Zjarret rrisin intensitetin e tyre në vend me numër të lartë vatrash të regjistruar edhe përgjatë 24 orëve të fundit. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile bëri sot bilancin e tyre dhe dëmeve të shkaktuara, zonave me rrezik dhe atyre nën monitorim.
Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 29 vatra zjarri, 10 prej të cilave janë ende aktive dhe 4 nën monitorim. Problematike mbeten situatat në qarqet e Vlorës dhe Korçës, ku janë pjesa më e madhe e vatrave aktive në disa fshatra.
Gjithashtu edhe zjarri në Parkun e Lurës në Dibër, në Kakavijë e Dropull, Elbasan, Kurbin dhe Berat.
Në terren janë forca të shumta nga toka, por edhe mjete fluturuese nga ajri, si helikopterët e ushtrisë ‘Cougar’ dhe avionët e Mekanizmit Europian të Mbrojtjes Civile. Gjithashtu në ndihmë kanë ardhur forca ajrore edhe nga Grqia në zonën kufitare me Gjirokastrën.
Në aksion janë 52 mjete dhe 680 forca operacionale, mes tyre edhe disa mjete fluturuese. Rreziku më i lartë mbeten temperaturave, që sipas autoriteteve sot arrijnë në 42 gradë Celcius.
Njoftimi i plotë i Agjencisë së Mbrojtjes Civile:
“Vatrat aktive më problematike janë regjistruar në këto zona, ku forcat në terren vijojnë të punojnë për izolimin dhe kontrollin e flakëve:
1. Në vendin e quajtur Liqeni i Luleve, Parku, Kombëtar Lurë, ku zjarri po zhvillohet në tre vatra, janë angazhuar rreth 100 forca nga të gjitha strukturat operacionale, ku sot i janë shtuar edhe 25 forca zjarrfikëse dhe bashkiake.
2. 2. Në fshatin Zall-Gjoçaj, bashkia Mat vijon puna për shuarjen e zjarrit me rreth 60 forca vendore dhe nga Forcat e Armatosura, si dhe janë kryer 9 misione nga avioni Canadair kroat.
3. Në vendin e quajtur “Maja e Paliskës”, mbi fshatin Dukat, ndërhyrja edhe e dy helikopterëve të Forcës Ajrore solli përmirësim të situatës. Por sot po punohet për shuarjen përfundimtare të zjarrit.
4. Po vijon puna në vatrën e zjarrit të rënë në lartësitë e malit mbi fshatin Kalasë, bashkia Delvinë, ku në terren janë dislokuar katër automjete zjarrfikës dhe rreth 70 forca nga strukturat operacionale dhe kanë operuar 2 helikopterë Cougar të Forcës Ajrore.
5. Puna vijon edhe në fshatin Ploç të Novoselës, ku janë dy vatra të tjera aktive.
6. Pas ndërhyrjes së forcave operacionale, vatra e zjarrit në aksin rrugor Kardhiq-Delvinë, në Gjirokastër po zhvillohet me intensitet të ulët.
7. Forcat e emergjencave, ndihmuar edhe nga mjete e 3 avionë dhe 1 helikopter nga shteti grek u angazhuan për shuarjen e zjarrit në fshatin Kakavijë, bashkia Dropull.
8. Në zonën e Shmilit, Elbasan vijon puna për shuarjen e zjarrit me angazhimin e rreth 90 forcave nga strukturat operacionale.
9. Në zonën e Shkopetit, në bashkinë Kurbin vijon aktiv zjarri, i cili është përhapur edhe në territorin e bashkisë Mirditë. Ka pasur një angazhim të lartë të forcave, gjithashtu edhe të 2 helikopterëve hungarezë, të ndarë në 3 misione, duke ulur ndjeshëm intensitetin e zjarrit. Aktualisht, banesat janë jashtë rrezikut. Sot do të vazhdojë puna për shuarjen e zjarrit, sërish edhe me ndërhyrjen e dy helikopterëve hungarezë.
10. Në fshatin Dishnicë, Korçë, vazhdon zjarri ku po punojnë rreth 70 forca të strukturave operacionale.
11. Në fshatin Muzhak, qarku Berat, zjarri i rënë në një terren malor e bën të vështirë ndërhyrjen, por puna vijon me dy mjete zjarrfikëse.
Forcat e angazhuara në operacionet për shuarjen e zjarreve:
• 52 automjete zjarrfikëse
• 680 forca operacionale
• 215 efektivë nga Forcat e Armatosura dhe 2 helikopterë nga Forca Ajrore si dhe 1 avion Canadair nga shteti kroat
• 2 helikopterë hungarezë, të angazhuar përmes Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile
Gjatë ditës së sotme janë të angazhuar:
• 140 efektivë të Forcave të Armatosura
• 2 helikopterë nga Forca Ajrore
• 2 helikopterë hungarezë, në bashkëpunim me BE-në
Sipas IGJEO-s, sot nuk priten reshje në të gjithë territorin. Ndërsa sa i përket zjarreve, sot pritet nivel rreziku “I LARTË” në të gjitha qarqet dhe “SHUMË I LARTË” në qarkun e Korçës. Temperaturat pritet të arrijnë deri në 42 gradë Celsius në zonat e ulëta. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal, të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr dhe të raportojnë menjëherë pranë strukturave përkatëse çdo vatër të dyshimtë. Bashkëpunimi i qytetarëve mbetet jetik në këtë situatë".
Lajmi kryesor:
Delvina digjet nga zjarret, evakuohen banorët e 3 fshatrave! Vengu: Situatë e përmirësuar gjatë mbrëmjes, 8 banesa të djegura! Në flakë edhe mali i Shpiragut (VIDEO)
A.Q/r.k./ReportTv.al
