Prefekti i Vlorës Flamur Mamaj ka bllokuar projektbuxhetin e Bashkisë së Vlorës dhe paketën fiskale për vitin 2022, duke kërkuar të bëhen disa ndryshime për pastrimin e qytetit.
Në relacion thuhet se "buxheti i parashikuar për pastrimin në qytet është më i ulët se në vitin paraardhës, duke mos reflektuar rritjen e taksës së pastrimit më 40-70 % për kategori të ndryshme të biznesit". Po kështu pika të tjera që kundërshtohen nga Prefektuara janë investimet dhe detyrimet ndaj furnitorëve. Pritet që ndryshimet në buxhet të rikthehen në këshill bashkiak mbledhjen e radhës, ndërsa kryebashkiaku Dritan Leli nuk ka reaguar.
Kujtojmë se 3 muaj më parë Kryeministri Edi Rama u dha ultimatum kryebashkiakëve se nuk do të kalojë asnjë buxhet i këshillit bashkiak nëse nuk parashikohen fondet për pastrimin e qytetit.
Argumentimet në relacion
Në relacionin përcjellës zyra juridike e prefekturës ka cilësuar të paligjshëm buxhetin duke listuar katër argumente.
1- Emërimet e tarifave, pastrim, ndriçim, gjelbërim për bizneset më të ardhura nga 0-8 mln lekë bien ndesh ne ndryshimet e miratuara në paketën fiskale miratuar në nëntor 2021.
2-buxheti i parashikuar për pastrimin në qytet është më i ulët se në vitin paraardhës, duke mos reflektuar rritjen e taksës së pastrimit më 40-70 % për kategori të ndryshme të biznesit .
3-Mos përmbushjen e detyrimit ligjor për mirëmbajtjen e tokës bujqësore. Për mirëmbajtjen e saj është parashikuar më pak se 40% e të ardhurave që vijnë nga taksat për tokën bujqësore , në zërin e investimeve.
4- Nuk janë përfshirë në zërin e shpenzimeve, detyrimet ndaj kreditorëve dhe furnitorëve.