‘Dumani mercenar’, mesazhi i plotë i Metës nga burgu në protestë: SPAK, instrument kamikaz i Ramës për t’u përdorur kundër opozitës

6 Dhjetor, 14:40| Përditesimi: 6 Dhjetor, 14:50

  • Share

1733484768_65eb9e81d91249ed8a5532f6d6220fac.jpg

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta mobilizoi sot militantët në protestë para SPAK. Mesazhin e tij e përçoi edhe përse ishte në qeli, përmes një letre që u lexua nga sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun, Arla Merja.

Mesazhin e tij, Meta e përdori për të sulmuar SPAK dhe kreun e saj Altin Dumani. Këtë të fundit teksa e quajti mercenar, tha se SPAK po përdoret nga Rama për të sulmuar opozitën.

Mesazhi i plotë i Ilir Metës

Jemi këtu se SPAK me  veprimtarinë antikushtetuese, të paligjshme, arbitrare po i shërben verbërisht Narkoregjimit për të rrëmbyer në mënyrë të dhunshme dhe antidemokratike një tjetër mandat 4-vjeçar.

Ishte ky SPAK që “Dosjen e Dibrës”, që tronditi edhe Europën dhe u bë çështje e Parlamentit Europian dhe Bundestagut, e delegoi në Prokurorinë e Dibrës për të relativizuar dhe shuar një nga krimet më të orkestruara elektorale të Edi Ramës dhe zyrtarëve të lartë të “Rilindjes”.

Ishte ky SPAK, që denoncimin e opozitës në fushatën e zgjedhjeve parlamentare të 2021-shit për krimet elektorale që bënë zyrtarët e “Rilindjes” me bandat e Elbasanit nuk e hetoi, por ja kaloi Prokurorisë së Elbasanit, që ishte në konflikt interesi, sepse vëllai i Prokurorit ishte kandidat për deputet i Partisë Socialiste, ndaj kjo solli edhe gjakderdhjen e Elbasanit, por edhe manipulimin e ngjarjes nga policia dhe Prokuroria.

Ishte po ky SPAK që për rrjedhjen e të dhënave të qytetarëve në prag të zgjedhjeve të 2021, në vend që të hetonte Qeverinë, hetoi dy gazetarët që informuan publikun për skemën kriminale të patronazhimit të qytetarëve.

Edhe procesi i “Metamorfozës” u bë publik vetëm pasi u vodh dhe u grabit Bashkia e Shkodrës dhe pse ajo kishte ardhur prej kohësh dhe e përkthyer në shqip.

Edhe “Dosja e Elbasanit” kishte të paktën dy vjet që kishte ardhur dhe e përkthyer në shqip, por u bë publike me nxitim ditën që Gjykata e Strasburgut bëri publike se po e shqyrtonte çështjen e Berishës si “leading case”.

Dihet se këto dosje që vijnë nga partnerët zvarriten qëllimisht dhe bëhen goditje të pjesshme dhe selektive për të mos goditur thelbin e mekanizmit të “Rilindjes”: krim – zgjedhje – pushtet të Narkoregjimit.

Që nga krijimi i SPAK, Narkoekonomia ka lulëzuar dhe korrupsioni ka arritur nivele marramëndëse.

Por ndërsa thirret një fshat i tërë në Tiranë për një autokombanjë, Dumani e quan krim intelektual grabitjen më të pacipë dhe pa maska në mes të ditës të inceneratorit që nuk ekziston nga Rama e Veliaj.

Me një pjesë të mirë të parave që vodhën nga inceneratorët dhe PPP-të që nuk hetohen ose hetohen fiktivisht, financohen shumë televizione, emisione dhe pseudoanalistë që përsërisin tezat e “Rilindjes” mbi arritjet e SPAK-ut falë të cilëve Shqipëria është e para për korrupsionin në kontinent.

Dumani nuk ka as hallin e qytetarëve, as të shtetit por të Ramës dhe Veliajt që t’i mbajë në pushtet për interesin e tij dhe të disa mercenarëve si vetja.

Ajo që kisha paralajmëruar prej muajsh veçse u përforcua nga vetë Dumani para pak ditësh kur kërkoi ende pa bërë gjysmën e parë të mandatit 9-vjeçar, të sigurojë edhe një mandat tjetër 9-vjeçar gjoja në emër të pavarësisë së prokurorive.

Jo, ai nuk ka hallin e pavarësisë së prokurorive, por të përjetësisë të privilegjeve të tij dhe garantimit të pandëshkueshmërisë së tij për shkeljet e hapura të Kushtetutës, të ligjeve, të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe të mos hetimeve për të gjitha ato kallëzime që opozita dhe shoqëria civile kanë bërë në SPAK.

Jemi sot këtu për të denoncuar Dumanin si dhunues jo vetëm të Kushtetutës dhe ligjeve por edhe të pavarësisë së gjykatave.

Deklarata  e “afërmendëshit” se Gjykatat vendosin çfarë u kërkon SPAK-u është tregues i marrëzisë dhe injorancës së tij dhe minon shtetin e së drejtës, ndarjen e pushteteve dhe përjashton parimin themelor të prezumimit të pafajësisë.

Akoma më e rëndë deklarata e tij intimiduese dhe shantazhuese ndaj gjykatësve dhe prokurorëve që kanë kaluar vettingun dhe janë në detyrë duke hedhur hijen e dyshimit në tërësi për t’i mbajtur nën shantazh përmes mekanizmit të përgjimeve.

Se çfarë ishte procesi i vettingut tani e dimë të gjithë.

U përjashtua një personalitet si Bashkim Dedja, i zgjedhur dy herë nga dy mazhoranca të ndryshme si Kryetar i Gjykatës Kushtetuese, vetëm pse paguante dy fatura të ujit dhe të dritave për një apartament të vëllait emigrant në Golem dhe e kaloi vetingun ky “shenjtori” me tre apartamente.

SPAK nuk është palë, por një instrument kamikaz i Edi Ramës për t’u përdorur kundër opozitës, demokracisë, pluralizmit politik dhe garanton paprekshmërinë e Ramës dhe regjimit të tij.

Vetë Rama me të drejtë ka thënë se SPAK  ishte krijesë e tij dhe nuk ka gënjyer.

Sepse përmes shkeljes së rëndë të Kushtetutës që u votua me 140 vota, Prokurori i Përgjithshëm (Arta Marku) u zgjodh me 69 vota (nga 84 vota që detyron Kushtetuta).

Dhe ishte kjo e përzgjedhur e Edi Ramës që përmes emërimeve të saj politike, zgjodhi Këshillin e Lartë të Prokurorisë që donte Edi Rama, i cili solli edhe krijesën e tij, SPAK-un, që sot demonstron hapur kapjen e tij flagrante nga Edi Rama.

Nuk ka as media, as pseudoanalistë, as sondazhe të mirëpaguara, që e mbulojnë dot më se çfarë është SPAK-u dhe Dumani.

Ata janë garantët e korrupsionit të Edi Ramës dhe në marrëveshje të plotë me të, godasin me regji dhe mirëkuptim “limona të shtrydhur” të Rilindjes, por pa cënuar aspak kolonën vertebrore të këtij mekanizmi dhe sidomos Kryekorruptorin edhe të Ndërkombëtarëve.

Çfarë bëhet me “Dosjen McGonigal” i cili prej dy vitesh është i dënuar nga gjykata amerikane dhe e gjithë bota ka shkruar për këtë rast tronditës se si një Kryeministër i një vendi modest dhe anëtar i NATO-s korrupton një nga zyrtarët më të lartë të FBI-së për të investuar për shantazhimin dhe shkatërrimin e opozitës dhe si shkëmbim jep jo vetëm qindra mijëra dollarë por edhe pasuritë natyrore të Shqipërisë për Rossinin me shokë.

Nuk flet dot Dumani për këto dosje se është vetë brenda aty ndaj edhe bën thirrje e lutje për një mandat të përjetshëm, pasi po përjeton makthin e shkeljes së Kushtetutës dhe të ligjeve, të fabrikimeve e falsifikimeve në procese tërësisht politike dhe pa asnjë provë ndaj drejtuesve të opozitës.

Ndaj edhe firmosi për rrëmbimin tim nga Narkopolicia me nxitim mbi një ligj të shfuqizuar 4 vite më parë dhe mashtrojnë para gjykatës se arrestimi është bërë sipas ligjit.

Pas 5 vitesh hetimesh të turpshme dhe të manipuluara, të nisura nga vetë Dumani (për një çështje para 14 vjetësh dhe të gjykuar 2 herë), pasi u përdorën edhe shumë kallëzues të tjerë për lloj e lloj çështjesh, Ilir Meta dyshohet se favorizoi një biznesmen përmes ndryshimit të një ligji, amendamentet e të cilit i propozoi deputetja e Edi Ramës, i cili i dha edhe mbi 65 vota këtij ligji përveç fjalimit të tij patetik.

Njësoj si me ndërrimin e destinacionit të Klubit Sportiv “Partizani” ku firmosi Edi Rama dhe arrestohet Sali Berisha.

Ndaj të mos ndalemi së denoncuari Dumanin që nuk guxon kurrë të dalë para gazetarëve të pavarur dhe gjithë mercenarët sorosistë si ai në SPAK dhe në sistemin e drejtësisë.

Ndjesë të gjithë prokurorëve dhe punonjësve të ndershëm në SPAK, BKH e kudo, por Dumani në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin e ka shpërdorur për qëllime politike pozitën aktuale, pasi thelbi i vetë SPAK ishte pavarësia e fortë individuale e çdo prokurori dhe jo shndërrimi në parti politike bashkëqeverisëse siç e ka kthyer Dumani.

PA DREJTËSI NUK KA LIRI.

Ndaj i falënderoj të gjithë ata që na janë bashkuar sot për t’i thënë “Ndal Drejtësisë me Regji” dhe beteja jonë e pakthyeshme do të rivendosë drejtësinë në shinat kushtetuese dhe do të rikthejë lirinë për të gjithë shqiptarët.


Lajmi kryesor:

Militantët e PL protestë para SPAK: Drejtësi me regji! Meta sulm Dumanit nga burgu: Mercenar i Ramës! Braktisen nga Berisha e PD! Pamjet me DRON


SI.E./ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?