmë ne, prova që janë ndërhyrje të reja që kryhen në të gjithë botën pasi nuk janë prova pa shkatërrim.  Provat pa shkatërrim kërkojnë kohëzgjatje dhe mund të zgjasë deri në 1 vit e gjysmë. Ndërsa provat me “oushilim” zgjat 1 deri në 3 ditë”, thotë ai.

Janë 700 mijë banesa që do ti nënshtrohen kontrollit, dhe procesi do të përfundojë brenda 18 muajsh.

“Kjo konsiston që aparaturat që janë sot moderne stimulojnë një tërmet duke vendosur sensorët përkatës në të gjithë objektin dhe stimulohet tërmeti për të parë se ku objekti I ka problemet më të mëdha. Vetë kompjuterët që kanë këto makineri japin performancën, kapacitetet mbajtëse të objektit dhe në këtë drejtim japin nëse mund të riparohet apo jo ky objekt", u shpreh Hysenlliu.

Do bëhet në objektet e ndërtuara?

"Ne kemi ngritur grupin do trajnohet 10 ditë në Milano. Sapo të trajnohen do të certifikohen në MCE do të blihen makineritë dhe besoj në shkurt ne do të kemi gati këtë lloj shërbimi për qytetarët dhe 700 mijë banesa në vend ne mund ta kryejmë për 1 vit ose 1 vit e gjysmë. Ndërsa me metodën klasike mund të na duhen 10 ose 15 vjet.  Edhe kontrolli që iu duhet bërë objekteve të reja përsa i përket betoneve deri në vepër”, shpjegon Hysenlliu.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?