Kronikë

Dumani: Na bashkon lufta kundër krimit e korrupsionit, asnjë vend i rajonit s’u bën dot ballë vetëm! Gonzato: Puna juaj ndikon direkt te integrimi

17 Qershor, 10:03| Përditesimi: 17 Qershor, 11:39

  • Share

Prokurorë të Përgjithshëm dhe Specialë të Ballkanit Perëndimor u mblodhën në një Forum në Tiranë, të cilët vendosën fokusin tek bashkëpunimi në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kreu i SPAK, Altin Dumani mesazhin e kishte të qartë kur tha se nuk i bashkon vetëm gjeografia, duke theksuar se krimit dhe korrupsioni nuk mund të luftohen vetëm.

Ai nënvizoi se, bashkëpunimet me Eurojust ka dhënë rezultate të prekshme dhe janë trajtuar çështje komplekse.

“Ne nuk na bashkon vetëm gjeografia por dhe lufta për korrupsionin. Grupet kriminale janë të ndërlidhura operacionet janë transnacionale. Më shumë hetime të përbashkëta, ndarja e informacioneve një mision i qartë se gjeografia nuk e pengon por e ndihmon partneritetin tonë.

Bashkëpunimi me Eurojust, nyje strategjike për bashkëpunim, përmes punës trajtuam raste komplekse duke punuar sëbashku. Po t’i hedhim një sy raportit të Eurojust SPAK është prokuroria me numrin më të lartë të çështjeve të çelura në Eurojust. Në janar maj, 10 mbledhje, 23 skuadra hetimore me BE e rajon, 1 skuadër me Amerikën Latine.

Të paktën më prokuroritë e Malit të Zi, Kosovës kemi treguar se një bashkëpunim i hapur dhe duke i besuar njëri-tjetrit bën të mundur hetimin e suksesshëm. Unë them që është një model bashkëpunimi qe kemi me këto tre shtete që duhet të përqafohet dhe nga vendet e tjera të rajonit që nuk kanë qenë aq bashkëpunëtorë. Gjithashtu SPAK i ka kushtuar vëmendjen ekzekutimit të kërkesave që vijnë nga vendet e rajonit apo dhe të BE. Lufta kundër krimit dhe korrupsionit është e gjatë dhe ndonjëherë e izoluar kur bashkëpunojmë me njëri tjetrin bëhet më e lehtë. Të vazhdojmë dialogun për të arritur zgjedhje konkrete”, tha Dumani.

Thirrjen për bashkëpunim me të ngushtë mes agjencive ligjzbatuese e pati edhe ambasadori i BE, Silvio Gonzato, kur tha se “BE dhe Ballkani Perëndimor vazhdojnë të përballen me kërcënime të përbashkëta sigurie nga krimi i organizuar dhe korrupsioni”.

Prokurorëve, Gonzato u tha se puna e tyre ndikon drejtpërdrejt në procesin e integrimit të BE, duke vlerësuar se bashkëpunimi i ngushtë midis gjyqësorit dhe aktorëve përtej kufirit dhe përgjigjet e koordinuara janë thelbësore jo vetëm për të luftuar krimin ndërkufitar por edhe për të mbrojtur më mirë viktimat e krimit.

“Forcimi i sundimit të ligjit është sfidë thelbësore për vendet që duan të anëtarësohen në BE. Puna juaj ndikon direkt në këtë proces! Pandëshkueshmëria nuk duhet të jetë e pranishme në shoqëri. Natyra në zhvillim e krimit ndërkombëtar kërkon vigjilencë dhe nisma konkrete si dhe burime financiare e njerëzore. Identifikimi i të ardhurave nga krimi është thelbësor në Shqipëri, si dhe rimarrja e aseteve”, tha Gonzato.

Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela tha se sfidat e prokurorive përballë krimit të organizuar janë shtuar, por me gjithë sofistikimin e krimit, bashkëpunimi me Eurojust dhe prokuroritë e vendeve fqinje ka arritur të japë fryte.

“Ka nevojë për një koordinim më të mirë së pari mes të gjitha agjencive ligjzbatuese në rrafshin kombëtar në mënyrë që të harmonizohen aktivitet hetimore dhe ritmi i tyre në raport me vendet e tjera që do të punohet”, tha Çela.

Presidenti i Eurojust, Michael Schmid, i cili në fjalën e tij tha se Ballkani Perëndimor është partner shumë i rëndësishëm i Eurojust. Schmid tha se kërkojnë të rrisin nivelin e bashkëpunimit për të luftuar grupet kriminale, ndërsa theksoi se mbështesin rrugëtimin e Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE.

Forumi Konsultativ i Prokurorëve të Përgjithshëm dhe Specialë të Ballkanit Perëndimor, synon të forcojë bashkëpunimin ndërmjet prokurorive të rajonit për adresimin e sfidave ligjore dhe krimeve të organizuara.

Ora 10:29
Gonzato-prokurorëve: Krimi i organizuar dhe korrupsioni, kërcënime sigurie në Ballkanin Perëndimor! Puna juaj ndikon direkt te integrimi

 

Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato u shpreh sot se forcimi i sundimit të ligjit ka një rëndësi thelbësore për vendet në procesin e anëtarësimit në BE dhe rezultatet e prekshme në këtë drejtim janë elementë thelbësore për të ecur përpara në procesin e integrimit.

Në fjalën e mbajtur në Forumin Konsultativ të Prokurorëve të Përgjithshëm dhe Specialë të Ballkanit Perëndimor, ambasadori Gonzato u shpreh se “BE dhe Ballkani Perëndimor vazhdojnë të përballen me kërcënime të përbashkëta sigurie nga krimi i organizuar dhe korrupsioni”.

Gonzato vlerësoi se bashkëpunimi i ngushtë midis gjyqësorit dhe aktorëve përtej kufirit dhe përgjigjet e koordinuara janë thelbësore jo vetëm për të luftuar krimin ndërkufitar por edhe për të mbrojtur më mirë viktimat e krimit. Gonzato u shpreh se “puna juaj ndikon drejtpërdrejt në proceset e vendeve tuaja drejt anëtarësimit në BE”.

“Ne e njohim angazhimin e vendeve në rajon për të luftuar krimin e organizuar, që është i dëmshëm për kohezion social dhe gërryen besimin  e qytetarëve tek institucionet. Rrjetet kriminale përdorin edhe institucionet për të zgjeruar ndikimin e tyre. Duhet të punojmë sëbashku. Forcimi i sundimit të ligjit është sfidë thelbësore për vendet që duan të anëtarësohen në BE. Puna juaj ndikon direkt në këtë proces!

Pandëshkueshmëria nuk duhet të jetë e pranishme në shoqëri. Natyra në zhvillim e krimit ndërkombëtar kërkon vigjilencë dhe nisma konkrete si dhe burime financiare e njerëzore. Identifikimi i të ardhurave nga krimi është thelbësor në Shqipëri, si dhe rimarrja e aseteve.

Duhet bashkëpunim gjyqësor më tej dhe përdorimi i të gjitha mjeteve në dispozicion, mbështetja e ofruar nga ky projekt për Ballkanin Perëndimor, ka efekte mjaft praktike përveç kontributeve të vlefshme që prokurorët japin. Përmes projektit, vendet kanë akses në burimet dhe praktikat më të mira të Eurojust. BE qartësisht përmes Eurojust dhe delegacioneve do vazhdojë t’ju mbështesë në punën tuaj”, deklaroi Gonzato.

Gonzato nënvizoi se “korrupsioni i nivelit të lartë është tipar i shumë aktiviteteve kriminale dhe kërcënim i sigurisë”.

“Grupet kriminale përdorin korrupsionin në nivele të larta për të zgjeruar ndikimin e vet apo për t’iu shmangur drejtësisë. Ndaj duhet të punojmë së bashku për të hequr këtë ndjenjë pandëshkueshmërie dhe për të ulur hendekun midis politikës, gjyqësorit dhe qytetarit”, tha Gonzato.

Ora 10:17
Presidenti i Eurojust: Të rrisim bashkëpunimin ndërkufitar në rajon dhe me vendet e BE-së! Mbështetje Shqipërisë për integrimin

 

Në Tiranë u mbajt Forumi Konsultativ i Prokurorëve të Përgjithshëm dhe Specialë të Ballkanit Perëndimor. I pranishëm ishte edhe Presidenti i Eurojust, Michael Schmid, i cili në fjalën e tij tha se Ballkani Perëndimor është partner shumë i rëndësishëm i Eurojust. Schmid tha se kërkojnë të rrisin nivelin e bashkëpunimit për të luftuar grupet kriminale.

“Vendet e Ballkanit Perëndimor janë të rrethuara nga Bashkimi Europian dhe nuk ka asnjë mënyrë të futesh aty pa kaluar një vend anëtar të BE-së dhe për këtë arsye mendoj se është logjike që ju jeni një nga aleatët kryesorë të BE-së në shumë aspekte. Dhe kur bëhet fjalë për Eurojust kjo lidhet me luftën kundër krimit të organizuar”.

“Ne kërkojmë të përmirësojmë dhe të rrisim në nivel të lartë këtë bashkëpunim. Të gjithë e dimë që grupet e organizuara kalojnë kufijtë edhe ne duhet të luftojmë dhe hetojmë rastet. Mendojmë se projekti për Ballkanin Perëndimor është efikas për ta bërë këtë. Objektiv kryesor është të rrisim besimin reciprok dhe njohuritë mes prokurorëve dhe gjyqtarëve për të rritur bashkëpunimin ndërkufitar në rajon dhe mes vendeve të BE-së”, theksoi Schmid.

Schmid u shpreh se që nga forumi i parë i organizuar nga Mali i Zi ka pasur shumë raste të identifikuara sa i përket mashtrimit online dhe janë arrestuar qindra të dyshuar dhe janë konfiskuar mallra të paligjshëm në numër shumë të lartë.

“Katër grupet hetimore të përbashkëta nga vendet e Ballkanit Perëndimor janë marrë me trafikimin e drogës, falsifikimin e parave dhe deri më shumë se 50 çështje janë mbështetur që kanë përfshirë vendin tuaj.  Kjo është një punë e shkëlqyer e prokurorëve që ne kemi në Eurojust të pikave të kontaktit si dhe anëtarëve të grupeve të kontaktit shumë prej të cilëve janë këtu sot me ne dhe që dua t’i falënderoj”, tha Schmid.

Theksoi mbështetjen e Eurojust për anëtarësimin e Shqipërisë dhe vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian.

“Të lehtësohet rruga juaj drejt anëtarësimit në BE. Ne bëjmë vlerësimin tonë vjetor lidhur me progresin për bashkëpunimin gjyqësor dhe dua t’ju garantoj që mund të besoni me ne. Mbështesim rrugën tuaj drejt Bashkimit Evropian dhe do ishte kënaqësi e madhe nëse do bëheshit vend anëtar.”

Ora 10:05
Çela në forumin e kryeprokurorëve: Ka nevojë për koordinim më të mirë mes agjencive ligjzbatuese

 

Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela, u shpreh se Shqipëria do të nënshkruajë sot me Malin e Zi një memorandum mirëkuptimi që do të japë efekt pozitiv dypalësh në drejtim të veprimit të koordinuar rajonal në çështjet e drejtësisë.

Nga Forumi Konsultativ i Prokurorëve të Përgjithshëm dhe Specialë të Ballkanit Perëndimor, Çela cilësoi gjatë fjalës së tij, se duhet përcaktuar qartë trajektorja që do të përshkruhet në drejtim të bashkëpunimit rajonal sa i takon çështjeve të drejtësisë.

“Për Shqipërinë dhe jo vetëm, arritjet e deritanishme përbëjnë një progres të dukshëm që do të thotë që sistemet tona të drejtësisë janë në rrugën e duhur të standardizimit dhe harmonizimit në rrugën drejt BE-së”, pohoi Çela.

Prokurori i Përgjithshëm Çela u shpreh se nga ky forum, konfirmohet vullneti institucional në drejtim të kontributit të procesit të integrimit të vendit.

“Jemi të vetëdijshëm që puna jonë edhe në raportin rajonal lidhet ngushtë me këtë proces, ndërsa ky projekt ka hedhur themelet drejt një integrimi më të fortë dhe të sigurt dhe më afër familjes evropiane”, tha Çela.

Po ashtu, Çela tha se ka nevojë për koordinim më të mirë mes agjencive ligjzbatuese.

“Shpresoj që dita e sotme të vlejë pozitivisht duke përcaktuar qartë trajektoren që duam të përshkrojmë në vijimin e bashkëpunimit rajonal. Falë këtij projekti kemi parë përmirësime konkrete në funksion të bashkëpunimit rajonal, krejt e paimagjinueshme disa vite më parë. Ka nevojë për një koordinim më të mirë së pari mes të gjitha agjencive ligjzbatuese në rrafshin kombëtar në mënyrë që të harmonizohen aktivitet hetimore dhe ritmi i tyre në raport me vendet e tjera që do të punohet. Është shenjë e një angazhimi serioz dhe afatgjatë që ndërsa do të krijojë dinamika të reja në bashkëpunimin dypalësh do japë efekte pozitive në drejtim të konsolidimit të veprimit të koordinuar në planin rajonal”, tha Prokurori i Përgjithshëm.

SI.E./I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se rinumërimi i 44% të kutive të votimit do ndryshojë rezultatin?