TIRANË- Qeveria propozon një sërë çështjesh që sipas saj sistemi i prokurorisë, duhet të mbajë në konsideratë gjatë vitit të ardhshëm. Ato përfshijnë një rreze të gjerë fushash që nga respektimi i të drejtave të njeriut, te prezumimi i pafajësisë, vonesat në hetime apo forcimi i mekanizmave të kontrollit të brendshëm.
Disa prej rekomandimeve ngjajnë të jenë një rikthim i kritikave që shumica shfaqi ndaj Prokurorisë së Posaçme, pas arrestimit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, si ato kur flitet për “përdorim proporcional të masave të sigurimit, apo “hetime korrekte dhe të paanshme”, si dhe nevoja për të “trajtuar seriozisht çdo ankesë për sjellje të papërshtatshme dhe të rritet transparenca për qytetarët”.
“Rekomandimet janë konkrete, të matshme dhe të zbatueshme. Ministria e Drejtësisë do të ndjekë nga afër zbatimin e tyre dhe është e gatshme të bashkëpunojë ngushtësisht me prokurorinë në çdo hap të këtij procesi”, tha Manja.
Por menjëherë pas tij, kreu i Prokurorisë së Posaçme Altin Dumani ndonëse u përpoq të zgjidhte fjalët, bëri të qartë se nuk ndante të njëjtin vlerësim.
“Pasi jemi njohur me rekomandimet nuk mund të rri pa thënë disa elementë, disa gjetje tonat. Rekomandimet nuk shoqërohen me të dhëna statistikore, analizë krahasuese apo tregues konkret që justifikon nevojën për ndërhyrje. Kjo mungesë i bën rekomandimet të duken subjektive dhe vështirë të matshme sidomos për SPAK që funksionon mbi bazën e efikasitetit, rezultateve dhe besueshmërisë publike. Rekomandimet tek një pjesë e tyre përdorin terma të përgjithshëm si hetimet proaktive, forcimi i qasjes strategjike, por nuk ofrojnë asnjë përkufizim operacional.
Kjo krijon pasiguri për zbatimin praktik dhe mund të çojë në interpretim të ndryshëm nga institucionet zbatuese. Një rekomandim tjetër që shikoj, megjithëse në vlerësimin e institucionit tonë nuk ka të bëjë me prioritete dhe luftën kundër kriminalitetit, por është ajo që ju e thoni në rekomandimet tuaja “nevojë për respektim të mekanizmave ekzistues të kontrollit”. Rekomandohet forcim i mekanizmave të brendshme kontrollit.
Disa nga rekomandimet janë shumë të përgjithshme dhe nuk përcaktojnë objektiva të matshëm, institucione përgjegjëse apo burime konkrete duke rrezikuar të mbeten jo të zbatueshëm. E thashë për ti bërë parapri, sepse ne në fund të çdo viti raportojmë edhe përmbushjen e rekomandimeve të Këshillit të Ministrave. Kështu që patjetër në tërësinë e tyre rekomandimet janë të mirëpritura dhe shprehim angazhimin maksimal si institucion që këto rekomandime të jenë në prioritetin e punës së institucionit, por nga ana tjetër disa prej tyre nga mënyra se si janë formuluar apo si janë konceptuar nga pikëpamja praktike paraqesin vështirësi për tu zbatuar. Dhe unë që tani konstatoj vështirësi se si do të raportoj për përmbushjen e këtyre rekomandimeve”, u shpreh Dumani.
Një nga rekomandimet e qeverisë ishte dhe krijimi i disa strukturave të reja të specializuara për çështje komplekse, një pikë të cilën ministri e la pak të paqrtë dhe pa shpjegim.
“Efiçensa dhe ngritja e kapaciteteve institucionale, nevojitet krijimi i strukturave të specializuara për çështje komplekse, investim në teknologji e burime njerëzore dhe zhvillim trajnimesh me Shkollën e Magjistraturës dhe partnerët ndërkombëtarë", tha Manja.
Por edhe për këtë pikë Dumani nuk ishte i bindur.
“SPAK, tashmë subjekt i mbikëqyrjes nga KLP, ILD, krijimi i strukturave të reja vlerësimi dhe integriteti pa analizë të mekanizmave ekzistues rrezikon të sjellë një mbingarkesë burokratike.”
Manja sqaroi se rekomandimet janë orientuese dhe se metodologjia që e shoqëron është më e detajuar.
Shqetësime gjatë takimit shfaqi dhe Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela.
“Kemi mungesë 35% në organikë, çka e bën të vështirë plotësimin e rekomandimeve. Në prokurorinë dhe gjykatën tiranë sidomos është urgjente përmirësimi i infrastrukturës, pasi cilësia në ndjekjen e hetimeve lidhet me sigurimin e kushteve të punës”.
Kërkohet respektimi strikt i të drejtave procedurale të të pandehurve dhe viktimave, shmangia e vonesave të pajustifikuara në hetime dhe përdorimi proporcional i masave të sigurimit. Shteti i së drejtës nis nga një hetim korrekt dhe i paanshëm. Prokuroria duhet të promovojë përdorimin e procedurave të posaçme, si marrëveshjet për pranimin e fajësisë dhe gjykimet e shkurtuara, veçanërisht për të miturit dhe rastet ku ndëshkimi mund të jepet nëpërmjet alternativave efektive ndaj burgimit.
Kërkohet rritje e hetimeve të nisura kryesisht, ndjekje penale efektive për korrupsionin, veçanërisht në nivele të larta, dhe hetime financiare për pasuri me origjinë kriminale. Duhet forcuar bashkëpunimi ndërkombëtar, veçanërisht në luftën kundër trafikimit të narkotikëve dhe krimit të organizuar. Krijimi i njësive të specializuara për krimin kibernetik është një nevojë strategjike.
Prokuroria duhet të forcojë mekanizmat për kontrollin e brendshëm dhe llogaridhënien, përtej vetting-ut. Duhet trajtuar seriozisht çdo ankesë për sjellje të papërshtatshme dhe të rritet transparenca për qytetarët. Kërkohet miratimi i standardeve të qarta për etikën dhe profesionalizmin, si dhe publikimi i praktikave të punës në përputhje me legjislacionin për të drejtën e informimit dhe mbrojtjen e të dhënave personale.
Nevojitet krijimi i strukturave të specializuara për çështje komplekse, investim në teknologji dhe burime njerëzore, si dhe zhvillimi i trajnimeve të vazhdueshme në bashkëpunim me Shkollën e Magjistraturës dhe partnerët ndërkombëtarë. Trajnimi për antikorrupsion, krim të organizuar dhe krime kibernetike duhet të jetë prioritet kombëtar.
Përdorimi i inteligjencës artificiale, teknologjive digjitale dhe analizës së të dhënave janë thelbësore për hetimin e krimeve komplekse. Kërkohet intensifikim i metodave proaktive të hetimit, përfshirë përgjimet, ndjekjet financiare dhe mbikëqyrjen elektronike, si dhe bashkëpunim i ngushtë me strukturat hetimore të Policisë së Shtetit.
Ministria e Drejtësisë është e gatshme të bashkëpunojë ngushtësisht për hartimin dhe monitorimin e politikave penale, shkëmbimin e statistikave dhe përmirësimin e ndihmës juridike ndërkombëtare. Synimi ynë është një mekanizëm i përbashkët për analizën dhe ndjekjen e progresit në luftën kundër kriminalitetit.
Duhet ndërtuar një strategji e koordinuar ndërmjet Prokurorisë së Përgjithshme, SPAK-ut, Policisë së Shtetit dhe institucioneve të tjera publike. Marrëveshjet për shkëmbimin e të dhënave, përcaktimi i pikave të kontaktit dhe transparenca ndërinstitucionale janë kyçe për suksesin në përballjen me krimin.
Pjesëmarrja aktive në strukturat si Eurojust, Europol dhe EMPACT është thelbësore për trajtimin e krimeve ndërkufitare. Krijimi i skuadrave të përbashkëta hetimore është mjeti më efektiv për ndarjen në kohë reale të provave dhe për të ndjekur penalisht krimin e organizuar ndërkombëtar.
Drejtuesi i Prokurorisë së Përgjithshme, Olsian Çela, tha se është e rëndësishme ndjekja e rekomandimeve të qeverisë për lutën ndaj kriminalitetit, prezantimin e të cilave e bëri sot ministri Ulsi Manja.
Një nga pikat kryesore që pritet të ndjekin prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm është plotësimi i tyre me organikën e duhur. Çela bëri me dije se sot ka një mungesë 35% në organikë dhe e bën të vështirë ndjekjen e rekomandimeve.
“I rëndësishëm për ndjekjen e rekomandimeve do të jetë sidomos për Prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm plotësimi i organikave. Ngritja e seksioneve të posaçme dhe njësive të specializuara kërkon njerëz pasi ende ne kemi 35% të mungesave në organikë, le të themi kjo relativizon shumë mundësinë e ndjekjeve të rekomandimeve”, tha Çela.
Së dyti, Çela kërkoi sigurimin e kushteve të punës për prokurorët.
“E dyta që doja ta ngrija zoti ministër është një çështje që ka të bëjë me infrastrukturën, sidomos me prokurorinë Tiranë dhe me gjykatën e këtij rrethi, është çështje urgjente. Shpresoj në vijimin e përpjekjeve për një zgjidhje, pasi cilësia në ndjekjen e hetimeve lidhet edhe me sigurimin e kushteve të punës”, tha ai.
Komente

plasen komentet e sufllaqeve , qe sna duhet spak ...............
PërgjigjuMos puno me 2 standarte,Mos arresto pa akuze,mos harro krimet ekstreme qe kane ndodhur ne te kaluaren .
PërgjigjuDuket qarte qe Dumani nuk do kontroll, sepse e di qe nuk do kete me mundesi te bej SPAK sikur ta kete nje organizate personale dhe ta perdori sipas qejfit. Kontrolli nuk ben dem. KLP, ILD duhen kontrolluar per vete, sepse nuk bejne asgje.
PërgjigjuNe gjithe boten europiane ska spak, ka institucione te konsoliduara gjykata me integritet dhe prokurori me integritet. Ne euro ska as Klsh, ka gjykata insitucionale, klsh eshte institucion gjobvenes dhe asnjehere rregullues apo korigjues.
PërgjigjuNuk shkon kjo pune qe spak eshte bere superfuqi nderkohe prok te rrethit i zbeh , duhen balancuar gjithe elementet
PërgjigjuMe sa mbaj MËNDË e me sa DITURI KAM NGA JETA INSTITUCIONE TË. PA KONTROLLUESHME NUK KA.S.P.A.K (ALIAS A.DUMAMANI) MOS U TREMB NGA KONTROLLI.FRIKA ËSHTË MENTALITET I TË KEQIT.
PërgjigjuI paska hyre frika dum dumanit? Nje fjale e urte thot : Beso dhe kontrollo .Ti dum po le kriminelet qe bredhin mbar botes per te shpetuar krye kriminelin sali , dhe ilir .