Janë vetëm 9 kilometra, por për të shkuar nga Gumenica në qendrën shëndetësore të fshatit Kotë duhet më shumë se 40 minuta ose 90 minuta deri në qytetin e Vlorës. Rruga është e shkatërruar. Siç duket edhe në pamje në këtë rrugë nuk kalon asnjë fugon apo urban, pasi prej vitesh nuk është vënë në funksion për shkak të rrugës tejet të amortizuar.
Kjo rrugë as në këmbë nuk bëhet dhe vetëm ndonjë taksist guximtar ose makinë e rastit mund t'i ndihmojë banorët.
“Jo nuk ka fugon. Edhe nxënësit me të paguar shkojnë në shkollë, paguajnë paratë prindërit dhe venë në Kote. Jeta është tejet e vështirë sepse kanë mbetur vetëm pensionistët ose kush merret me ndonjë blegtori”, thotë një nga banorët.
“Rrugë Kotë-Gumenicë si gjitha rrugët e pashtruara. Shpresat janë të pakta që rruga të bëhet me asfalt, po ne jemi ata që vuajmë”, tregon një banor tjetër.
Jetesa për banorët e fshatit Gumenicë është e vështirë pasi veç rrugës, u mungon uji i pijshëm.
Për kryeplakun e fshatit Gumenicë, Selaudin Zykaj në këtë rrugë nuk është vënë dorë prej vitit 2003, ndërsa për shkak të vështirësive të jetesës fshati po shpopullohet çdo ditë nga largimi i të rinjve.
”Tani s’kam më dhe shkollë dhe Qendër Shëndetësore, as ujë të pijshëm, vetëm me forcat e tyre njerëzit. As ujë për vaditje në fushë. Jemi i vetmi fshat që s'kemi asnjë kanal vaditës për të vaditur pemëtarinë apo prodhimet bujqësore. Nuk është vënë dorë që prej vitit 2003 dhe çdo ditë jetesa bëhet e vështirë. Këto familje që kanë mbetur këtu, janë vetëm familje të moshës së tretë. Si t’ia bëjmë është drejt shpërbërjes fare fshati", tha kryeplaku Selaudin Zykaj.
Dikur në Gumenicë të Vlorës jetonin më shumë se 100 familje ndërsa sot fshati nuk numëron më shumë se 40 familje pasi shumica prej tyre kane emigruar ose janë zhvendosur në qytet.