Drejtuesi i Prokurorisë së Përgjithshme, Olsian Çela, tha se është e rëndësishme ndjekja e rekomandimeve të qeverisë për lutën ndaj kriminalitetit, prezantimin e të cilave e bëri sot ministri Ulsi Manja.
Një nga pikat kryesore që pritet të ndjekin prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm është plotësimi i tyre me organikën e duhur. Çela bëri me dije se sot ka një mungesë 35% në organikë dhe e bën të vështirë ndjekjen e rekomandimeve.
“I rëndësishëm për ndjekjen e rekomandimeve do të jetë sidomos për Prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm plotësimi i organikave. Ngritja e seksioneve të posaçme dhe njësive të specializuara kërkon njerëz pasi ende ne kemi 35% të mungesave në organikë, le të themi kjo relativizon shumë mundësinë e ndjekjeve të rekomandimeve”, tha Çela.
Së dyti, Çela kërkoi sigurimin e kushteve të punës për prokurorët.
“E dyta që doja ta ngrija zoti ministër është një çështje që ka të bëjë me infrastrukturën, sidomos me prokurorinë Tiranë dhe me gjykatën e këtij rrethi, është çështje urgjente. Shpresoj në vijimin e përpjekjeve për një zgjidhje, pasi cilësia në ndjekjen e hetimeve lidhet edhe me sigurimin e kushteve të punës”, tha ai.
Lajmi kryesor:
Lufta ndaj krimit/ ‘Përplasje’ Manja-Dumani! Ministri: Struktura të reja për çështjet komplekse! Kreu i SPAK: Rekomandimet subjektive, të vështira për t’u zbatuar
SI.E./I.M/ReportTv.al
