Pas lajmit se dy prokuroret, Doloreza Musabelliu e SPAK dhe Merita Selimi e Lushnjës, kanë qenë në shënjestrën e grupit famëkeq të Laert Haxhiut, diskutimet kanë qenë të ‘nxehta’ mbi atë që pritet nga institucionet e drejtësisë.
I ftuar në Kontrast, me moderatorët Lorenc Vangjeli dhe Denis Minga, ish prokurori i Apelit, Shkëlqim Hajdari u shpreh se takimi i sotëm i ministrit të Brendshëm Taulant Balla, ishte shumë pozitiv në kudër të ‘pazmores’ që tashmë do të kenë gjyqtarët e prokurorët nga kërcënimet e jashtëm.
“Në kuptimin e kërcënimit nuk ndryshon gjë. Ne kemi patur edhe më parë raste të tjera. Ndërkohë ajo e gjyqtarit Konomi është ende e pazbardhur. Krimi është gjithë kohën vigjilent dhe kërkon të hetojë. Takimi i sotëm është për t’u përshëndet, sepse Balla përpos se ka marrë përgjegjësitë e mbrojtjes së prokurorëve dhe gjyqtarëve, e ka ngritur këtë në nivel institucional.”-tha Hajdari.
Pyetje: Sa ndikon një lajm i tillë?
“Prokurorët janë njerëz që punojnë me risk, po ashtu edhe policët. Kjo është lufta, e rëndësishme është që shteti të bëjë detyrën dhe t’i mbrojë. Ose me njerëz dhe bashkëpunëtorë të shërbimeve sekrete dhe të jemi vigjilent. Por gjithsesi, momenti është i tillë që, e gjithë trupa e prokurorëve dhe familjarët e tyre, do merren në mbrojtje fizike dhe do të bëhet ligj.”- tha Hajdari.
Nga ana tjetër, Hajdari vlerësoi punën e SPAK e më konkretisht Dumanin.
“Ishte e bukur që drejtuesi nuk ishte, nuk ka lejuar kamerat, por u përgjigj të gjtiha pyetjeve. U kënaqa me përgjigjet që ka dhënë dhe tregon që SPAK po punon 36 gradë. Kanë filluar peshqit e mëdhenj të goditen.”- tha ai.
I pyetur nëse SPAK është imun nga çdo kërcënim i jashtëm, Hajdari tha se vetë SPAK është një institucion që e pengon influencën politike, mediatike apo edhe nga eksponentët e krimit ndërsa me shtoi se prokurorët kur kërcënohen e marrin edhe me humor.
“Politikanët që mendojnë se mund të bien viktimë, të jesh i bindur që nuk lënë rrugë pa përdorur. Që në media, e deri te haberet që shkojnë. Mesazhe, lidhje shoqërore etj. Problemi është se zyrtarët e lartë kanë armë nëpër duar po s’kanë fishekë, s’kanë municion. Sepse ai është një ishull jo vetëm nga ne. Kanë shitur sovranitet, ata janë të monitoruar.
Kjo i krijon qetësi prokurorëve. Ata kur kërcënohen, ata qeshin, edhe të duash s’i kërcënon dot.
Ai merret në ndjekje penale etj.”- tha ai.
"Kurrë mos harro” është megaoperacioni që çoi në pranga 12 persona, 4 në kërkim që akuzohen për 6 vrasje, 5 shpërthime me tritol, grabitje me dhunë dhe 3 tentativa për kryerje vrasjesh. Policia e Shtetit i zbardhi këto krime falë të penduarit, Artan Tafani, 39-vjeçari anëtar i grupit të Laert Haxhiut, kundërshtar i Aldo Bares.
Një koment e pati edhe analisti Lorenc Vangjeli lidhur me lajmin që dha në Kontrast, e që me vonë u bë tematikë e shumëpërfolur në opinionin publik lidhur me çkodimin e telefonave të shumë personave të lidhur me krimin. Vangjeli tha se këto çkodime i kanë shërbyer drejtësisë për të ndërtuar një hartë të qartë mes lidhjeve që mund të kenë eksponentët e krimit. Gjithashtu, Vangjeli shtoi se nëse këto indicie provohen, atëherë pritet një evolucion i madh.
“Unë të thashë se ka më shumë se një. Së fundmi, telefonat janë bërë të penduarit e vërtetë të drejtësisë dhe kanë rrëfyer sekretet që kanë dashur t’i mbajnë të fshehta. Ka një hartë të qartë, të këtyre grupeve, me eksponentë politik, policor por edhe mediatik. Dhe kjo do pritet, që këto indicie të shkojnë drejt provës. Dhe duke provuar këto, ne do të shohim gjëra që sjellin evolucion të madh, meqë unë nuk pajtohem me termin ‘revolucion’.”- përfundoi Vangeli në Report Tv.