Me ftesë të homologut çek, Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, Drejtues Elidon Çela, së bashku me shefat e Sektorit të Policisë Rrugore dhe të Hetimit të Narkotikëve, zhvilluan një vizitë zyrtare në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Karlovy Vary, në Republikën Çeke.
Kjo vizitë kishte në fokus shkëmbimin e përvojave profesionale, forcimin e bashkëpunimit dypalësh dhe njohjen me praktikat e avancuara të Policisë Çeke në fushat e rendit publik, sigurisë rrugore, hetimit kriminal dhe menaxhimit të kufijve.
Gjatë takimit me Drejtorin e Policisë Rajonale të Karlovy Vary, Kol. Mgr. Michal Šavrňa, u diskutua mbi mënyrat e bashkëpunimit në hetimet ndërkufitare, përdorimin e teknologjisë moderne në shërbimet policore, si dhe shkëmbimin e përvojës për rritjen e efikasitetit në luftën kundër krimit të organizuar, narkotikëve dhe në fushën e sigurisë rrugore.
Përfaqësuesit e Policisë së Vlorës u njohën nga afër me praktikat, mjetet dhe pajisjet që përdoren nga Policia Çeke, veçanërisht në drejtim të monitorimit të trafikut, menaxhimit të aksidenteve dhe përdorimit të teknologjisë inteligjente në shërbimet rrugore.
Drejtuesit e Policisë së Vlorës u mikpritën gjithashtu nga Prefektja e Rajonit Karlovy Vary, Jana Mračková Vildumetzová, në një takim të veçantë, gjatë të cilit ajo vlerësoi punën dhe kontributin aktiv të Policisë Shqiptare në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe në përmirësimin e politikave të sigurisë. Prefektja theksoi se Shqipëria po ecën me hapa të sigurt drejt vlerave evropiane dhe vlerësoi përparimin e bërë në fushën e rendit publik dhe të migracionit, duke nënvizuar rëndësinë e takimeve të tilla për forcimin e mirëkuptimit dhe partneritetit ndërmjet institucioneve të sigurisë.
Komente
