Seanca e padisë së kryeministrit Edi Rama ndaj deputetit të PD-së, Gazment Bardhi, për veprën e shpifjes, u shty në gjykatë ditën e sotme (25 shkurt). Shkak kanë qenë pretendimet e palës mbrojtëse të ligjvënësit demokrat.
Këtë e bëri të ditur edhe vetë Rama me një postim në rrjetin social X. Çështja lidhet me akuzat publike që Bardhi bëri kohë më parë ndaj kryeministrit, se kishte fshirë emrin e të vëllait, Olsi Rama, nga dosja e ‘Xibrakës’, me ndihmën e prokurorëve që i kishte promovuar më pas.
Pala mbrojtëse e deputetit demokrat, tani pretendon se Bardhi i është referuar fakteve të bëra publike dhe thjesht i ka përsëritur ato.
Teksa Rama shpjegon se padia kishte lidhje me akuzat që Bardhi ka bërë ndaj tij direkt si kryeministër, pra për shpifje ndaj kryeministrit.
“Prandaj avokatët duhet të sjellin prova që vërtetojnë thëniet e Bardhit. Por natyrisht që prova s’kanë dhe spërdridhen duke shtyrë seancat me llafe boshe. Ju informoj për seancën tjetër. Eh Babale, Babale, spërdridhu, spërdridhu”, shkruan Rama mes të tjerash.
Ai i referohet edhe njoftimit me mesazh që i ka bërë koordinatori juridik i “shumë gjyqeve me kënetën”, siç e cilëson. Kujtojmë se në muajin janar, SPAK mbylli hetimet për denoncimin e Bardhit ndaj Olsi Ramës, pasi nuk ekzistonte asnjë provë se vëllai i kryeministrit ishte i përfshirë në dosjen e laboratorit të kokainës.
Postimi i plotë i Edi Ramës në rrjetin X:
"Një mesazh nga koordinatori juridik i shumë gjyqeve me kënetën. Lexojeni pak:
“Sot kishim gjyqin për shpifje me Gaz Bardhin. Avokatët e tij kanë këmbëngulur që të mos merren parasysh vendimet e penales, sepse medemek ato që ka thënë Bardhi janë fakte të njohura publikisht dhe ai thjesht i ka përsëritur. Plus në parashtrime thoshin Ols Rama ashtu, e Ols Rama kështu. Avokati ynë ua ka bërë të qartë që padia është e Edi Ramës dhe bëhet fjalë për deklaratat e Bardhit për kryeministrin, që ka fshirë emrin e vëllait nga dosja me prokurorë, që pastaj i ka promovuar etj etj... Pra gjyqi është me Edi Ramën dhe për shpifjet ndaj Edi Ramës, prandaj ata duhet të sjellin prova që të vërtetojnë thëniet e Bardhit. Po natyrisht ata prova s’kanë dhe spërdridhen duke shtyrë seancat me llafe boshe. Ju informoj për seancën tjetër”.
Eh Babale Babale, spërdridhu spërdridhu…”.
Postimi i kryeministrit Edi Rama në X
Gazment Bardhi në SPAK
Deputeti demokrat, njëkohësisht kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi, i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama po me një postim.
“Koordinatori të paska ngrënë “dardha e mollë” pas shpine! Pyete edhe një herë “koordinatorin juridik” se ose s’ke kuptuar ç’të ka thënë, ose të ka gënjyer!”, shprehet Bardhi në reagimin e tij, po në rrjetin social X.
Dhe më tej vijon duke u shprehur se kryeministri nuk e ka kuptuar ligjin dhe se këto kohë nuk është i qetë.
Gjasat janë që s’ke kuptuar gjë, sepse jo vetëm s’merr vesh nga ligji, por këtë periudhë je pak i rënduar psikologjikisht. S’ke faj: u bënë shumë dardhë e shumë mollë pas shpine! Deri tek “molla e dardha” e radhës merre qetë, dhe ndaje mendjen kam shpifur për ty apo vlla Olsin!”.
SPAK në janar përfundoi hetimet për denoncimin e Bardhit dhe deklaroi se nuk kishte asnjë provë që e implikonte Olsi Ramën me dosjen e Xibrakës, teksa aktualisht kryeministri e ka paditur në Gjykatë për shpifje deputetin e PD.
Reagimi i Bardhit në rrjetin X
Komente
