Durrës/ Babai mbante peng 2 fëmijët e mitur dhe qëllonte me kallashnikov, nën efektin e drogës! Arrestohet pas negociatave me RENEA-n (VIDEO)

15 Maj, 08:08| Përditesimi: 15 Maj, 19:17

  • Share

DURRËS-  Një mrekulli shpëtoi 2 fëmijë të mitur 6 dhe 11 vjeç nga çmenduria e babait të tyre që mund të kishte përfunduar në tragjedi. Në prani të tyre, 40-vjeçari lezhjan Aleks Marku prej orësh të tëra, nga 2:30 pas mesnate e deri rreth orës 07:00 të mëngjesit kur u dorëzua në duart e forcave RENEA, qëlloi me kallashnikov brenda një apartamenti të marrë me qira në zonën e plazhit në Durrës.

18 gëzhoja u gjetën brenda apartamentit në kat të parë, 2 prej të cilave, siç shihet në pamje, janë gjetur në dhomën e gjumit. Të terrorizuar fëmijët i kanë kërkuar të ndalojë dhe t’i dorëzohet policisë e cila rrethoi zonën pas telefonatës nga banorët përreth të cilët dëgjuan të shtënat dhe britmat e djemve.

Gjatë operacionit të policisë nën thirrjet e negociatorit të RENEA-s 40-vjeçari del nga apartamenti ku kishte tmerruar fëmijët, i jep dorën efektivit, dhe nuk ndal së piri një cigare, teksa shfaqet pa bluzë. Disa thirrjeve të policisë për dorëzim, burri iu përgjigj duke vijuar të qëllojë nga dritarja e apartamentit. 

Kallashnikovi i mbetur në divanin e shtëpisë mes rrobave, rezultoi të jetë pa leje. Gjurmët e plumbave në muret e ballkonit dhe xhamat e dritareve kanë mbetur dëshmi e ngjarjes së rëndë që mund të kishte pasur pasoja të rënda.

Në banesë raportohet të jetë gjetur edhe lëndë narkotike, por për të faktuar nëse burri ishte apo jo nën efektin e drogave, do të kryhen analizat laboratorike. Të 2 fëmijët janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe po iu jepet asistencë me psikologë.

40- vjeçari Aleks Marku vjen nga një historik dhune në familje. Në zonën e plazhit tek Shkëmbi i Kavajës, ai së bashku me gruan e tij kishin marrë me qira një aprtament dhe sipas gruas së tij prej 2 javësh jetonin aty.

Bashkëshortja e tij në Lezhë, prej 11 vitesh martuar, e kishte denoncuar në polici për dhunë psikologjike dhe fizike ndaj saj dhe fëmijëve, por në asnjë rast nuk përfundoi në dyert e gjykatës pasi siç mësojmë nga të afërm të saj, me ndërhyrjen e familjarëve, mosmarrëveshjet janë tentuar të zgjidhen mes çiftit pa ndërhyrjen e autoriteteve.

Në një intervistë për mediat, gruaja e Aleksa Markut kërkoi sërish urdhërmbrojtje nga frika se mos bashkëshorti do të dalë nga burgu. Ajo pohoi se kishte konflikte me të dhe se ishte dhunuar psikologjikisht, por jo fizikisht. Sipas saj ai kishte filluar kohët e fundit që të pinte.

'Kisha punët e mia në Itali prandaj kam shkuar. Do të kthehemi në Lezhë do të fus edhe fëmijët në shkollë në Lezhë. Kam bërë denoncime pasi pinte, kishim frikë. Fizikisht se më ka dhunuar, por psikologjikisht. Për momentin fëmijët janë mirë. Ka 2 javë që jemi në Durrës. Ai peng nuk i ka marrë, se fëmijët ju ka plotësuar qejfin, me dalë. Unë kërkoj urdhër mbrojtje nga shteti. Kam frikë kur të dalë nga burgu.’- tha gruaja.

Raportuan për Report Tv dhe Shqiptarja.com, gazetarët Aldo Mustafa, Artur Korriku dhe Sokol Dema

Ora 18:56
Burri mbajti peng fëmijët e qëlloi RENEA-n, gruaja: Kërkojmë urdhërmbrojtje! Kam frikë kur të dalë nga burgu! Kishte filluar të pinte

B. M, nëna e fëmijëve që u mbajtën peng nga i ati, Aleks Marku, tregon se gjatë kohës kur ndodhi pengmarrja, ndodhej në Itali për të marrë disa dokumente. Teksa ka kërkuar urdhër mbrojtje, B.M tregoi po ashtu se bashkëshorti i saj kohët e fundit kishte filluar që të pinte.

Edhe më herët ajo tregoi se ka bërë denoncim kundër Alkes Markut pasi kishte frikë, ndërsa ka pohuar se ndaj saj ka patur më së shumti dhunë psikologjike dhe jo fizike. Sipas B.M. sa i takon fëmijëve ajo mohon të jenë marrë peng nga i ati por kanë shkuar më dëshirë.

‘Unë e mora vesh se më ka marrë policia e Durrësit sot në mëngjes ngaqë unë kam ardhur mbrëmë nga Italia, kam ardhur në orën 2. Mos të vija në rrezik fëmijët. Kisha llogaritur të vija ose nesër, ti thoja Aleks do mi sjellësh fëmijët ose të marrë policinë. Në mëngjes me ka marrë policia dhe më ka thënë hajde merr fëmijët. E para është shyqyr që më kanë shpëtuar fëmijët. Kam qenë në Itali me miratimin Alkesit, nuk kemi qenë të ndarë, por kemi pasur konflikte të vogla. Kisha punët e mia në Itali prandaj kam shkuar. Do të kthehemi në Lezhë do të fus edhe fëmijët në shkollë në Lezhë.

Kam bërë denoncime pasi pinte, kishim frikë duke dëgjuar edhe lajme të rënda, edhe nga frika kam bërë denoncim i kam thënë do të ndodhë ndonjë gjë ndonjë di. Fizikisht se më ka dhunuar, por psikologjikisht. Për momentin fëmijët janë mirë. Po u ofrohet ndihmë nga psikologë. U larguam nga problemet këtu. Vendosëm të jetonim në Durrës, të bëjmë jetën normale. Ka 2 javë që jemi në Durrës. Në sy tanë nuk ka konsumuar lëndë narkotike. Edhe mund të ketë konsumuar mbrëmë. Shumë pak flisja më fëmijët. Dy ditët e fundit fare. Nuk i nxirrte dhe nuk tregonte vendin ku është. Ai peng nuk i ka marrë, se fëmijët ju ka besuar qejfin, me dalë. Jo nuk e di po peng nuk i ka marrë peng, ka qenë me miratimin e të dyve. Unë mendoj nga pija. Unë kërkoj urdhër mbrojtje nga shteti. Kam frikë kur të dalë nga burgu.’- tha gruaja.

Ora 14:44
'Na thoshte po sulmohemi nga armiku!' Babai i mbajti peng për disa orë në Durrës, zbardhet dëshmia e fëmijëve në polici

1715777436_gfe.jpg

Detaje të reja nga ngjarja e ndodhur në Durrës kur një 40-vjeçar, nën efektin e drogës, mbante peng 2 fëmijët dhe qëllonte me kallashnikov për disa orë  derisa u dorëzua pas negociatave me RENEA.

    Burime nga policia konfirmojnë se burri me 2 fëmijët kishin 4 ditë që kishin ardhur në Durrës dhe ishin vendosur në një apartamen me qera ditore i cili gjendet të "Përroi i Agait".

    Grupi hetimor ka marrë në pyetje fëmijët në prani të psikologes.

    Ata kanë deklaruar se "kemi qenë në gjumë kur babai nisi të thërrasë se po sulmoheshin nga armiku.Ai thoshte armiku po vjen te dera dhe qëllonte me armë nga ballkoni.Edhe kur erdhi policia ai thërriste dhe qëllonte".

    Burime nga policia bëjnë të ditur se gjendja e tij psiqike nuk është në rregull e ai do ti nënshtrohet vizitave mjeksore.

    Ndërkohë gruaja e cila kur ka ardhur nga Italia i ka gjetur fëmijët në polici nuk është marrë në pyetje. Ajo ja kishte lënë të shoqit fëmijët që ti mbante gjatë kohës së qëndrimit në Itali. Gruaja ka qenë me dy urdhëra mbrojtje thonë nga policia e Durrësit.

    Pas pyetjes së fëmijëve janë larguar për në Lezhë, informon gazetari i Report Tv, Artur Korriku

    Ora 13:14
    Babai mbajti peng fëmijët në Durrës, fqinji: I keqtrajtonte dhe i rrihte! Pinte drogë

     

    Një prej fqinjëve tregon se 40-vjeçai që mbajti peng fëmijët në Durrës ishte agresiv dhe i dhunshëm. Sipas tij, Aleks Marku ushtronte dhunë fizikë ndaj fëmijëve.

    Fqinji flet edhe për momentin kur 40-vjeçarin qëllon me kallashnikov në shtëpi.

    “Në orën 1 e gjysmë të darkës ndodhi kjo, ka lënë kalamanin jashtë në orën 1 e gjysmë dhe ka gjuajtur me armë dhe plumbi kishte kaluar mes hotelit të Qemalit që është këtu afër. Por, për fat të mirë e kapi  policia. Ai rrinte i droguar, pinte drogë. Kam pak ditë që e kam parë, punë ditësh. I keqtrajtonte fëmijët, i torturonte. Kishte një javë që rrinte këtu, se ishte ndarë dhe nga nusja. Unë me atë nuk kam muhabet, por thjesht i kam parë. Ishte agresiv, gjuajti me kallash në shtëpi. Ata që kishin shtëpitë afër e dëgjuan, ngelën pa gjumë gjithë natën”, tregon fqinji.

    Ora 11:47
    Durrës/ Mbajti peng fëmijët dhe qëlloi me kallashnikov, gruaja e 40-vjeçarit nuk u paraqit në 2 seanca për të marrë urdhrin e mbrojtjes

    1715754900_arrestimidurres.jpg

    Policia e Durrësit ka ndarë një tjetër reagim lidhur me ngjarjen, ku 40-vjeçari mbajti peng fëmijët dhe qëllonte me kallashnikov. Policia njofton se 40-vjeçari Aleks Marku është arrestuar për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shkatërrimi i pronës”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.

    Ndërkohë, sqarohet se Policia e Lezhës ka referuar materialet në Prokurori për dy kërkesa për urdhër mbrojtje për bashkëshorten, më datat 14.12.2023 dhe 27.03.2024, por në asnjërën prej tyre ajo nuk është paraqitur. Kështu ajo nuk ishte e pajisur me urdhër mbrojtjeje.

    "Në lidhje me ngjarjen e ndodhur rreth orës 02:30, të datës 15.05.2024, në zonën e quajtur “Shkëmbi i Kavajës”, ku shtetasi Aleks Marku, 40 vjeç, banues në Lezhë, u neutralizua nga shërbimet “RENEA”, në bashkëpunim me ato të Policisë së Durrësit, pasi mbajti peng 2 fëmijët e tij të mitur (6 dhe 11 vjeç), në një apartament të marrë me qira, dhe qëlloi nga dritarja me armë zjarri kallashnikov, ju infomojmë se:

    Pas shoqërimit të tij në ambientet e Policisë, u kryen veprimet procedurale dhe në përfundim të tyre u bë arrestimi në flagrancë i 40-vjeçarit, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shkatërrimi i pronës”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.

    Në vijim, lidhur me rrethanat e kësaj ngjarjeje, ju informojmë se shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, më datat 14.12.2023 dhe 27.03.2024, kanë referuar në Prokurori, kërkesat për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes për bashkëshorten e shtetasit Aleks Marku, shtetasen B. M., 32 vjeçe. Në asnjërën nga seancat, 32-vjeçarja nuk është paraqitur në Gjykatë.

    Gjithashtu, përsa i përket gjendjes penale të shtetasit Aleks Marku, ju informojmë se pas verifikimeve ka rezultuar se në Itali, ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar për veprën penale “Vjedhja”.

    Në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, grupi hetimor vijon hetimet dhe veprimet procedurale, për të përcaktuar nëse 40-vjeçari ka qenë në efektin e lëndëve psikotrope, gjatë ngjarjes, si dhe për të dokumentuar me prova të ligjshme, rrethanat e tjera të këtij rasti", njofton policia. 

    Vendimi për pushimin e çështjes për kërkesën për urdhër mbrojtje për bashkëshorten e Aleks Markut

    Vendimi për mos dhënien e urdhrit të mbrojtjes për bashkëshorten e Aleks Markut

    Ora 10:16
    Mbajti peng fëmijët dhe gjuante me kallashnikov, 40-vjeçari: Kisha frikë se do më qëllonin! Të miturit në lot: Iu lutëm t’i dorëzohej policisë

    40-vjeçari Aleks Marku, i cili u arrestua pasi mbante peng fëmijët dhe qëllonte me kallashnikov, ka deklaruar në polici se ka hapur zjarr pasi kishte frike se do e qëllonin. I pyetur se nga përse kishte frikë se do qëllohej, ai s’ka dhënë deklarime të mëtejshme.

    Përsa i përket fëmijëve ata janë shoqëruar nën survejimin e psikologeve dhe në dëshmitë e tyrethuhet se kanë qenë shumë të frikësuar dhe se i janë lutur të atit duke qarë që të mos vazhdonte të qëllonte jashtë dhe se ky i fundit i ka terrorizuar duke u bërtitur dhe duke vazhduar të qëllonte me kallashnikov jashtë dritares.

    Banorë të zonës thonë jashtë kamerave se prej disa kohesh kishin konstatuar që Aleks Marku ishte vendosur në një banese në katin e parë të një pallati 8-katësh dhe se shpesh here prej tij shihnin reagime të cilat nuk u dukeshin normale, duke u lënë te dyshonin se Marku ishte me probleme te shëndetit mendor. Sakaq shpesh herë e kishin rastisur në lokale të zonës në gjendje të dehur.

    Ora 10:09
    DETAJE/ Babai mban peng 2 fëmijët nën efektin e drogës! Gruaja e denoncoi 2 herë por u tërhoq! Edhe në Itali ishte arrestuar për dhunë në familje



     

    Detaje të reja lidhur me ngjarjen e ndodhur sot në Durrës ku Aleks Marku, nën efektin e drogës, ka mbajtur peng 2 fëmijët dhe ka qëlluar me kallashnikov.

    Shqiptarja.com dhe Report Tv mëson se gruaja e tij kishte bërë denoncimin në polici të Lezhës 2 herë për dhunë por nuk ishte paraqitur në gjykatë për urdhër mbrojtjeje, pasi i kishin zgjidhur vetë mosmarreveshjet mes tyre.

    Ndërkohë sipas dëshmisë së gruas, burri i saj Aleks Marku kishte qenë i arrestuar dhe në itali për dhunë në familje dhe armëbajtje pa leje dhe kishte thyer arrestin e shtëpisë dhe kishte ardhur në Shqipëri. Ata kishin një banesë në Lezhë, por nuk jetonin ketu, informon gazetari i Shqiptarja.com dhe Report Tv Elvis Hila. 

    Ora 10:07
    Babai i mbante peng, banorët e Durrësit: Fëmijët kishin 1 muaj këtu

    Banorët në Durrës, ku 40-vjeçari kishte marrë peng fëmijët dhe qëllonte me kallashnikov, thonë për Report Tv se fëmijët kishin 1 muaj që qëndronin në atë apartament në zonën e Shkëmbit të Kavajës.

    Fëmijët kanë një muaj këtu. Ngrohen shpëlahen aty, lër rroba këtu, lër rroba atje.

    I kemi parë fëmijët që dalin andej.

    Ora 09:59
    Pamjet nga banesa ku babai mbante peng fëmijët në Durrës, xhamat përtokë, shenjat e plumbave në mure dhe kangjella

    Report Tv sjell pamjet nga apartamenti në Durrës, ku 40-vjeçari Aleks Marku mbante peng dy fëmijët e mitur dhe qëllonte me kallashnikov. Siç shihet edhe në këto pamje që sjell Report Tv, xhamat e dritares së ballkonit janë përtokë nga të shtënat.

    Ndërkohë, në mure dhe kangjellat prej hekuri dallohen shenjat e plumbave.

    40-vjeçari nga Lezha kishte marrë me qira një apartament në një hotel në Durrës, nëj ditë pasi gruaja e tij iku në Itali. Ai dyshohet se ka qenë nën efektin e drogës në momentin kur ka ndodhur ngjarja.

    Me kallashnikov ka qëlluar edhe në ajër edhe kur kanë mbërritur efektivët e Durrësit, derisa është dorëzuar pas negociatave me RENEA-n.

    Ora 08:52
    Report Tv siguron foto, ja kush është 40-vjeçari që mbante peng fëmijët dhe qëllonte me kallashnikov

    1715755654_aleksmarku.jpg

    Ky është 40-vjeçari Aleks Marku që u arrestua nga RENEA pasi mbante peng fëmijët në një apartament me qira dhe qëllonte me kallashnikov.

    Gazetari i Report Tv, Sokol Dema ka siguruar foton e 40-vjeçarit.

    Ora 08:41
    Mbajti peng fëmijët, 40-vjeçari nën efektin e drogës! Gruaja me urdhër mbrojtje, iku dje në Itali

    1715754863_durres.jpg

    Foto: Shenjat e plumbave të qëlluara nga Aleks Marku, Durrës, 15 maj 2024

    Report Tv dhe Sqhiptarja.com sjellin të tjera detaje nga ngjarja e rëndë në Durrës, ku 40-vjeçari Aleks Marku mbante peng dy fëmijët në apartament dhe qëllonte me ajër.

    Burime bëjnë me dije se 40-vjeçari ka qenë nën efektin e drogës, pasi në banesë janë gjetur shenja që tregojnë se ai kishte konsumuar lëndë narkotike.

    Sipas të njëjtave burime, ai ka pasur konflikte të vazhdueshme me bashkëshorten, ndërsa kjo e fundit është e pajisur me urdhër mbrojtje.

    Pasi gruaja ka ikur në Itali, ai ka marrë fëmijët nga Lezha dhe janë vendosur në Durrës për pushime, në një apartament me qira.

    Ora 08:15
    'Je në besën tonë'/ Me cigare në dorë dhe pa bluzë, momenti i negociatave të RENEA-s me 40-vjeçarin (VIDEO)

    Policia ka publikuar pamjet e neutralizimit të 40-vjeçarit që tronditi zonën e ‘Shkëmbit të Kavajës’ mëngjesin e sotëm pasi mbante peng në apartament dy fëmijët e mitur teksa banorët dëgjonin të shtëna me armë nga banesa e tij e marrë me qira.

    Në video janë forcat RENEA të cilat pas negociatave me 40-vjeçarin Aleks Marku kanë mundur t’i afrohen banesës dhe të kryejnë shoqërimin e tij. Forcat RENEA dëgjihen dhe në video teksa i thonë 40-vjeçarit: Je në besën tonë! 

    40-vjeçari duket teksa del nga banesa i qetë me cigare në dorë dhe pa bluze me vete. Ndërkohë 2 fëmijët janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe po u jepet asistencë nga psikologët. Gjithashtu në pamje duken edhe shenjat e plumbave në banesë dhe xhama të thyer.

    Njoftimi i plotë i policisë

    Qëlloi me armë zjarri, nga banesa ku mbante peng 2 fëmijët e tij të mitur, pas disa orësh negociata, RENEA hyri në banesë dhe liroi fëmijët. Gjithashtu, RENEA vuri në pranga autorin dhe i sekuestroi armën e zjarrit kallashnikov. Rreth orës 02:20, Policia e Durrësit është njoftuar se dëgjoheshin të shtëna me armë zjarri, në ambientet e një pallati, në një apartament të lëshuar me qira, pranë zonës së quajtur “Shkëmbi i Kavajës”.

    Menjëherë, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe nga veprimet e para rezultoi se banesa nga ku qëllohej me armë zjarri, ishte marrë me qira javore, nga shtetasi Aleks Marku, 40 vjeç, banues në Lezhë dhe se dyshohej se brenda saj ky shtetas mbante peng 2 fëmijët e tij të mitur, 6 dhe 11 vjeç.

    Policia e Durrësit kërkoi ndihmën e Repartit Special “RENEA”, pasi duhej ndërhyrje e specializuar për të mos rrezikuar jetën e fëmijëve në banesë dhe të punonjësve të Policisë. Në vendngjarje shkoi Reparti Special “RENEA”, i cili i bëri thirrje 40-vjeçarit që të dorëzohej, por ai vijoi të qëllonte nga dritarja e apartamentit.

    Pas disa orësh negociata, nga Njësia e Negocimit e Repartit “RENEA”, dhe me ndërhyrjen e specializuar të njësive të RENEA-s, në bashkëveprim me strukturat e DVP Durrës, nën masa të larta sigurie, u bë i mundur neutralizimi dhe kapja e shtetasit Aleks Marku, të cilit në banesë iu gjet një armë zjarri kallashnikov, një krehër me fishekë, si dhe 18 gëzhoja në brendësi të banesës

    Gjithashtu, Policia nxorri të 2 fëmijët, të cilët janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe po iu jepet asistencë me psikologë. 40-vjeçari është shoqëruar në Polici, për veprime të mëtejshme procedurale. Për motivet që shtynë 40-vjeçarin në këtë ngjarje, do të japim informacion në vijim.

    SI.E.//ReportTv.al
    Komento

    Komente

    • Erik: 15/05/2024 10:58

      Bravo policise, ky njeri ka nevoje per ndihme.

      Përgjigju
      • Orteeejjjj: 15/05/2024 11:50

        Ky njeri ka nevoje per burg te ashper… te punoje token nga mengjesi ne darke

    • Arben: 15/05/2024 08:36

      Bravo policia per profesionalizmin! Nga ana tjeter, te hetohet menjehere per lidhjet qe ka me Saliun ky njeri monstruoz!

      Përgjigju
      • Or tej: 15/05/2024 09:38

        Saliu e ka fajin gjithmone or teeeejjjjj

    • Sondazhi i ditës:

      Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?