Dinamo dhe Egnatia luajnë nesër në 16:00 në "Elbasan Arena". Sfida e raundit të 35-të në Superligë është e rëndësishme për "Nëndetësen Blu" që kërkon një vend në "Final 4".
Përpara ndeshjes për mediet foli trajneri i Dinamos. Dritan Mehmeti konfirmon dy mungesat teksa vë theksin te qetësia para portës.
"Dihen vlerat e Egnatias, është me meritë aty ku është, kemi vlerësimin maksimal, është një ndeshje mjaft e vështirë për të dyja. Ata kanë objektivin që ta mbyllin të parët. Jemi stërvitur mirë këto dy ditë.
Mungesat - Tahiri ka një problem me kaviljen dhe nuk do të jetë i gatshëm, edhe Smaçi nuk do të jetë nesër, por shpresoj të jetë me Teutën javën tjetër. Mendoj që do të jetë një ndeshje e luftuar, por unë besoj tek skuadra se pavarësisht rezultateve që kemi marrë javët e fundit, e kemi forcën, por duhet të jemi më të kujdesshëm për mundësitë që kemi pasi po nuk shënove nuk mund të arrish të shkosh drejt fitores.
Mungesa e golave - Mendoj që përderisa një trajner arrin të shkelë zonën kundërshtare dhe kemi pasur 6 raste të mira për të realizuar është e gjitha tek qetësia dhe mënyra se si futbollistët realizojnë golin.
Presioni është gjatë gjithë kohës, është vetë kampionati i tillë pasi të gjitha skuadrat duan pikët dhe të arrijnë objektivin. Ne kemi dominuar skuadra si Vllaznia dhe Egnatia, por s'kemi marrë pikët, djemtë e kanë bërë mirë detyrën, por thjesht të jenë të kujdesshëm për rastet që kanë.
Lodhja nuk është ndjerë tek skuadra e Dinamos, nuk është kjo arsyeja që ne nuk po fitojmë. Unë ju kam dhënë minuta të gjithëve, nuk është problemi tek freskia, por çedon tek momenti i fundit për ta çuar topin në rrjetë", tha Mehmeti.
Me 60 pikë Egnatia mban vendin e parë, ndërsa Dinamo me 47 pikë atë të katërt, teksa ndjen presionin e katër skuadrave nga pas.