SHKODËR - AF Elbasani dhe Vllaznia do luajnë të diel në orën 16:30 në "Loro Boriçi" për raundin e 17-të të Superligës. Përpara medieve doli edhe trajneri i Vllaznisë, me Thomas Brdaric që kërkon tri pikët pas dy humbjeve radhazi.
Ai tha se ka shumë dëmtime, teksa i kujtoi drejtuesve edhe kushtet se ku ekipi bën stërvitje. Dueli do luhet në Shkodër edhe pse AF Elbasani do jetë pritës, kjo për faktin se në fazën e parë shkodranët kërkuan ta luanin ndeshjen kundër tyre në "Elbasan Arena", pasi fusha e "Loro Boriçit" ishte në rinovim.
"Dy humbje radhazi - E dimë situatën tonë. Kemi pasur disa ulje-ngritje gjatë këtij sezoni dhe objektivi ynë është të rikthehemi me fitore. Kemi pasur pak kohë për ta përgatitur këtë ndeshje. Duhet të tregojmë një performancë mjaft të mirë ndaj Elbasanit. Me kushtet që kemi, po bëjmë maksimumin, teksa pavarësisht dy humbjeve të fundit, jo çdo gjë ishte e keqe.
Duhet më shumë agresivitet dhe më shumë energji. Duhet të luftojmë taktikisht. E dimë që trajneri i ri i Elbasanit, Gvozdenoviç do ta nisë me fitore, por ata kanë disa futbollistë që mungojnë, ashtu siç i kemi edhe ne. Duhet të punojmë që momenti të jetë në krahun tonë. Kjo është kryesorja në futboll. Duhet të tregojmë fytyrën tonë më të mirë me Elbasanin.
Dëmtimet - Nuk do ta kemi ekipin e plotë me Elbasanin, por do jemi një ekip kompetitiv. Jam i sigurt që me Elbasanin do të kemi një reagim pozitiv nga skuadra. Kemi shumë probleme me dëmtimet. Infermieria është plotësisht e mbushur me futbollistë të dëmtuar. Stafi mjekësor po mundohet të bëjë më të mirën për t’i rikthyer sa më shpejt futbollistët, por nuk është e lehtë. Është një problem i madh për ne, por nuk kemi mundësi për t’u ankuar dhe duhet të shikojmë përpara.
Normalisht, situata e dëmtimeve është diçka që nuk na pëlqen as neve, as dikujt tjetër. Asnjë ekip në Shqipëri nuk e ka skuadrën e plotë. Të gjithë kanë dëmtime. Mund të flasim për ngarkesa apo për kushtet e stërvitjes dhe fushën ku ne stërvitemi, por çfarë të them. Nuk mund të ankohem. Këto janë kushtet që kemi. Duhet të jemi sa më pozitiv dhe të luftojmë për një rezultat sa më të mirë me Elbasanin", tha Brdaric.
Me 25 pikë Vllaznia mban vendin e katërt, ndërsa AF Elbasani me 21 pikë ndodhet në vendin e pestë. Te Elbasani në këtë duel do debutojë edhe trajneri i ri, Ivan Gvozdenovic.