DELVINË- Delvina po përballet me një situatë kritike nga zjarri. Prej disa orësh, flakët kanë dalë jashtë kontrollit në 3 fshatrat Palavli, Vergo dhe Kopaçëz. Për këtë arsye, banorët e 3 fshatrave u evakuuan me urdhër të Ministrisë së Mbrojtjes deri në një njoftim të dytë.
Banorët flasin për rreth 40 banesa të prekura nga flakët të djegura plotësisht ose pjesërisht, ku 8 prej tyre janë të banuara, ndërsa dëme të shumta pati edhe në pemëtari e bagëti. Në të 3 këto fshatra deri tani mungon edhe energjia elektrike.
Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, ka deklaruar se situata në fshatrat Vergo, Palavli dhe Kopaçëz, në Delvinë, është përmirësuar gjatë mbrëmjes.
Ndërkohë, shefi i Komisariatit të Delvinës, Naim Lala u asfiksua gjatë ditës së sotme dhe tashmë ndodhet në spital. Po ashtu, raportohet se edhe 5 persona të tjerë janë paraqitur në Shërbimin e Urgjencës ku janë trajtuar për djegie të shkallëve të ndryshme dhe problemeve shëndetësore të shkaktuara si pasojë e asfiksimit, ndërsa dy raste u dërguan drejt Spitalit të Sarandës.
Në zonë për të ndjekur situatën nga afër ka shkoi gjatë pasdites së sotme edhe Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu. Në një raportim për Report Tv, ministri Vengu deklaroi se u mbyll tuneli i Skërficës për shkak të tymit të dendur.
Edhe Senica u përball me situatë kritike. Katër banesa dhe qindra pemë frutore janë zhdukur në Senicë, ndërsa banorët u përballën me orë tmerri, në një përpjekje për të shpëtuar jetën dhe ato pak gjëra që mundën të nxirrnin nga flakët.
Kisha e Shën Dhimitrit, një ndër më të vjetra në jug të vendit është shkrumbuar plotësisht nga flakët. Një monument kulture i rrallë, pjesë e identitetit historik të zonës, nuk ekziston më.
Pamjet me dron, të siguruara nga Report Tv, tregojnë një panoramë tronditëse, ku fshati është mbuluar nga hiri. Kryeplaku dhe banorët e Senicës të tronditur flasin për dëmet e mëdha.
“Na u dogj fshati komplet. Kisha, banesat, pemët... Çatia e kishës ra përdhe para syve tanë. Dhe zjarri prapë po afrohet nga poshtë”, thotë një banor.
Zjarri ra pasditen e së enjtes në mal dhe për shkak të erës së fortë dhe temperaturave të larta u përhap me shpejtësi drejt zonës së banuar.
“Kisha ishte simboli i këtij fshati, aty ku bashkoheshim si njerëz, si besimtarë. Nuk kemi humbur vetëm një godinë, kemi humbur zemrën tonë. Shtëpitë janë djegur me themel, tokat janë bërë shkrumb. Dhimbja që ndjejmë është e papërshkrueshme”, thotë në banor tjetër.
Prej ditësh, edhe Parku Kombëtar i Lurës digjet pa pushim. Tre vatra aktive në zonën e Liqenit të Luleve po shkatërrojnë pishat e bimësinë. Në terren janë mbi 100 forca, ndërsa nga ajri ndihmon një avion Canadair nga Kroacia.
Zjarri i rënë para disa ditësh në Shkopet ka përparuar drejt fshatit Fang në Mirditë duke rrezikuar dhe zonën e antenave. Punonjës të bashkisë mbeten të lënduar, ndërsa punonin me mjete rrethanore. Pritet ndërhyrja nga ajri.
Emergjencat Civile raportojnë për 10 vatra aktive në vend, ndërsa ne terren janë 680 forca operacionale, 52 mjete zjarrfikëse, 2 helikopterë të FA,2 helikopterë hungarezë dhe 1 avion Canadair nga Kroacia. Përballë kësaj gjendjeje alarmante, vetëm dy persona janë proceduar penalisht, në Kakavijë dhe Dovolan të Korçës.
Situata paraqitet shumë problematike në Verbas-Matogjin pjesë e Bashkisë Selenicë. Zjarri që nisi që dje në Sevaster si pasojë e erës ka kaluar edhe në fshatin Verbas Matogjinë.
Ndërsa, në flakë vijon që të jetë edhe zona në afërsi të tunelit të Skërficës.
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, vizitoi mbrëmjen e sotme në urgjencën e QSUT-së shefin e Komisariatit të Delvinës, komisar Agim Troci, i cili pësoi djegie në bark, krah dhe këmbë gjatë përpjekjeve për të ndihmuar në shuarjen e një zjarri në zonën e Senicës, Delvinë.
Presidenti vlerësoi aktin e guximshëm dhe përkushtimin e komisar Trocit dhe dha një mesazh ndërgjegjësues për qytetarët:
“Vlerësoj maksimalisht angazhimin e forcave zjarrfikëse, emergjencave civile, forcave të armatosura dhe pushtetit vendor në përballimin e kësaj situate të vështirë me temperatura shumë të larta. Ftoj qytetarët të tregojnë kujdes dhe përgjegjësi parandalimi fillon nga secili prej nesh. Bashkëpunimi dhe kontributi me këto struktura është thelbësor për sigurinë e jetës dhe të pronës. Çdo akt zjarrvënieje është i dënueshëm dhe sjell pasoja të rënda për jetën dhe pasurinë.”
Presidenti Begaj theksoi se institucionet janë në gatishmëri të plotë dhe të pranishme në të gjitha zonat më problematike të vendit.
Një zjarr i madh, ka rënë në fshatin Konisbaltë, i cili ka përparuar pasditen e sotme drejt fshatit Mishovë e më pas drejt malin Shpirag, ku aktualisht po vijon me intensitet të lartë.
Zjarri është duke u përhapur me shpjetësi, i favorizuar nga era dhe temperaturat e larta. Situata nuk po vihet dot në kontrroll nga zjarrëfikësit dhe forcat e ushtrisë që kanë kërkuar edhe ndërhyrjen me helikoterë nga ajri.
Ndërhyrja e tyre për fikjen e zjarrit po kryehet me mjete rrethanore, për shkak të mungesës së rrugës dhe kjo e bën mē të vështirë aksionin e zjarrëfikësve dhë ushtrisë për fikjen e zjarrit.
Aktualisht zjarri ka përfshirë të gjithë sipërfaqen e malit Shpirag, ku po shkrumbon shkurre e ferra.
Zjarri po përparon edhe drejt ullishteve në fshatin Galinë, ku janë përqëndruar forca tê shumta zjarrëfikësish dhe ushtrije për të shmangur rrezikun e përhapjes së zjarrit drejt shtëpive të fshatit Galinë.
Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, ka deklaruar se situata në fshatrat Vergo, Palavli dhe Kopaçëz, në Delvinë, është përmirësuar pas zjarrit që i përfshiu ditën e sotme.
Ai tha se mbi 120 forca po operojnë në terren për të orientuar dhe mbështetur banorët.
'Pranë banorëve të fshatrave Vergo, Palavli dhe Kopaçëz, në Delvinë, ku pas ndërhyrjes së përqendruar të forcave, kemi një situatë të përmirësuar. Katër helikopterë janë angazhuar me fluturime të pandërprera në tre fshatrat e zonës, për të kufizuar përimetrin e flakëve, ndërsa mbi 120 forca po operojnë në terren për të orientuar dhe mbështetur banorët.
Duhet të sigurohemi që mbrëmja të kalojë sa më e sigurt për ta, ndërsa mbetemi në gatishmëri të plotë, pasi orët në vijim pritet të jenë të vështira për shkak të temperaturave të larta. Shefi i Komisariatit të Delvinës ka ndërhyrë për të ndihmuar banorët në kushte shumë të vështira, duke kryer një akt të vërtetë heroik. Ai është lënduar gjatë operacionit dhe po merr ndihmën shëndetësore në spital. I urojmë shërim të shpejtë dhe jemi mirënjohës për guximin e treguar çdo efektivi', tha Vengu.
Një akt heroik është shënuar në fshatin Kopaçëz të Delvinës, ku dy efektivë policie kanë rrezikuar jetën për të shpëtuar një fëmijë 10-vjeçar dhe disa të moshuar nga një banesë e përfshirë nga flakët.
Shefi i Komisariatit të Delvinës, Agim Troci, dhe Shefi i Krimeve Eridion Lame, ndërhynë në banesën në flakë, duke nxjerrë të miturin dhe banorët e tjerë, pavarësisht rrezikut për jetën.
Troci pësoi djegie në fytyrë, krahë dhe këmbë dhe u transportua me helikopter drejt spitalit të Traumës në Tiranë, ndërsa Lame u dërgua i asfiksuar në Spitalin e Sarandës. Zjarri ka djegur rreth 20 banesa në Kopaçëz.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, i shoqëruar nga Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Elton Alushi, viziton në repartin e djegieve në QSUT Shefin e Komisariatit të Policisë Delvinë, Komisar Agim Troci, i cili pësoi djegie të shumta gjatë përpjekjeve për të shpëtuar disa të moshuar që nuk dilnin dot nga zona e zjarrit në fshatin Vergo të Delvinës.
Drejtori Proda është interesuar që në momentet e para për gjendjen e tij dhe ka ndjekur nga afër organizimin e transportimit me helikopter drejt Tiranës, menjëherë sapo është njoftuar për ngjarjen.
Gjatë vizitës, Drejtori i Përgjithshëm është interesuar pranë stafit mjekësor për gjendjen shëndetësore të Shefit të Komisariatit, duke i uruar atij shërim të shpejtë dhe e ka përgëzuar për aktin e tij të guximshëm dhe human. Po ashtu, ai ka vlerësuar të gjithë punonjësit e Komisariatit të Policisë Delvinë që sot kanë rrezikuar jetën e tyre për të shpëtuar nga flakët shumë banorë pjesa më e madhe të moshuar, në fshatrat e Delvinës, si pasojë e një zjarri të madh të favorizuar nga era, që ka përfshirë shumë zona të banuara.
“Shefi i Komisariatit Agim Troci është shembulli më i mirë i përkushtimit dhe sakrificës që mishëron një oficer i Policisë së Shtetit. Ai veproi me guxim dhe ndjenjë të lartë përgjegjësie, për të mbrojtur jetën e të tjerëve. Dua të falënderoj të gjithë, përfshirë Nënkomisar Eridionin, i cili ka pësuar asfiksi dhe po merr ndihmë mjekësore në Spitalin e Delvinës, si dhe gjithë punonjësit e Komisariatit të Policisë Delvinë që, nën drejtimin e Komisar Trocit, me përkushtim dhe guxim, mbështetur dhe nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, kanë shpëtuar dhjetëra jetë qytetarësh, duke bërë të mundur evakuimin nga banesat e tyre deri jashtë zonës së rrezikut. Edhe disa punonjës të tjerë kanë pësuar. Ky akt është një shembull frymëzues i përkushtimit dhe humanizmit të efektivëve në krye të detyrës.”
Në zonën e përfshirë nga zjarri, në fshatrat Senicë, Vergo dhe Kopaçëz, vijon ndërhyrja intensive e shërbimeve të Zjarrfikëses, Emergjencës Civile, Policisë dhe Ushtrisë, për neutralizimin e vatrave dhe garantimin e sigurisë së banorëve.
Policia e Shtetit ndodhet aty, në krah të qytetarëve. Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, Elidon Çela, ndodhet në zonë për menaxhimin e situatës.
Ana Duka është një banore e fshatit Kopaçëz të Delvinës, që është prekur nga zjarret shkatërrimtare.
Disa orë pasi u detyruan të evakuoheshin nga shtëpia për shkak të rrezishmërisë, ajo dhe familja e saj janë rikthyer në banesën e tyre.
Në një intervistë nga oborri i shtëpisë së djegur, për gazetarin e Report Tv, Armand Xhelili, Ana Duka thotë se zjarri ka djegur çdo gjë.
Ajo shprehet se ka vajtur dëm mundi i një jete, ndërsa problemi emergjent i tyre është se ku do të kalojnë natën për shkak të dëmeve që ka pësuar banesa nga flakët. Sipas saj, është djegur çdo gjë, e ka shpëtuar vetëm oborri i shtëpisë.
“Këtu lart kam stallën që kemi lopën, atje vajtur burri e shuajti me kova. Ullinjtë prapë andej poshtë ku kemi nëpër fusha, dhe këtej lart që kemi, na janë djegur çdo gjë. Vetëm çatia na ka mbetur. Sot do flemë në qiell të hapur, nuk e dimë as vetë se ku do flemë, nuk kemi as ujë, as drita”.
Ana rrëfen edhe momentin se si mësuan kur zjarri avancoi drejt fshatit të tyre.
“Zjarri nisi nga Kalasa që dje, ne ikëm në punë. Kur na marrin pastaj na thonë hajdeni se u dogjën shtëpitë. Na janë djegur të gjitha, rrushi, çdo pemë, çdo gjë, vetëm oborri ka mbetur. Nuk na linte as polici që të vinim në shtëpi të shuanim ndonjë zjarr. Kemi mundin e jetës, kemi punuar një jetë këtu. Ku të vemi, jemi në qiell të hapur, kush do mendojë për neve. S’kemi as rroba, ja me këto që kishim veshur, erdhëm nga puna direkt. Ja u shikoni vetë, është djegur çdo gjë. Asnjë gjë s’ka mbetur”.
Fshatrat e Delvinës po përballen me një situatë kritike për shkak të zjarrit që ra në këto fshatra ditën e sotme.
Banorë e fshatit Kopaçëz, për Report Tv kanë deklaruar se kanë pësuar dëme të mëdha, ndërsa i janë djegur ullinjtë nga flakët që u përhapen me shpejtësi. Ata thonë se u evakuuan nga policia.
‘Kemi pësuar dëme në ullinjë. Shteti çdo bëjë se kjo ishte fatkeqësi, zjarri erdhi papritur’.
‘Unë jam bari dhe isha në mal dhe kur erdha nga mali më njoftuan se ka zjarr në fshat, dhe menduam se do të ishte ndonjë vatër e vogël. Zjarri mori përmasa të mëdha, ne na grumbulloi policia dhe largoi të gjithë njerzit nga zona. Mua janë djegur 200 rrënjë ullinjë’.
‘Mu dogjën të gjitha, ullinjtë u dogjën, po ne na evakuuan, na mori policia’.
‘U asfiksuan njerzit ngelën brenda nuk kishin nga të dilnin, mirë që erdhi policia. Edhe sikur zjarrfikëset të kishin ardhur më herët do ishte fikur, po ishin të shpërndara’.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka bërë të ditur se tuneli i Skërficës që lidh Gjirokastrës me Sarandën dhe kalon përmes Delvinës, është mbyllur përkohësisht për qarkullimin e mjeteve për shkak të tymit nga zjarret.
Në një prononcim për Report Tv, Vengu pohoi se tuneli është mbyllur për të shmangur aksidentet.
“Kemi bërë mbylljen e përkohshme të tunelit të Skërficës për arsye të tymit që të mos shkaktohen aksidente të mundshme deri në stabilizimin e situatës. Vijon qarkullimi nga ana e Muzinës”, deklaroi ministri i Mbrojtjes.
Ministri Vengu bëri edhe një përllogaritje të dëmeve të shkaktuara nga zjarret në fshatrat Palavli, Vergo dhe Kopaçëz. Sipas tij, janë djegur 8 banesa në total. Ministri theksoi se brenda pak orësh, banorët e evakuuar mund të lejohen të kthehen në shtëpitë e tyre.
“Në fshatin Palavli asnjë banesë të djegur, në Vergo 5 banesa të djegura dhe Kopaçëz 3 banesa të djegura. Kanë qenë banesa të abandonuara. Brenda pak orëve mund të jemi në gjendje t’u themi banorëve që të rikthehen në banesat e tyre”.
Ministri Vengu bëri të ditur se përveç shefit të komisariatit të Delvinës që ka pësuar disa djegie të lehta, fatmirësisht nuk ka persona të tjerë të lënduar.
“Evakuimi u krye i plotë me ndërhyrje të shpejtë të policisë, zjarrfikësit dua t’i falenderoj sepse kanë bërë punë heroike. Nuk kemi dëme në njerëz. Kemi një efektiv të policisë që ka bërë ndërhyrje heroike në orët e para të përpjekjes, shefi i komisariatit të Delvinës i cili ka pësuar disa djegie të lehta dhe është transportuar me helikopter në Spitalin e Traumës. Por përtej këtij incidenti, nuk kemi fatkeqësi të tjera. Do jetë një situatë dhe orë të vështira sepse presim që termometri të vijojë të jetë i nxehtë. Nesër mbarë harta e Shqipërisë është me nivel të kuq. 150 persona kemi të angazhuar këtu. Kemi 20 vatra zjarri në mbarë vendin, nga Tropoja në Gjirokastër, por duam të sigurohemi që zonat e banuara nuk kanë risk”.
Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, teksa është duke ndjekur nga afgër situatën nga zjarret në Delvinë, ka biseduar më një banorë që është evakuar nga shtëpia për shkak të rrezikut të banesës.
Vengu tha se do të bëhet verifikimi i banesave në mënyrë që nuk paraqesin më rrezik nga zjarret.
‘Do të bëjmë një verifikim të detajuar të çdo banese. Pas këtij kontrolli, nëse do të sigurohemi që nuk ka asnjë rrezik, do t'ju njoftojmë që të ktheheni në banesat tuaja. Shpresojmë që procesi të përfundojë sot dhe të mund t'ju rikthejmë në siguri," tha Vengu.
Fshatrat Palavli, Vergo dhe Kopaçëz në Delvinë janë prej disa orësh të rrethuar nga zjarret e shumtë.
Të gjithë banorët e këtyre fshatrave janë evakuuar pas urdhrit të Ministrisë së Mbrojtjes.
Zjarret kanë marrë përmasa të frikshme, duke djegur hektarë të tëra tokë, banesa etj.
5 persona u asfiksuan për shkak të tymit masiv nga zjarret.
Për shkak të situatës së rëndë nga zjarret në Delvinë, në operacionin e shuarjes së flakëve janë angazhuar edhe efektivë të Forcave të Armatosua nga Reparti i Gjirokastrës.
Ministria e Mbrojtjes informon se janë angazhuar 62 efektivë të FA Gjirokastër, të cilët janë pjesë e Regjimentit të Këmbësorisë së Jugut, pjesë e Forcës Tokësore.
Efektivët do të ndihmojnë në shuarjen e zjarreve në fshatin Palavli të Delvinës.
Shefi i Komisariatit në Delvinë, Agim Troci, së bashku me një tjetër, janë transportuar me helikopter drejt spitalit të Traumës në Tiranë, për shkak të djegieve të marra nga lufta me flakët.
Personeli shëndetësor në Delvinë i është bashkuar Shërbimit të Urgjencës për përballimin e situatës emergjente që është shkaktuar si pasoje e zjarrit masiv në Delvinë.
Deri tani 5 persona janë paraqitur në Shërbimin e Urgjencës ku janë trajtuar për djegie të shkallëve të ndryshme dhe problemeve shëndetësore të shkaktuara si pasojë e asfiksimit. Dy raste u dërguan drejt spitalit të Sarandës.
Me dhjetëra efektivë të Forcave të Armatosura, zjarrfikës, 4 mjete zjarrfikëse dhe 2 helikopterë kanë shkuar në Delvinë për të bërë të mundur shuarjen e zjarrit.
Në zonë ka mbërritur edhe Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, prefekti Plator Nesturi, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako, Haki Çako dhe Drejtori i Policisë Elidon Çela.
Ekipet e emergjencave kanë nisur evakuimet në 3 fshatra të Delvinës që janë përfshirë nga zjarret katastrofike.
Evakuimet e fshatrave Palavli, Vergo dhe Kopaçëz të Bashkisë Delvinë nisën pas urdhrit të Ministrisë së Mbrojtjes, pasi zjarret kanë marrë përmasa të mëdha, duke djegur sipërfaqe të tëra toke, shtëpi e madje dhe një kishë shekullore.
Aktualisht, në operacion janë përfshirë edhe dy helikopterë të Forcës Ajrore, të cilët po veprojnë në zonën e Delvinës. Kurse nga terreni janë të angazhuar 60 trupa dhe 4 mjete
Delvina po përjeton një ndër ditët e saj më të vështira në luftën me zjarret, të cilat për shkak të temperaturave të larta dhe erës së fortë, po avancojnë me shpejtësi.
Pamjet e mësipërme, të filmuara me dron, tregojnë tokat dhe sipërfaqet e mëdha të shkrumbuara nga zjarret, të cilat shtrihen deri larg në horizont.
Ndërkohë, në pamje shihet edhe një makinë e cila është shkrumbuar në anë të rrugës, në zonën e përfshirë nga zjarri në Delvinë.
Ministria e Mbrojtjes, përmes strukturave të Mbrojtjes Civile, ka urdhëruar evakuimin e menjëhershëm të banorëve në fshatrat Palavli, Vergo dhe Kopaçëz, në Bashkinë Delvinë, për shkak të rrezikut nga zjarret.
U bëhet thirrje të gjithë banorëve të respektojnë udhëzimet e emergjencave civile dhe të bashkëpunojnë me forcat e Policisë dhe autoritetet vendore, të cilat janë angazhuar për mbrojtjen e jetës dhe pronës së tyre.
Aktualisht, në operacion janë përfshirë edhe dy helikopterë të Forcës Ajrore, të cilët po veprojnë në zonën e Delvinës, ndërsa dy të tjerë janë angazhuar në operacionet ajrore në qarkun Berat-Dimal
Situata me zjarret në Delvinë vazhdon të përkeqësohet, me flakët që djegin me shpejtësi sipërfaqe të reja, për shkak edhe të temperaturave të larta dhe erës së fortë.
Në operacionin e guximshëm për shuarjen e vatrave aktive, ka mbetur i asfiksuar Shefi i Komisariatit të Delvinës,Agim Troci, i cili është dërguar në spital. Ai u asfiksua gjatë përpjekjeve për shuarjen e flakëve në Kopaçez.
Zjarri ka marrë përmasa të mëdha në fshatrat Vergo dhe Palavli të Delvinës, ku flakët raportohet se kanë djegur disa banesa.
Pamjet që vijnë nga vendngjarja tregojnë për një situatë apokaliptike, ku flakët e zjarrit i janë afruar rrugës nacionale.
Zjarri në Delvinë vazhdon prej disa ditësh, ku dëme të mëdha ka shkaktuar edhe në fshatin Senicë, ku u dogj kisha shekullore e Shën Dhimtrit dhe 4 banesa.
Forca të shumta zjarrfikëse janë të angazhuara në terren për shuarjen e flakëve.
Deputetja Ina Zhupa ka reaguar në lidhje me zjarret masive që kanë përfshirë fshatrat e Delvinës, duke shkaktuar dëme të shumta materiale.
Zhupa kërkon ndërhyrje më serioze nga ajri për të normalizuar gjendjen, pasi janë djegur shtëpi, ullishte dhe objekte fetare.
“Zjarri masiv në Delvinë, pasoja të rënda! Kërkohet ndërhyrje më serioze nga ajri, nga forcat zjarrfikëse. Zjarri që shtrihet në Senicë, në Kalasë, në Tatzat, në Kopacez, në Vergo dhe dëmet janë të mëdha deri tani.
Janë djegur shtëpi, mijëra rrënjë ullinj dhe është djegur edhe Kisha e Shën Dhimitrit, një objekt i rëndësishëm fetar dhe historik për komunitetin. Fatmirësisht s’ka dëmtime të banorëve. Institucionet të marrin masat urgjente”, shkruan Zhupa.
Një zjarr ka përfshirë vetëm pak minuta më parë një pyll dhe kullota në fshatin Strelcë të Njësisë Administrative Gorë në Bashkinë e Maliqit. Janë aktivizuar menjëherë 40 forca në terren, ndërsa drejt vatrës po shkojnë edhe forca mbështetëse nga shërbimet e Bashkisë Maliq.
Mësohet se zjarri po merr përmasa të mëdha. Drejt vatrës së zjarrit janë nisur edhe forca të tjera për ndihmë, përfshirë këtu bashkinë dhe policinë.
“U informuam rreth orës 14:00, për një vatër zjarri në sipërfaqe me pyje dhe kullota në fshatin Strelcë, Njësia Administrative Gorë, Bashkia Maliq. Janë aktivizuar menjëherë 40 forca në terren, ndërsa drejt vatrës po shkojnë edhe forca mbështetëse nga shërbimet e Bashkisë Maliq.
Forcat zjarrfikëse, strukturat vendore dhe Policia e Shtetit janë në veprim për izolimin dhe shuarjen e flakëve. Është urdhëruar angazhimi i të gjithë punonjësve të shërbimeve në territor. Po vijohet për rakordimin e të gjitha veprimeve në terren. Situata vijon të monitorohet”, njofton Prefektura.
Lezhë- Situata nga zjarri në zonën e Shkopetit është përkeqësuar ndjeshëm, pasi gjatë orëve të vona të natës së kaluar flakët janë përhapur edhe në krahun e Fangut, në Mirditë.
Për pasojë, terreni i vështirë dhe mungesa e mjeteve të specializuara kanë vështirësuar ndërhyrjen. Gjatë përpjekjeve për të ndalur përhapjen e zjarrit në orët e para të mëngjesit, disa punonjës të Bashkisë Mirditë kanë pësuar lëndime të lehta, ndërsa po përpiqeshin të ndërhynin me mjete rrethanore.
Aktualisht, flakët ndodhen pranë zonës së antenave në majën e Kulmës dhe janë në zbritje drejt fshatit Fang.
Edhe këtë të premte është ndërhyrë nga ajri me helikopter të Mekanizmit Europian të Mbrojtjes Civile, por pa arritur të vihet nën kontroll vatra kryesore. Autoritetet lokale po monitorojnë situatën në mënyrë të vazhdueshme, ndërsa rreziku për përhapje të mëtejshme mbetet i lartë për shkak të erës dhe temperaturave të larta.
Këto janë pamjet kur një avion “Canadair” furnizohet me ujë në liqen për të fikur zjarret në Parkun e Lurës në Dibër.
Në Liqenin e Luleve, pjesë e Parkut Kombëtar Lurë, janë aktive 3 vatra zjarri, sipas Emergjencave Civile. Edhe këtu zjarri vijon prej të paktën 1 jave.
Në terren veprojnë rreth 100 forca nga të gjitha strukturat operacionale, teksa ditën e sotme janë shtuar edhe 25 forca zjarrfikëse dhe bashkiake.
Ndërsa nga ajri po ndihmon avioni “Canadair” që u angazhua nga Bashkimi Europian, pasi Shqipëria aktivizoi Mekanizmin Europian të Mbrojtjes Civile.
Pamje nga zjarret në Dibër
Dibër- Ndezi zjarr dhe dogji një sipërfaqe me bimësi në fshatin Dovolan, procedohet penalisht 61-vjeçari i dyshuar.
Policia vendore bëri sot me dije se pas vatrës së zjarrit që dyshohet se ka rënë nga pakujdesia ditën e djeshme, identifikuan dhe nisën procedimin penal në gjendje të lirë për S.S., banues në fshatin Dovolan.
“Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas, nga pakujdesia ka ndezur zjarr në një zonë të fshatit dhe si pasojë janë djegur rreth 5 hektarë sipërfaqe toke me shkurre dhe bimësi”, bëri me dije policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme. Drejtoria Vendore e Policisë Dibër apeloi për të gjithë qytetarët që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi do të përballen me ligjin. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 çdo rast.
Identifikohet dhe arrestohet autori i dyshuar i zjarrvënies në fshatin Kakavijë të Gjirokastrës ditën e djeshme, për shuarjen e të cilit u desh edhe ndërhyrja nga ajri e autoriteteve të Greqisë me helikopterë.
Ngjarja ndodhi pasi i ndaluari Kosta Nini, 39 vjeç, gjatë punës me troko, ndezi zjarr që rrezikoi jetën e banorëve, si dhe dogji 4 banesa, sipërfaqe pyjore dhe pemë frutore.
“Si rezultat i veprimeve hetimore dhe operacionale, të kryera menjëherë pas njoftimit se në fshatin Kakavijë kishte rënë zjarr, Policia e Gjirokastrës ka mundësuar identifikimin dhe arrestimin e autorit të dyshuar të këtij rasti, shtetasit K. V., 39 vjeç, banues në këtë fshat. Nga këto veprime rezultoi se 39-vjeçari, gjatë punës në banesën e tij, me troko, ka shkaktuar zjarr, i cili i favorizuar nga era e fortë, ka rrezikuar jetën e banorëve në fshatin Kakavijë, si dhe ka djegur 4 banesa, sipërfaqe pyjore dhe pemë frutore”, njoftoi policia vendore.
Banorët u evakuan nga shërbimet e Policisë, ndërsa zjarri u shua si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet shërbimeve të Zjarrfikëses, Policisë së Shtetit, FRONTEX-it dhe Forcave të Armatosura, të asistuara nga helikopterë të autoriteteve greke.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Gjirokastrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale "shkatërrimi i pronës me zjarr" dhe “shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”.
“Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër apelon për të gjithë banorët që në asnjë rast të mos shkaktojnë zjarr, pasi do të përballen me ligjin. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112, çdo rast zjarrvënieje dhe paligjshmërie në tërësi, duke iu garantuar anonimat, reagim të shpejtë dhe të paanshëm”, bëri me dije policia vendore.
Fshati Senicë në Delvinë ka pësuar dëme të mëdha nga zjarri që ka përfshirë atë zonë prej disa ditësh.
Pamjet me dron të siguruara nga Report Tv, tregojnë banesat e djegura dhe tokat e shkretuara që ka lënë pas zjarri.
3-4 shtëpi janë shkatërruar nga flakët e zjarrit, po ashtu dhe kisha e Shën Dhimitrit të këtij fshati.
Ndërkohë, qindra ullinj dhe pemë janë shkatërruar nga zjarret e fuqishme.
Situata nga zjarret në Delvinë mbetet kritike, teksa flakët kanë shkrumbuar sipërfaqe të mëdha me pemë e bimësi, deri tek banesat dhe madje nuk kursyen as kishën e Shën Dhimitrit në Senicë dhe përparuan në Vergo.
Ajo pësoi dëme të mëdha materiale, teksa i është rrëzuar çatia sipas banorëve dhe pamjeve. Banorët dhe kryeplaku thonë se dëme pësuan edhe 3-4 shtëpi që u rrënuan, ndërsa vatra e zjarrit vijon të kërcënojë banesat e tjera të fshatit.
Kryeplaku i Senicës, Llambi Nika tha se dëmet janë kolosale.
“Dëmet që janë bërë janë jashtëzakonisht të mëdha, kolosale, situata është e rëndë. Dëme te kisha, shtëpi dhe në toka, por dëmi më i madh është ai shpirtëror i njerëzve, i të gjithë bashkëfshatarëve dhe dua t’i falënderoj bashkinë e Delvinës, të gjitha autoritetet vendore për aksionin. Disa shtëpi janë djegur dhe rrënuar me themel. Kisha e para, që është simboli i fshatit, nga e cila transmetonim dashurinë, vëllazërinë dhe mirësinë”, u shpreh ai.
Kurse një prej banoreve shprehet se zjarri vijon ende t’i kërcënojë nga pjesa e poshtme e fshatit, kurse vatra erdhi nga zona e Kalasës.
“Na u dogj fshati komplet, banesat dhe madje edhe kisha e para e punës, na i ra çatia përdhe. Janë djegur të gjitha, se kush e vuri zjarrin, se di, erdhën thanë nga fshati kalasë. Janë djegur nja 3-4 shtëpi, edhe pemët. Edhe tani prapë vazhdon e vjen zjarri nga poshtë”, u shpreh ajo.
Zjarret rrisin intensitetin e tyre në vend me numër të lartë vatrash të regjistruar edhe përgjatë 24 orëve të fundit. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile bëri sot bilancin e tyre dhe dëmeve të shkaktuara, zonave me rrezik dhe atyre nën monitorim.
Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 29 vatra zjarri, 10 prej të cilave janë ende aktive dhe 4 nën monitorim. Problematike mbeten situatat në qarqet e Vlorës dhe Korçës, ku janë pjesa më e madhe e vatrave aktive në disa fshatra.
Gjithashtu edhe zjarri në Parkun e Lurës në Dibër, në Kakavijë e Dropull, Elbasan, Kurbin dhe Berat.
Në terren janë forca të shumta nga toka, por edhe mjete fluturuese nga ajri, si helikopterët e ushtrisë ‘Cougar’ dhe avionët e Mekanizmit Europian të Mbrojtjes Civile. Gjithashtu në ndihmë kanë ardhur forca ajrore edhe nga Grqia në zonën kufitare me Gjirokastrën.
Në aksion janë 52 mjete dhe 680 forca operacionale, mes tyre edhe disa mjete fluturuese. Rreziku më i lartë mbeten temperaturave, që sipas autoriteteve sot arrijnë në 42 gradë Celcius.
Njoftimi i plotë i Agjencisë së Mbrojtjes Civile:
“Vatrat aktive më problematike janë regjistruar në këto zona, ku forcat në terren vijojnë të punojnë për izolimin dhe kontrollin e flakëve:
1. Në vendin e quajtur Liqeni i Luleve, Parku, Kombëtar Lurë, ku zjarri po zhvillohet në tre vatra, janë angazhuar rreth 100 forca nga të gjitha strukturat operacionale, ku sot i janë shtuar edhe 25 forca zjarrfikëse dhe bashkiake.
2. 2. Në fshatin Zall-Gjoçaj, bashkia Mat vijon puna për shuarjen e zjarrit me rreth 60 forca vendore dhe nga Forcat e Armatosura, si dhe janë kryer 9 misione nga avioni Canadair kroat.
3. Në vendin e quajtur “Maja e Paliskës”, mbi fshatin Dukat, ndërhyrja edhe e dy helikopterëve të Forcës Ajrore solli përmirësim të situatës. Por sot po punohet për shuarjen përfundimtare të zjarrit.
4. Po vijon puna në vatrën e zjarrit të rënë në lartësitë e malit mbi fshatin Kalasë, bashkia Delvinë, ku në terren janë dislokuar katër automjete zjarrfikës dhe rreth 70 forca nga strukturat operacionale dhe kanë operuar 2 helikopterë Cougar të Forcës Ajrore.
5. Puna vijon edhe në fshatin Ploç të Novoselës, ku janë dy vatra të tjera aktive.
6. Pas ndërhyrjes së forcave operacionale, vatra e zjarrit në aksin rrugor Kardhiq-Delvinë, në Gjirokastër po zhvillohet me intensitet të ulët.
7. Forcat e emergjencave, ndihmuar edhe nga mjete e 3 avionë dhe 1 helikopter nga shteti grek u angazhuan për shuarjen e zjarrit në fshatin Kakavijë, bashkia Dropull.
8. Në zonën e Shmilit, Elbasan vijon puna për shuarjen e zjarrit me angazhimin e rreth 90 forcave nga strukturat operacionale.
9. Në zonën e Shkopetit, në bashkinë Kurbin vijon aktiv zjarri, i cili është përhapur edhe në territorin e bashkisë Mirditë. Ka pasur një angazhim të lartë të forcave, gjithashtu edhe të 2 helikopterëve hungarezë, të ndarë në 3 misione, duke ulur ndjeshëm intensitetin e zjarrit. Aktualisht, banesat janë jashtë rrezikut. Sot do të vazhdojë puna për shuarjen e zjarrit, sërish edhe me ndërhyrjen e dy helikopterëve hungarezë.
10. Në fshatin Dishnicë, Korçë, vazhdon zjarri ku po punojnë rreth 70 forca të strukturave operacionale.
11. Në fshatin Muzhak, qarku Berat, zjarri i rënë në një terren malor e bën të vështirë ndërhyrjen, por puna vijon me dy mjete zjarrfikëse.
Forcat e angazhuara në operacionet për shuarjen e zjarreve:
• 52 automjete zjarrfikëse
• 680 forca operacionale
• 215 efektivë nga Forcat e Armatosura dhe 2 helikopterë nga Forca Ajrore si dhe 1 avion Canadair nga shteti kroat
• 2 helikopterë hungarezë, të angazhuar përmes Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile
Gjatë ditës së sotme janë të angazhuar:
• 140 efektivë të Forcave të Armatosura
• 2 helikopterë nga Forca Ajrore
• 2 helikopterë hungarezë, në bashkëpunim me BE-në
Sipas IGJEO-s, sot nuk priten reshje në të gjithë territorin. Ndërsa sa i përket zjarreve, sot pritet nivel rreziku “I LARTË” në të gjitha qarqet dhe “SHUMË I LARTË” në qarkun e Korçës. Temperaturat pritet të arrijnë deri në 42 gradë Celsius në zonat e ulëta. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal, të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr dhe të raportojnë menjëherë pranë strukturave përkatëse çdo vatër të dyshimtë. Bashkëpunimi i qytetarëve mbetet jetik në këtë situatë".
Robert Skëndaj, kreu i Emergjencave në Prefekturën e Vlorës
Zjarret në qarkun e Vlorës vijojnë të përbëjnë një sfidë për forcat e emergjencës.
Situata paraqitet veçanërisht problematike në malin e Sevasterit dhe Ploçës, në territorin e bashkisë Selenicë, si dhe në bashkinë e Delvinës, ku janë aktive tre vatra më të rrezikshmen në zonë.
Kreu i emergjencave në Prefekturën e Vlorës, Robert Skëndaj, konfirmon se në malin e Dukatit këtë të premte situata është më e qetë, me vetëm një vatër ende aktive ku po vijon puna në terren për izolimin e flakëve. Ndërkohë, në bashkinë e Delvinës, për shkak të terrenit të vështirë dhe përhapjes së shpejtë të flakëve, ndërhyrja po bëhet si nga toka, ashtu edhe nga ajri me helikopter.
Në zonën e Sevasterit dhe Ploçës, zjarri është avancuar në drejtim të Smokthinës, duke vështirësuar ndërhyrjen për shkak të terrenit të thepisur dhe të pakalueshëm.
“Në këto zona ka pasur dëme të konsiderueshme në pemëtari dhe sipërfaqe me bimësi të dendur, por fatmirësisht nuk janë raportuar persona të lënduar dhe nuk ka pasur dëme në banesa”, tha Skëndaj ndër të tjera.
Vlora, si një nga qarqet më të prekura gjatë kësaj periudhe, ka regjistruar vatra të shumta zjarri, ku më problematikja për disa ditë me radhë ka qenë ajo në Dukat, e cila rrezikoi edhe Parkun Kombëtar të Llogarasë.
Situata të vështira janë regjistruar gjithashtu në bashkitë Selenicë dhe Delvinë, ku autoritetet vijojnë përpjekjet për të kontrolluar përhapjen e flakëve dhe për të mbrojtur zonat e banuara.
Gjirokastër- Vihen nën kontroll flakët e zjarrit në fshatrat Plesat, Kardhiq dhe Prongji të Bashkisë Gjirokastër.
Pas një operacioni të gjatë dhe të vështirë, zjarri që përfshiu tre fshatrat është vënë nën kontroll. Gazetari i Report Tv, Piro Nase, informon se që prej orës 04:30 të mëngjesit, forcat zjarrfikëse dhe strukturat mbështetëse kanë arritur të shuajnë plotësisht vatrat e zjarreve, duke parandaluar përhapjen e flakëve në drejtim të zonave të banuara.
Në operacion asistuan efektivi zjarrfikës, punonjës të bashkisë, 15 forca të ushtrisë.
Aktualisht, grupet në terren janë të angazhuara në shuarjen e trungjeve ende të aktivizuara dhe monitorimin e zonës, për çdo riaktivizim të mundshëm të flakëve.
Flakët e fuqishme rrezikojnë edhe fshatin Vergo në Delvinë. Situatë e vështirë mëngjesin e sotëm në Senicë, teksa zjarri zgjeron vatrën e tij prej ditës së djeshme, duke përfshirë Kishën shekullore të Shën Dhimitrit, një ish-repart ushtarak dhe disa banesa të të paktën tre fshatrave përreth.
Aktualisht raportohet nga gazetari i Report Tv, Limos Didani, se zjarri rrezikon fshatin Vergo në Delvinë. Janë siguruar edhe pamjet e flakëve të fuqishme dhe banesat jo shumë larg tyre.
Në fshatin Senicë dëmet nga zjarri janë të shumta. Madje mësohet se është djegur edhe kisha e Shën Dhimitrit, një monument kulture, dhe disa shtëpi. Dëme ka edhe në pemëtari.
Zjarri vijoi drejt Vergoit, duke zgjeruar hartën e vatrës dhe rrezikuar shtëpitë. Situata është rënduar gjatë orëve të pasdites pasi vatra jo vetëm ka zgjeruar sipërfaqen e saj për shkak të temperaturave dhe erës, por i është afruar edhe fshatrave Kopaçëz dhe Palavli. Flakët raportohet se përfshinë edhe një ish-repart ushtarak të braktisur në fshatin Vergo. Gjithashtu sipas banorëve janë djegur edhe disa banesa, teksa forca të shumta punojnë për shuarjen e flakëve.
Senica, Kalasa dhe Tatzati janë pa energji për shkak të djegies së linjës elektrike.
Vijon përpjekja e më shumë se 70 forcave zjarrfikëse, Pyjores, Ushtrisë dhe nga njësi të tjera, që janë në terren prej orës 05:00 të mëngjesit me vatrën e zjarrit në fshatin Dishnicë të bashkisë së Korçës.
Vatër e cila strukturat janë duke bërë çdo përpjekje për të hapur korridore, me qëllim që të mos lejohet përhapja në drejtim të Çardhakut, informon gazetari i report Tv, Armand Braho.
Terreni malor i thyer dhe temperaturat e shoqëruara nga era e vështirësojnë aksionin, por forcat janë të angazhuara për të mundësuar izolimin dhe neutralizimin e vatrës.
“Mbrojtja e pyjeve dhe pasurisë është detyrë e të gjithëve, ndaj kujdesi duhet të jetë maksimal!”, thuhet në një njoftim të emergjencave lokale.
Njoftimi për situatën e zjarrit në Dishnicë të Korçës:
"Informacion 25 Korrik 2025, mbi zjarrin në fshatin Dishnicë, Njësia Administrative Bulgarec, Bashkia Korçë për forcat e angazhuara në terren:
Vijon të jetë aktiv zjarri në malin e Moravës. Forcat janë angazhuar që në orën 04:45 dhe ndodhen aktualisht në terren:
-1 mjet zjarrfikës
-5 forca zjarrfikëse
-2 mjete të shërbimit pyjor
-10 forca pyjore
-2 mjete ushtarake
-25 forca të ushtrisë
-1 mjet i bashkisë
-2 forca të bashkisë
-3 mjete të Njësisë Administrative Bulgarec
-45 forca të Njësisë Administrative Bulgarec
Mbetemi në kontakt për çdo zhvillim të mëtejshëm".
Komente

Nuk ka fatkeqësi më të madhe, madje merr përmasat e një lufte për pasojat që sjellin zjarrvëniet, për një shtet kur shikon zjarrvëniet dhe zhveshjen e pyjeve, kullotave dhe aq më keq kur janë të qëllimshme. Pasojat janë katastrofike. Për këtë jap mendimin tim, sadopak të ketë efekt. 1.Këshilli Ministrave duhet të mbledh urgjent Qeverinë dhe të krijoj një Taks-Forcë ku të përfshihen të gjitha strukturat ligjzbatuese shqiptare. Në atë ekip të jenë Prefekti, SHISH, Polici,Prokurori,Përfaqësues të SPAK dhe BKH-ja. 2.Kryetarët e Bashkive duhet të nënshkruajnë kontratë (qiraje me qiramarrësin, emërtimin e saj duhet ta përcaktojnë ata. Kushtet që duhet të plotësoj një qiramarrës të jenë tepër të forta. Dhe nëse i digjet kullota apo parcela me qira, ti hiqet kontrata dhe të ndëshkohet përgjithmonë). 2.KM, duhet të urdhëroj Kryetarët e Badhkive respektive të organizojnë plan pune për çdo parcelë dhe të monitorojnë me dron njerëzit brenda territorit ku shtrijnë autoritetin administrativ. Në veçanti të monitorohen barinjtë të cilët po shkatërrojnë vendin me zjarrvënie. Por sidomos me barinjtë e kullotave të kontraktuara të cilët janë ata kryesisht që u vënë flakën. 3.Ndryshime rrënjësore në K.Penal. Zjarrvënia e qëllimshme të ndëshkohet me burgim të përjetshëm dhe konfiskim pasurie. 4.I burgosuri për zjarrvënie të vuaj dënimin dhe të punoj për shtetin gjatë vuajtjes së dënimit, deri në vdekje. 5.Gjykim të drejtëpërdrejtë dhe jo më shumë se 30 ditë dhe zvarritje hetimesh. 6.Trupë speciale gjyqësore vetëm për zjarrvëniet të përbërë nga një numër i vogël gjyqtarësh dhe prokurorësh të atashuar pranë SPAK. Nëse do të jetë e nevojshme të japim kontributin tonë për ndryshimet ligjore dhe kushtetuese. Faleminderit
PërgjigjuOre zjarri ska shonce te marri vet Po shikoni futini ne Burg ATA ropq..t e I ndezin sidomos cobanet.
PërgjigjuSituat apokaliptike po kaloni ju te emergjencave civile... Pastaj prandaj monitorohen pyjet periudhe vere per parandaluar zjarret. Njerezit prandaj keshillohen kujdes bishtat e duhanit se merr zjarr pylli... Mir qe digjen por as nuk I rikuperoni me fidane te rinj... Mjera ne dore kujt ka ren qeverisja. Nga shiu ne bresher 35 vjet e mjera Shqiperi...
PërgjigjuKeto ja vendosin vete zjarrin parcelave kushedi cfare plani kan agallaret. Nejse qofte pa viktima.