Identifikohet dhe arrestohet autori i dyshuar i zjarrvënies në fshatin Kakavijë të Gjirokastrës ditën e djeshme, për shuarjen e të cilit u desh edhe ndërhyrja nga ajri e autoriteteve të Greqisë me helikopterë.
Ngjarja ndodhi pasi i ndaluari Kosta Nini, 39 vjeç, gjatë punës me troko, ndezi zjarr që rrezikoi jetën e banorëve, si dhe dogji 4 banesa, sipërfaqe pyjore dhe pemë frutore.
“Si rezultat i veprimeve hetimore dhe operacionale, të kryera menjëherë pas njoftimit se në fshatin Kakavijë kishte rënë zjarr, Policia e Gjirokastrës ka mundësuar identifikimin dhe arrestimin e autorit të dyshuar të këtij rasti, shtetasit K. V., 39 vjeç, banues në këtë fshat. Nga këto veprime rezultoi se 39-vjeçari, gjatë punës në banesën e tij, me troko, ka shkaktuar zjarr, i cili i favorizuar nga era e fortë, ka rrezikuar jetën e banorëve në fshatin Kakavijë, si dhe ka djegur 4 banesa, sipërfaqe pyjore dhe pemë frutore”, njoftoi policia vendore.
Banorët u evakuan nga shërbimet e Policisë, ndërsa zjarri u shua si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet shërbimeve të Zjarrfikëses, Policisë së Shtetit, FRONTEX-it dhe Forcave të Armatosura, të asistuara nga helikopterë të autoriteteve greke.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Gjirokastrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale "shkatërrimi i pronës me zjarr" dhe “shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”.
“Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër apelon për të gjithë banorët që në asnjë rast të mos shkaktojnë zjarr, pasi do të përballen me ligjin. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112, çdo rast zjarrvënieje dhe paligjshmërie në tërësi, duke iu garantuar anonimat, reagim të shpejtë dhe të paanshëm”, bëri me dije policia vendore.
Lajmi kryesor:
Delvina digjet nga zjarret, evakuohen banorët e 3 fshatrave! Vengu: Situatë e përmirësuar gjatë mbrëmjes, 8 banesa të djegura! Në flakë edhe mali i Shpiragut (VIDEO)
A.Q/SI.E./ReportTv.al