Durrës/ Mbajti peng fëmijët dhe qëlloi me kallashnikov, gruaja e 40-vjeçarit nuk u paraqit në 2 seanca për të marrë urdhrin e mbrojtjes

15 Maj, 11:47| Përditesimi: 15 Maj, 14:38

  • Share

1715754900_arrestimidurres.jpg

Policia e Durrësit ka ndarë një tjetër reagim lidhur me ngjarjen, ku 40-vjeçari mbajti peng fëmijët dhe qëllonte me kallashnikov. Policia njofton se 40-vjeçari Aleks Marku është arrestuar për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shkatërrimi i pronës”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.

Ndërkohë, sqarohet se Policia e Lezhës ka referuar materialet në Prokurori për dy kërkesa për urdhër mbrojtje për bashkëshorten, më datat 14.12.2023 dhe 27.03.2024, por në asnjërën prej tyre ajo nuk është paraqitur. Kështu ajo nuk ishte e pajisur me urdhër mbrojtjeje.

"Në lidhje me ngjarjen e ndodhur rreth orës 02:30, të datës 15.05.2024, në zonën e quajtur “Shkëmbi i Kavajës”, ku shtetasi Aleks Marku, 40 vjeç, banues në Lezhë, u neutralizua nga shërbimet “RENEA”, në bashkëpunim me ato të Policisë së Durrësit, pasi mbajti peng 2 fëmijët e tij të mitur (6 dhe 11 vjeç), në një apartament të marrë me qira, dhe qëlloi nga dritarja me armë zjarri kallashnikov, ju infomojmë se:

Pas shoqërimit të tij në ambientet e Policisë, u kryen veprimet procedurale dhe në përfundim të tyre u bë arrestimi në flagrancë i 40-vjeçarit, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shkatërrimi i pronës”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.

Në vijim, lidhur me rrethanat e kësaj ngjarjeje, ju informojmë se shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, më datat 14.12.2023 dhe 27.03.2024, kanë referuar në Prokurori, kërkesat për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes për bashkëshorten e shtetasit Aleks Marku, shtetasen B. M., 32 vjeçe. Në asnjërën nga seancat, 32-vjeçarja nuk është paraqitur në Gjykatë.

Gjithashtu, përsa i përket gjendjes penale të shtetasit Aleks Marku, ju informojmë se pas verifikimeve ka rezultuar se në Itali, ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar për veprën penale “Vjedhja”.

Në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, grupi hetimor vijon hetimet dhe veprimet procedurale, për të përcaktuar nëse 40-vjeçari ka qenë në efektin e lëndëve psikotrope, gjatë ngjarjes, si dhe për të dokumentuar me prova të ligjshme, rrethanat e tjera të këtij rasti", njofton policia. 

Vendimi për pushimin e çështjes për kërkesën për urdhër mbrojtje për bashkëshorten e Aleks Markut

Vendimi për mos dhënien e urdhrit të mbrojtjes për bashkëshorten e Aleks Markut


Lajmi kryesor:

Durrës/ Babai mbante peng 2 fëmijët e mitur dhe qëllonte me kallashnikov, nën efektin e drogës! Arrestohet pas negociatave me RENEA-n (VIDEO)


SI.E./ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?