Kronikë

Zjarret në Delvinë, ministri Vengu për Report Tv: Mbyllëm përkohësisht tunelin e Skërficës

25 Korrik, 19:44| Përditesimi: 25 Korrik, 20:00

  • Share

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka bërë të ditur se tuneli i Skërficës që lidh Gjirokastrës me Sarandën dhe kalon përmes Delvinës, është mbyllur përkohësisht për qarkullimin e mjeteve për shkak të tymit nga zjarret.

Në një prononcim për Report Tv, Vengu pohoi se tuneli është mbyllur për të shmangur aksidentet.

“Kemi bërë mbylljen e përkohshme të tunelit të Skërficës për arsye të tymit që të mos shkaktohen aksidente të mundshme deri në stabilizimin e situatës. Vijon qarkullimi nga ana e Muzinës”, deklaroi ministri i Mbrojtjes.

Ministri Vengu bëri edhe një përllogaritje të dëmeve të shkaktuara nga zjarret në fshatrat Palavli, Vergo dhe Kopaçëz. Sipas tij, janë djegur 8 banesa në total. Ministri theksoi se brenda pak orësh, banorët e evakuuar mund të lejohen të kthehen në shtëpitë e tyre.

“Në fshatin Palavli asnjë banesë të djegur, në Vergo 5 banesa të djegura dhe Kopaçëz 3 banesa të djegura. Kanë qenë banesa të abandonuara. Brenda pak orëve mund të jemi në gjendje t’u themi banorëve që të rikthehen në banesat e tyre”.

Ministri Vengu bëri të ditur se përveç shefit të komisariatit të Delvinës që ka pësuar disa djegie të lehta, fatmirësisht nuk ka persona të tjerë të lënduar.

“Evakuimi u krye i plotë me ndërhyrje të shpejtë të policisë, zjarrfikësit dua t’i falenderoj sepse kanë bërë punë heroike. Nuk kemi dëme në njerëz. Kemi një efektiv të policisë që ka bërë ndërhyrje heroike në orët e para të përpjekjes, shefi i komisariatit të Delvinës i cili ka pësuar disa djegie të lehta dhe është transportuar me helikopter në Spitalin e Traumës. Por përtej këtij incidenti, nuk kemi fatkeqësi të tjera. Do jetë një situatë dhe orë të vështira sepse presim që termometri të vijojë të jetë i nxehtë. Nesër mbarë harta e Shqipërisë është me nivel të kuq. 150 persona kemi të angazhuar këtu. Kemi 20 vatra zjarri në mbarë vendin, nga Tropoja në Gjirokastër, por duam të sigurohemi që zonat e banuara nuk kanë risk”.

 

 

 


Lajmi kryesor:

Delvina digjet nga zjarret, evakuohen banorët e 3 fshatrave! Vengu: Situatë e përmirësuar gjatë mbrëmjes, 8 banesa të djegura! Në flakë edhe mali i Shpiragut (VIDEO)


V.GJ /r.k./ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Si mendoni se po menaxhohet situata me zjarret?