Kronikë

Vlorë/ Bie intensiteti i zjarrit në Dukat, por avancon drejt Smokthinës! Kreu i Emergjencave, Skëndaj: Ka dëme materiale, por jo në njerëz e banesa!

25 Korrik, 11:25| Përditesimi: 25 Korrik, 11:35

  • Share

 

Robert Skëndaj, kreu i Emergjencave në Prefekturën e Vlorës

Zjarret në qarkun e Vlorës vijojnë të përbëjnë një sfidë për forcat e emergjencës.

Situata paraqitet veçanërisht problematike në malin e Sevasterit dhe Ploçës, në territorin e bashkisë Selenicë, si dhe në bashkinë e Delvinës, ku janë aktive tre vatra më të rrezikshmen në zonë.

Kreu i emergjencave në Prefekturën e Vlorës, Robert Skëndaj, konfirmon se në malin e Dukatit këtë të premte situata është më e qetë, me vetëm një vatër ende aktive ku po vijon puna në terren për izolimin e flakëve. Ndërkohë, në bashkinë e Delvinës, për shkak të terrenit të vështirë dhe përhapjes së shpejtë të flakëve, ndërhyrja po bëhet si nga toka, ashtu edhe nga ajri me helikopter.

Në zonën e Sevasterit dhe Ploçës, zjarri është avancuar në drejtim të Smokthinës, duke vështirësuar ndërhyrjen për shkak të terrenit të thepisur dhe të pakalueshëm.

“Në këto zona ka pasur dëme të konsiderueshme në pemëtari dhe sipërfaqe me bimësi të dendur, por fatmirësisht nuk janë raportuar persona të lënduar dhe nuk ka pasur dëme në banesa”, tha Skëndaj ndër të tjera.

Vlora, si një nga qarqet më të prekura gjatë kësaj periudhe, ka regjistruar vatra të shumta zjarri, ku më problematikja për disa ditë me radhë ka qenë ajo në Dukat, e cila rrezikoi edhe Parkun Kombëtar të Llogarasë.

Situata të vështira janë regjistruar gjithashtu në bashkitë Selenicë dhe Delvinë, ku autoritetet vijojnë përpjekjet për të kontrolluar përhapjen e flakëve dhe për të mbrojtur zonat e banuara.


Lajmi kryesor:

Delvina digjet nga zjarret, evakuohen banorët e 3 fshatrave! Vengu: Situatë e përmirësuar gjatë mbrëmjes, 8 banesa të djegura! Në flakë edhe mali i Shpiragut (VIDEO)


A.Q/r.k./ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Si mendoni se po menaxhohet situata me zjarret?