Një vrasje e ndodhur 14 vite më parë për shkak të pronësisë mes dy familjeve, Estrefi dhe Istrefi, është bërë shkak që në fshatin Romanat të Durrësit të ndodhi një vrasje e dytë. Këtë herë ka qenë djali i viktimës të vrarë 14 vite më parë Zyhdi Istrefi, Myslym Istrefi, i cili ka vrarë Shaqir Estrefin, djalin e Qamil Estrefit, autorit të krimit të kryer në vitin 2006.
Por vrasja nuk është kryer me armë zjarri apo thikë, por me një makinë tip “Fiat Uno”, që Myslym Istrefi, e përdori për të marrë hakun e babait të tij. Sipas dosjes së Prokurorisë së Durrësit, 57-vjeçari Shaqir Estrefi, baba i katër fëmijëve, kishte vetëm tre ditë që ishte kthyer nga Italia në Shqipëri.
Në Itali ai qëndronte si emigrant sezonal. Por prania e tij tre ditore në fshatin Romanat të Durrësit, i ka bërë përshtypje Myslym Istrefit, i cili ka filluar të verë në zbatim një plan për vrasjen e hasmit të tij. Ai ka vendosur të përdorë makinën e tij tip “Fiat Uno”, me qëllim godtjen e babait të 4 fëmijëve.
Para sulmit me makinë, thuhet në dosjen e prokurorisë, Myslym Istrefi është ulur në një lokal dhe ka konsumuar alkool. Ai është dehuar dhe gjatë kësaj kohe ka mbajtur në vëzhgim lëvizjet e Shaqir Estrefit. Sapo ky i fundit është drejtuar në rrugë për të shkuar në banesë, prapa tij ka shkuar me makinën tip “Fiat Uno” Myslym Istrefi, i cili e ka goditur me shpejtësi duke e lënë të vdekur në vend Shaqirin.
Autori i krimit është arrestuar menjëherë, ndërkohë ka deklaruar se ishte i dehur dhe nuk kujtonte asnjë gjë, se çfarë kishte ndodhur. Por pas dëshmisë dhe të familjarëve të viktimës, policia ka kuptuar se kishte të bënte me një vrasje të kryer me paramendim për shkak të hakmarjes, pasi babai i Shaqir Estrefit, Qamili, kishte vrarë me armë zjari në vitin 2006,Zydi Istrefin, babain e Myslym Istrefin.
Ky i fundit tashmë është arrestuar nga policia dhe prokuroria e Durrësit dhe pritet që gjatë ditës së sotme të njihet me masën e sigurisë “arrest në burg” që do kërkojë përfaqësuesja e prokurorisë.