Manipulimet që po bëhen me zgjedhjet e shoqatave të futbollit, me qëllim kryesor fitimin e mandatit të gjashtë të Armand Dukës në krye të FSHF-së, sipas Rudi Vatës janë bërë të zakonshme. Ish-kapiteni i Kombëtares thotë se Duka ia ka pa hajrin postit të presidentit në aspektin personal dhe për këtë arsye po kujdeset për të manipuluar.
“Unë e kuptoj që në Shqipëri janë fenomene nomrale, që nuk shfaqen vetëm në futboll. Armand Duka është shumë i interesuar me rujt pozicionion që ka sepse ia ka pa hajrin në aspektin personal. Është luftë klanesh për të zotëruar një teritor të rëndësishëm që ka përfitime të mëdha. Por me të futbolli ka humb shumë në integritet, në besueshmeri dhe në aspektin për të nxjerrë futbollistë,”-u shpreh ai.
Para 8 vitesh Rudi Vata ishte kandidat për president të FSHF-së dhe thotë se prej asaj ndodhie ka mësuar shumë se çfarë ndodh në futbollin shqiptar.
“Shumë meshkuj shqiptar angazhohen në një mënyrë të madhe për të mbeshtur të keqen dhe për të sulmuar të ardhmen. Si ka mundësi shqiptarin e tëheq klani i keq? Jo njeriu i rregullt. Shqiptarët bëjnë autogola nonstop. Gjithë burrat që kanë patur futbollin këto 20 vite kanë shkaktuar një situatë kaotike, nepotizëm. Të gjithë i kanë makinat e mira, zyrat e mira. Janë bërë shumë masakra në futbollin shqiptar. Futbolli shqiptar është si politika,”-deklaroi ai.
Shumë rëndësi ka edhe fakti që Vata nuk e sheh me optimizëm as humbjen e Dukës në zgjedhjet për president. Ai thotë se kandidati tjetër Dritan Shakohoxha moralisht nuk duhet të kishte kandiduar sepse nuk ka besueshmëri.
“Xhorxh Uashingtoni, presidenti i parë i Amerikës, mbas dy mandateve vendosi një rregull ku tha dy mandate janë të mjaftueshme, sepse njeriu nuk ofron më shumë. Rivali i Armando Dukës është zogu ose fëmija i Armando Dukës. Nuk është personi i duhur për të përfaqësuar futbollin shqiptar. Nuk kanë zgjedhur një njeri që ka besueshmëri.
Nuk ka nevojë për klane, për luftë. Ky person (Dritan Shakohoxha) ka bashkëpunuar për 18 vite me Dukën. Duka ka mjel lopen, ndërsa shakohoxha ka mjelë delen. Nuk ka moral që Shakohoxha të kandidojë për president të FSHF-së. Nuk bëhet fjalë për një futboll të rregullt, për të përfaqësuar njerëzit,”-përfundoi ai.