Dumani: Janë përgjuar 3335 persona gjatë vitit 2023

4 Prill, 19:28| Përditesimi: 4 Prill, 19:31

  • Share

1712225824_altindumani.jpg

Altin Dumani

Kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ndryshe njohur si SPAK, Altin Dumani, gjatë pasqyrimit të punës së institucionit që drejton për vitin 2023 para KLP, deklaroi se vetëm gjatë këtij viti në kuadër të hetimeve te ndryshme janë përgjuar 3335 persona.

Dumani bëri me dije se 1899 prej tyre janë përgjuar për hetime në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, ndërsa 1436 persona janë përgjuar për korrupsion.

“Sipas të dhënave gjatë vitit të kaluar SPAK ka përgjuar 3335 persona, ku 1899 janë përgjuar për hetime në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, ndërsa 1436 persona janë përgjuar për korrupsion”,- tha ai.

Gjithashtu Dumani theksoi se 18 zyrtarë të lartë janë vënë nën lupën e SPAK përgjatë vitit 2023, mes të cilëve përfshihet edhe ish-kryeministri Sali Berisha.

“Me konkretisht, gjate vitit 2025, Prokurora Posaçme ka regjistruar si çështje kryesisht 67 procedime penale me 23 persona në hetim, çfarë përbën një tregues pozitiv në rritje të numrit të kësaj kategorie hetimesh, më shumë se dyfishi krahasuar me vitin 2022, ku ishin regjistruar 28 procedime penale me 34 persona në hetim.

Një tjetër metodë proaktive për ndjekjen e hetimeve penale e cila vijon të intensifikohet dhe rritet, është cilësuar bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë nëpërmjet krijimit të Skuadrave të Përbashkëta Hetimore, ku vetëm në vitin 2023 janë krijuar 10 prej tyre ndërmjet Prokurorisë së Posaçme dhe shteteve të huaja, në funksion të hetimeve të Prokurorëve të Posaçëm, nga 25 Skuadra të cilat janë aktive në total në Prokurorinë e Posaçme që nga krijimi i saj.

Po kështu duhet cilësuar se ka pasur një rritje të aplikimit të metodave të hetimit proaktiv, në rastin e përgjimeve telefonike, por është rritur gjithashtu edhe aplikimi i metodave të posaçme te hetimit si: vëzhgime, kontrolle, simulime, sekuestro i provave materiale, letërporosi, agjentë të infiltruar etj.

Gjatë vitit 2023, Prokuroria e Posaçme ka përdorur metodën e përgjimit për 186 procedime penale ku janë interceptuar 3335 pajisje fundore (pajisja/numri telefonik i subjektit në përgjim), ku vërehet rritje krahasuar me vitin 2022.

Në vitin 2023, pjesën më të madhe të procedimeve penale ku është kërkuar përgjimi, e kryesojnë çështjet e hetuara për veprën penale të korrupsionit me 109 procedime penale ku janë interceptuar 1436 pajisje fundore, nga 69 procedime penale dhe interceptuar 1023 pajisje fundore, të aplikuara ne vitin 2022.

Ndërkohë për çështjet penale të hetuara në kuadër të grupit të strukturuar kriminal janë përdorur metoda të posaçme hetimore në 77 procedime penale, ku janë interceptuar 1899 pajisje fundore, nga 53 procedime penale janë interceptuar 1154 pajisje fundore, të aplikuara në vitin 2022.

Gjatë vitit 2023, SPAK ka mirëmbajtur lidhjet për të gjithë sistemet e informacionit apo bazat e të dhënave ku ka pasur akses më parë dhe gjithashtu ka marrë akses edhe për baza të dhënash të tjera si:

Sistemi "ASYCUDA" nga Drejtoria e Përgjithshme me e Doganave;

Sistemi "ISSH" nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore;

Sistemi C@ts nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve;

Sistemi i Fiskalizimit nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

Në mënyrë të përmbledhur, krahasimisht me vitin 2022 ka një rritje të hetimeve të nisura kryesisht prej 139%, ndërkohë që ka një rritje prej 91% të interceptimit të pajisjeve fundore si dhe ka një rritje me 95% për kërkesat për ndihmë juridike për jashtë vendit”,- thuhet në raport.


Lajmi kryesor:

Raporti i SPAK: Veçoritë e grupeve kriminale shqiptare nga Shkodra, në Vlorë! Harta ku veprojnë! Të përfshirë dhe biznesmenë të fuqishëm, lidhje me policë e funksionarë të drejtësisë


K.M/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?