Vetëvarja e të voglit 13-vjeçar nga Lushnja, vështirë të nxjerrë në pah se çfarë e shtyu t’i japë fund jetës, ashtu si çdo rast tjetër tragjik ku viktima e merr me vete motivin. Por në fshatin Golem të Madh në Lushnje, të gjithë thonë se Arjet Sulovarin e vranë rrjetet sociale, pasi asnjëherë më parë nuk kishte shfaqur asnjë shqetësim. Një spango në qafë është sfida më e tmerrshme e ashtuquajtur “BlackOut” në rrjetin social Tik-Tok, e njëjta skemë e përdor edhe nga i mituri. Arjeti u vetëvar me spango në qafë në derën e shtëpisë. Dy prindërit e gjetën të kyçur me çelës derën e banesës pasi u kthyen nga vjelja e ullinjve pasditen e së shtunës.
E hapën me forcë u ballafaquan me skenën e tmerrshme: Djalin vetëvarur me litar.
Për ministren e Arsimit, Evis Kushi dëmet që po shkakton tek fëmijët përdorimi pa kontroll i telefonave celularë duhet të angazhojë të gjithë shoqërinë.
"Fëmijët rrinë për kohë të gjatë dhe aksesojnë në burime në të pasigurta informacioni që influencon sjelljen e tyre. Rasti i 13 vjeçarit në Lushnje ende nuk janë vërtetuar se cilat janë shkaqet, por dyshimet janë përdorimi i rrjeteve sociale. Është përgjegjësi e shoqërisë, ne padyshim si institucion kemi përgjegjësi por kjo është detyrë që duhet ta bëjmë të gjithë jo vetëm institucionet, por padyshim edhe familja. Jemi dëshmitar i rasteve që prindërit nuk i kontrollojnë fëmijët për informacionet që marrin në internet. Të hapim një debat të gjerë për këtë teme", tha Kushi.
13-vjeçari e kishte në telefon aplikacion TIK-Tok, ndërsa profili i tij është i mbushur me statuse dhe video depresive. E tillë është edhe sfida “BlackOut”, aspak argëtuese, dhe shumë herë fatale.
Loja “BlackOut” kërkon që pjesëmarrësi të shtrëngojë rreth qafës një litar derisa të humbasë ndjenjat dhe të zgjohet disa çaste më vonë. Por në një pjesë të mirë të rasteve, personat që e provojnë nuk zgjohen më kurrë, sic janë rastet e një 10-vjecareje në Itali dhe një 12 vjecari në Kolorado.
Edhe pse ekipet e Tik-Tok thonë se punojnë vazhdimisht për identifikimin dhe zhdukjen e tyre, trende të tilla në Tik-Tok vijojnë të shkaktojnë tragjedi.