Militantët e PL protestë para SPAK: Drejtësi me regji! Meta sulm Dumanit nga burgu: Mercenar i Ramës! Braktisen nga Berisha e PD! Pamjet me DRON

6 Dhjetor, 11:42| Përditesimi: 6 Dhjetor, 15:19

  • Share

TIRANË- Me moton kryesore ‘jo drejtësi me regji’, një grusht militantësh të Partisë së Lirisë u mblodhën sot në një protestë të pazakontë para SPAK. Me pankarta në duar, 'SPAK e Policia kundër opozitës' dhe me thirrjet ‘me ty Ilir Meta’, militantët protestuan për më pak se 1 orë kundër arrestimit të Ilir Metës, në burg që prej 21 tetorit.

Mesazhi i liderit të Partisë, Ilir Meta nuk mungoi edhe pse ndodhet në qeli. Në letrën drejtuar militantëve të tij, Meta sulmoi Altin Dumanin si mercenar të Ramës, që sipas tij po përdor SPAK-un si një instrument kamikaz për të goditur opozitën.

"SPAK instrument kamikaz i Ramës për t’u përdorur kundër opozitës. Rama me të drejtë ka thënë se SPAK ishte krijesë e tij dhe s’ka gënjyer”, thuhej në letrën e Metës.

Me të njëjtën gjuhë, sulmin e drejtuan ndaj Prokurorisë së Posaçme edhe dy figurat kryesore të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi e Erisa Xhixho, të cilët udhëhoqën militantët në protestë.

“Drejtësia selektive me dy standarde, po persekuton liderët e opozitës, deputetë e opozitës. Kjo ndodh vetëm për një arsye, se opozita është vendosur ti qëndrojë përballë këtij regjimi”, tha Erisa Xhixho.

“SPAK është kthyer në pistoletë në duart e Ramës për të vrarë opozitarizmin dhe demokracinë në vend. Izolimi me masë ekstreme ndaj Metës. Altin Dumani, ky mercenar i Ramës, mori përsipër të rihapë për herë të tretë çështjen Cez-dia që ishte gjykuar disa herë", tha Blushi.

Si për ironi të fatit, teksa paralel protestonin kundër SPAK, avokati i Ilir Metës njoftoi se ka depozituar në këtë institucion një kallëzim penal për ministrin e Brendshëm si dhe trupën policore që bëri arrestimin e Metës mesditën e 21 tetorit pranë vendit të quajtur Kthesa e Kamzës.

"Sot kemi depozituar kallëzimin ndaj Policisë së Shtetit, ministrit, drejtorit të Policisë dhe Operacionales me rastin e rrëmbimit kriminal të metës. Kanë shpërdoruar detyrën, kanë konsumuar të gjitha krimet e mundshme që mund të kryejë një shtetar dhe një punonjës i policisë në detyrë. Jemi të detyruar të denoncojmë me forcë rrëmbimin kriminal. Kjo drejtësi duhet një orë e më parë të largohet nga këto zyra, se kjo drejtësi nëse s’do ekzistonte në këtë formë, mazhoranca do ishte larguar me kohë. Është SPAK e GJKKO, që vazhdon e persekuton opozitën jo vetëm në rastin e dy liderëve, e dini shumë rastin e Salianjit dhe Belerit", tha Gjokutaj. 

Protestës i mungoi aleati më i madh i Metës, Sali Berisha edhe pse GJKKO i hoqi masën arrest në shtëpi. Militantëve të Partisë së Lirisë nuk iu bashkuan as zyrtarë të lartë të Partisë Demokratike, ndërsa pjesëmarrja ishte e ulët siç dëshmuan edhe pamjet me dron që solli Report Tv.

As Monika Kryemadhi nuk iu bashkua kësaj proteste, e cila ndarjen me Partinë e Lirisë tashmë e ka bërë të qartë që pasi Meta e përjashtoi nga strukturat. Ndaj saj është caktuar masa detyrim paraqitjeje, ndësa Meta është në burg në kuadër të hetimit të SPAK për lobimin e LSI në SHBA dhe aferën Cez-Dia. 

Ora 14:40
‘Dumani mercenar’, mesazhi i plotë i Metës nga burgu në protestë: SPAK, instrument kamikaz i Ramës për t’u përdorur kundër opozitës

1733484768_65eb9e81d91249ed8a5532f6d6220fac.jpg

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta mobilizoi sot militantët në protestë para SPAK. Mesazhin e tij e përçoi edhe përse ishte në qeli, përmes një letre që u lexua nga sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun, Arla Merja.

Mesazhin e tij, Meta e përdori për të sulmuar SPAK dhe kreun e saj Altin Dumani. Këtë të fundit teksa e quajti mercenar, tha se SPAK po përdoret nga Rama për të sulmuar opozitën.

Mesazhi i plotë i Ilir Metës

Jemi këtu se SPAK me  veprimtarinë antikushtetuese, të paligjshme, arbitrare po i shërben verbërisht Narkoregjimit për të rrëmbyer në mënyrë të dhunshme dhe antidemokratike një tjetër mandat 4-vjeçar.

Ishte ky SPAK që “Dosjen e Dibrës”, që tronditi edhe Europën dhe u bë çështje e Parlamentit Europian dhe Bundestagut, e delegoi në Prokurorinë e Dibrës për të relativizuar dhe shuar një nga krimet më të orkestruara elektorale të Edi Ramës dhe zyrtarëve të lartë të “Rilindjes”.

Ishte ky SPAK, që denoncimin e opozitës në fushatën e zgjedhjeve parlamentare të 2021-shit për krimet elektorale që bënë zyrtarët e “Rilindjes” me bandat e Elbasanit nuk e hetoi, por ja kaloi Prokurorisë së Elbasanit, që ishte në konflikt interesi, sepse vëllai i Prokurorit ishte kandidat për deputet i Partisë Socialiste, ndaj kjo solli edhe gjakderdhjen e Elbasanit, por edhe manipulimin e ngjarjes nga policia dhe Prokuroria.

Ishte po ky SPAK që për rrjedhjen e të dhënave të qytetarëve në prag të zgjedhjeve të 2021, në vend që të hetonte Qeverinë, hetoi dy gazetarët që informuan publikun për skemën kriminale të patronazhimit të qytetarëve.

Edhe procesi i “Metamorfozës” u bë publik vetëm pasi u vodh dhe u grabit Bashkia e Shkodrës dhe pse ajo kishte ardhur prej kohësh dhe e përkthyer në shqip.

Edhe “Dosja e Elbasanit” kishte të paktën dy vjet që kishte ardhur dhe e përkthyer në shqip, por u bë publike me nxitim ditën që Gjykata e Strasburgut bëri publike se po e shqyrtonte çështjen e Berishës si “leading case”.

Dihet se këto dosje që vijnë nga partnerët zvarriten qëllimisht dhe bëhen goditje të pjesshme dhe selektive për të mos goditur thelbin e mekanizmit të “Rilindjes”: krim – zgjedhje – pushtet të Narkoregjimit.

Që nga krijimi i SPAK, Narkoekonomia ka lulëzuar dhe korrupsioni ka arritur nivele marramëndëse.

Por ndërsa thirret një fshat i tërë në Tiranë për një autokombanjë, Dumani e quan krim intelektual grabitjen më të pacipë dhe pa maska në mes të ditës të inceneratorit që nuk ekziston nga Rama e Veliaj.

Me një pjesë të mirë të parave që vodhën nga inceneratorët dhe PPP-të që nuk hetohen ose hetohen fiktivisht, financohen shumë televizione, emisione dhe pseudoanalistë që përsërisin tezat e “Rilindjes” mbi arritjet e SPAK-ut falë të cilëve Shqipëria është e para për korrupsionin në kontinent.

Dumani nuk ka as hallin e qytetarëve, as të shtetit por të Ramës dhe Veliajt që t’i mbajë në pushtet për interesin e tij dhe të disa mercenarëve si vetja.

Ajo që kisha paralajmëruar prej muajsh veçse u përforcua nga vetë Dumani para pak ditësh kur kërkoi ende pa bërë gjysmën e parë të mandatit 9-vjeçar, të sigurojë edhe një mandat tjetër 9-vjeçar gjoja në emër të pavarësisë së prokurorive.

Jo, ai nuk ka hallin e pavarësisë së prokurorive, por të përjetësisë të privilegjeve të tij dhe garantimit të pandëshkueshmërisë së tij për shkeljet e hapura të Kushtetutës, të ligjeve, të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe të mos hetimeve për të gjitha ato kallëzime që opozita dhe shoqëria civile kanë bërë në SPAK.

Jemi sot këtu për të denoncuar Dumanin si dhunues jo vetëm të Kushtetutës dhe ligjeve por edhe të pavarësisë së gjykatave.

Deklarata  e “afërmendëshit” se Gjykatat vendosin çfarë u kërkon SPAK-u është tregues i marrëzisë dhe injorancës së tij dhe minon shtetin e së drejtës, ndarjen e pushteteve dhe përjashton parimin themelor të prezumimit të pafajësisë.

Akoma më e rëndë deklarata e tij intimiduese dhe shantazhuese ndaj gjykatësve dhe prokurorëve që kanë kaluar vettingun dhe janë në detyrë duke hedhur hijen e dyshimit në tërësi për t’i mbajtur nën shantazh përmes mekanizmit të përgjimeve.

Se çfarë ishte procesi i vettingut tani e dimë të gjithë.

U përjashtua një personalitet si Bashkim Dedja, i zgjedhur dy herë nga dy mazhoranca të ndryshme si Kryetar i Gjykatës Kushtetuese, vetëm pse paguante dy fatura të ujit dhe të dritave për një apartament të vëllait emigrant në Golem dhe e kaloi vetingun ky “shenjtori” me tre apartamente.

SPAK nuk është palë, por një instrument kamikaz i Edi Ramës për t’u përdorur kundër opozitës, demokracisë, pluralizmit politik dhe garanton paprekshmërinë e Ramës dhe regjimit të tij.

Vetë Rama me të drejtë ka thënë se SPAK  ishte krijesë e tij dhe nuk ka gënjyer.

Sepse përmes shkeljes së rëndë të Kushtetutës që u votua me 140 vota, Prokurori i Përgjithshëm (Arta Marku) u zgjodh me 69 vota (nga 84 vota që detyron Kushtetuta).

Dhe ishte kjo e përzgjedhur e Edi Ramës që përmes emërimeve të saj politike, zgjodhi Këshillin e Lartë të Prokurorisë që donte Edi Rama, i cili solli edhe krijesën e tij, SPAK-un, që sot demonstron hapur kapjen e tij flagrante nga Edi Rama.

Nuk ka as media, as pseudoanalistë, as sondazhe të mirëpaguara, që e mbulojnë dot më se çfarë është SPAK-u dhe Dumani.

Ata janë garantët e korrupsionit të Edi Ramës dhe në marrëveshje të plotë me të, godasin me regji dhe mirëkuptim “limona të shtrydhur” të Rilindjes, por pa cënuar aspak kolonën vertebrore të këtij mekanizmi dhe sidomos Kryekorruptorin edhe të Ndërkombëtarëve.

Çfarë bëhet me “Dosjen McGonigal” i cili prej dy vitesh është i dënuar nga gjykata amerikane dhe e gjithë bota ka shkruar për këtë rast tronditës se si një Kryeministër i një vendi modest dhe anëtar i NATO-s korrupton një nga zyrtarët më të lartë të FBI-së për të investuar për shantazhimin dhe shkatërrimin e opozitës dhe si shkëmbim jep jo vetëm qindra mijëra dollarë por edhe pasuritë natyrore të Shqipërisë për Rossinin me shokë.

Nuk flet dot Dumani për këto dosje se është vetë brenda aty ndaj edhe bën thirrje e lutje për një mandat të përjetshëm, pasi po përjeton makthin e shkeljes së Kushtetutës dhe të ligjeve, të fabrikimeve e falsifikimeve në procese tërësisht politike dhe pa asnjë provë ndaj drejtuesve të opozitës.

Ndaj edhe firmosi për rrëmbimin tim nga Narkopolicia me nxitim mbi një ligj të shfuqizuar 4 vite më parë dhe mashtrojnë para gjykatës se arrestimi është bërë sipas ligjit.

Pas 5 vitesh hetimesh të turpshme dhe të manipuluara, të nisura nga vetë Dumani (për një çështje para 14 vjetësh dhe të gjykuar 2 herë), pasi u përdorën edhe shumë kallëzues të tjerë për lloj e lloj çështjesh, Ilir Meta dyshohet se favorizoi një biznesmen përmes ndryshimit të një ligji, amendamentet e të cilit i propozoi deputetja e Edi Ramës, i cili i dha edhe mbi 65 vota këtij ligji përveç fjalimit të tij patetik.

Njësoj si me ndërrimin e destinacionit të Klubit Sportiv “Partizani” ku firmosi Edi Rama dhe arrestohet Sali Berisha.

Ndaj të mos ndalemi së denoncuari Dumanin që nuk guxon kurrë të dalë para gazetarëve të pavarur dhe gjithë mercenarët sorosistë si ai në SPAK dhe në sistemin e drejtësisë.

Ndjesë të gjithë prokurorëve dhe punonjësve të ndershëm në SPAK, BKH e kudo, por Dumani në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin e ka shpërdorur për qëllime politike pozitën aktuale, pasi thelbi i vetë SPAK ishte pavarësia e fortë individuale e çdo prokurori dhe jo shndërrimi në parti politike bashkëqeverisëse siç e ka kthyer Dumani.

PA DREJTËSI NUK KA LIRI.

Ndaj i falënderoj të gjithë ata që na janë bashkuar sot për t’i thënë “Ndal Drejtësisë me Regji” dhe beteja jonë e pakthyeshme do të rivendosë drejtësinë në shinat kushtetuese dhe do të rikthejë lirinë për të gjithë shqiptarët.

Ora 13:24
Report Tv sjell pamjet me dron, një grusht militantësh në protestën e PL para SPAK

Report Tv sjell pamjet me dron nga protesta e Partisë së Lirisë para SPAK. Dhjetëra militantë, siç shihet edhe nga pamjet me dron, ishin mbledhur para Prokurorisë së Posaçme me moton kryesore ‘jo drejtësi me regji’.

Në protestë mungoi Sali Berisha dhe zyrtarë të tjerë të Partisë Demokratike.

Ora 13:01
Arrestimi i Metës, Xhixho në protestën para SPAK: Rrëmbim kriminal, drejtësia me dy standarde po persekuton liderët e opozitës

 

Nënkryetarja e PL, Erisa Xhixho në protestën para SPAK e quan rrëmbim kriminal arrestimin e Ilir Metës. Sipas saj, drejtësia po vepron me dy standarde dhe po persekuton liderët e opozitës.

“Drejtësia selektive me dy standarde, po persekuton liderët e opozitës, deputetë e opozitës. Kjo ndodh vetëm për një arsye, se opozita është vendosur ti qëndrojë përballë këtij regjimi. Sot kemi kallëzuar në SPAK, ministrin e Brendshëm, Policinë e Shtetit dhe Operacionalen për rrëmbimin kriminal të Metës. Ky rrëmbim politik, ishte në shkelje flagrante të Kushtetutës dhe Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Këtë çështje do e ndjekim deri në Strasburg. Sot Meta mbetet në izolim ekstrem pa fakte , pa prova dhe me zero akuza penale. Kur kjo ndodh me një personalitet si Meta, ish-president, imagjinoni se çfarë mund të ndodhë me qytetarin e thjeshtë të këtij vendi”, tha Xhixho.

Ora 12:26
‘Shërbëtor’, mercenar’, Blushi sulmon Dumanin si Meta: SPAK organizatë kriminale, pistoletë në dorën e Ramës për të vrarë opozitën

Partia e Lirisë mbajti sot protestë kundër SPAK pas arrestimit të kryetarit Ilir Meta. Sekretari i përgjithshëm, Tedi Blushi me të njëjtën gjuhë si Meta sulmoi SPAK dhe kreun e saj Altin dumani, duke e quajtur një shërbëtor të Ramës apo mercenar. SPAK e quan një organizatë kriminale, apo pistoletë në dorën e Ramës për të vrarë opozitarizimin në vend.

"Jemi këtu jo për të kërkuar drejtësi, por për të denoncuar tradhtinë e lartë që ky institucion me vullnet dhe këmbëngulje duke ecur në rrugët e Esat Toptanit, të Edi Ramës, të Soros dhe të McGonigal ka bërë kundër interesit qytetar, kundër interesit kombëtar dhe kundër Shqipërisë. Jemi sot këtu për një mision historik, patriotik dhe kombëtar për të nisur procesin e pandalshëm dhe të domosdoshëm të dezsorfikimit të drejtësisë. Ky institucion me veprimtari antikushtetuese e ka vrarë besimin e qytetarëve të thjeshtë tek drejtësia dhe funksionimi i shtetit ligjor duke iu bërë njësh me mafien në pushtet, duke i shërbyer verbërisht këtij narko regjimi për t’i garantuar dhunshëm edhe një mandat tjetër katër vjeçar në kurriz të shqiptarëve.

Ne jemi sot këtu sepse SPAK është shkatërruesi përfundimtar i reformës në drejtësi dhe i çdo shprese të shqiptarëve të lirë dhe të ndershëm patriotë për barazi para ligjit. Para këtij institucioni që prodhon vetëm padrejtësi, antiligjor dhe përndjekje politike të opozitës. Është bunkeri i fundit i narkoqeverisë që po mbron korrupsionin skizofrenik të Ramës dhe Rilindjes për të mos u dënuar dhe ndëshkuar. SPAK është mbrojtësi ligjor i krimit elektoral, duke qenë shërbëtori më i zellshëm i Ramës për asgjësimin e votës së lirë të shqiptarëve, duke mbyllur dosjet e Dibrës, Shijakut dhe Elbasanit. SPAK është mbrojtësi i vetëm i krimit ekonomik shtetëror. SPAK është bunkeri i fundit për Ramën dhe Veliajn, aferat e të cilëve si në rastin e grabitjes me inceneratorin, janë të dokumentuara me mijëra dokumente, por Dumani as guxon t’u përmend emrin për këto që ai i cilëson si krime intelektuale por që në fakt janë grabitje e qindra milionë eurove. SPAK është i provuar se është institucion mashtrues, montues procese të rreme, me zero fakte penale, dokumente dhe zero prova ndaj liderëve kryesorë të opozitës vetëm për llogari të narkomafies kombëtare. Dumani është armiku i shtetit të së drejtës, i lirive dhe dinjitetit njerëzor. Është mercenari më i verbër i rilindjes, misioni i të cilit është persekutimi politik i opozitës përmes proceseve hetimore të montuara,. Rrëmbimi i paligjshëm dhe kriminal i bërë nga SPAK dhe narkopolicia i Metës, provoi se vetëm dhuna, arbitrariteti dhe antiligji, shkelja e kushtetutës, janë shtyllat ku mbështetet sot aktiviteti i kësaj organizate kriminale që quhet SPAK. Është kthyer në pistoletë në duart e Ramës për të vrarë opozitarizmin dhe demokracinë në vend. Izolimi me masë ekstreme ndaj Metës. Altin Dumani, ky mercenar i Ramës, mori përsipër të rihapë për herë të tretë çështjen Cez-dia që ishte gjykuar disa herë", tha Blushi. 

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • E DREJTA: 07/12/2024 10:26

    UAHAHAHA PROTESTA...ME SHUME PARRULLA SE NJEREZ, FANTASTIKO

    Përgjigju
  • Tedi: 07/12/2024 07:08

    Populli eshte gjykatesi me i mire . Ajo pjesmarrje ne proteste teegon se sa perkrahje ka Meta. Turpi qendrin se behet oara institucionit te drejtesise pra SPAKUt

    Përgjigju
  • Dsare: 06/12/2024 13:28

    Shum gabim policia qe nuk i futi nje dru te mire ketyre rrugacve..

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?