Situata nga zjarret në Delvinë mbetet kritike, teksa flakët kanë shkrumbuar sipërfaqe të mëdha me pemë e bimësi, deri tek banesat dhe madje nuk kursyen as kishën e Shën Dhimitrit në Senicë dhe përparuan në Vergo.
Ajo pësoi dëme të mëdha materiale, teksa i është rrëzuar çatia sipas banorëve dhe pamjeve. Banorët dhe kryeplaku thonë se dëme pësuan edhe 3-4 shtëpi që u rrënuan, ndërsa vatra e zjarrit vijon të kërcënojë banesat e tjera të fshatit.
Kryeplaku i Senicës, Llambi Nika tha se dëmet janë kolosale.
“Dëmet që janë bërë janë jashtëzakonisht të mëdha, kolosale, situata është e rëndë. Dëme te kisha, shtëpi dhe në toka, por dëmi më i madh është ai shpirtëror i njerëzve, i të gjithë bashkëfshatarëve dhe dua t’i falënderoj bashkinë e Delvinës, të gjitha autoritetet vendore për aksionin. Disa shtëpi janë djegur dhe rrënuar me themel. Kisha e para, që është simboli i fshatit, nga e cila transmetonim dashurinë, vëllazërinë dhe mirësinë”, u shpreh ai.
Kurse një prej banoreve shprehet se zjarri vijon ende t’i kërcënojë nga pjesa e poshtme e fshatit, kurse vatra erdhi nga zona e Kalasës.
“Na u dogj fshati komplet, banesat dhe madje edhe kisha e para e punës, na i ra çatia përdhe. Janë djegur të gjitha, se kush e vuri zjarrin, se di, erdhën thanë nga fshati kalasë. Janë djegur nja 3-4 shtëpi, edhe pemët. Edhe tani prapë vazhdon e vjen zjarri nga poshtë”, u shpreh ajo.
Lajmi kryesor:
Delvina digjet nga zjarret, evakuohen banorët e 3 fshatrave! Vengu: Situatë e përmirësuar gjatë mbrëmjes, 8 banesa të djegura! Në flakë edhe mali i Shpiragut (VIDEO)
A.Q/SI.E./ReportTv.al